KFOR-i dhe EULEX-i nuk merren me zgjedhjet serbe

KFOR-i dhe EULEX-i nuk do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës në pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, të paralajmëruara të mbahen më 6 maj.

 “Misioni ynë nuk merret me çështjen e zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljevic, duke komentuar deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se Policia e Kosovës, e ndihmuar nga EULEX-i dhe KFOR-i, do të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
Gudeljevic nuk ka dashur të spekulojë se cili do të jetë reagimi i EULEX-it në rast se Policia e Kosovës do të përdorte dhunë ndaj serbëve që do të votonin më 6 maj.
Lidhur me këtë çështje, edhe zëdhënësi i KFOR-it, Uve Noëicki, ka thënë për ‘Danas’ se mandati i trupave paqeruajtëse është që të sigurojnë ambient të qetë dhe të sigurt. “KFOR-i po e monitoron në tërësi vijën administrative kufitare - kjo është e saktë, por KFOR-i nuk është i mandatar të zbatojë çfarëdo procedurash apo punësh policore e doganore. Roli ynë është të përqendrohemi në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në tërë Kosovën”.

Ndërkohë Serbia vazhdon me politikën e saj dyfytyrëshe. Pasi i ka shpallur, ajo ka hequr dorë, të paktën publikisht, në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, por drejtuesit e strukturave paralele të Serbisë në tri komunat veriore të Kosovës, të populluara me shumicë serbe, vazhdojnë të thonë se zgjedhjet lokale do të mbahen.
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur disa herë se Serbia nuk do të organizojë më zgjedhje lokale në Kosovë, dhe nëse ndodhë, ato do të pengohen me forcë nga Policia e Kosovës. Madje kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në Kosovë nuk do të organizohen kurrfarë zgjedhjes. Ai ka thënë se serbët që kanë dyshtetësinë dhe dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare apo presidenciale të Serbisë, mund ta bëjnë këtë duke votuar me postë.