Sekretari shtetëror në tw ashtuquajturën ministri për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanovic, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk është i mundur pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ai ka theksuar se nëse ndonjë komunë e veriut i mban zgjedhjet në fjalë, rezultatet e tyre nuk do të pranohen.
“Nëse përfaqësuesit e serbëve në Zveçan dhe Zubin Potok vendosin t’i mbajnë zgjedhjet, ato nuk do të pranohen. Për t’i pranuar, Komisioni Zgjedhor Republikan do të lëshonte të tjera udhëzime”, ka thwnw Ivanovic, raporton REL.
Ivanovic ka vizituar të enjten disa fshatra të Komunës së Istogut. Ai ka deklaruar se serbët e Kosovës nuk duhet t’i përkeqësojnë marrëdhëniet me Beogradin. Sipas tij, “zyrtarët lokalë duhet t’i mbrojnë interesat e popullit dhe me Serbinë e Beogradin të kenë marrëdhëniet më të mira të mundshme, sepse çdo gjë tjetër është e gabuar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për serbët që jetojnë në veri apo jug të Lumit Ibër”.
Autoritetet kosovare kanë deklaruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Që nga paslufta, Serbia ka organizuar disa herë zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, por mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë nuk i kanë cilësuar si të ligjshme rezultatet e tyre.