BE e pakënaqur me reformën zgjedhore

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar dhe shtetet anëtare të BE-së përmes një deklarate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial në reformën zgjedhore në Kosovë, duke kërkuar kështu zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore.

Në deklaratë thuhet se rëndësia e një reforme gjithëpërfshirëse është nënvizuar në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011, në të cilat është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë, më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.
"Duke pasur parasysh mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për procesin e reformës zgjedhore në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë duan ta shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial deri më sot, veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se komisioneri evropian Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Prishtinë pati nxitur akterët që ta arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
“Duket se është e pamundur që objektivat e këtilla të realizohen brenda afatit të kufizuar në dispozicion. Prandaj, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë i inkurajojnë fuqishëm të gjitha partitë politike që angazhohen më substancialisht dhe ta shqyrtojnë zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore për një afat kohor të kufizuar, në mënyrë që të mundësohen një debat më i thellë, shqyrtimi i rekomandimeve të BE-së, përfshirja e shoqërisë civile dhe realizimi i objektivave fillestare të reformimit dhe thjeshtimit të procesit zgjedhor në Kosovë, në mënyrë që ky proces të jetë përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në fund të deklaratës.