Në Prishtinë nesër organizohet konferencë ndërkombëtare për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet rajonale dhe të BE-së që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Organizatorët thanë se qëllimi i konferencës është të kuptohen më mirë pozicionet e këtyre shteteve ndaj Kosovës dhe të prezantohet libri – udhërrëfyes diplomatik për qëndrimin e këtyre shteteve.
Konferenca ndërkombëtare “Kosova Thërret”, ka për qëllim prezantimin e shtatë analizave mbi marrëdhëniet e Kosovës me pesë vendet evropiane, që nuk e kanë njohur pavarësinë si dhe dy vendet e rajonit, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Zëvendësministri i punëve të jashtëm, Petrit Selimi tha se këto analiza janë dokumente strategjike të cilat ofrojnë zgjidhje për njohjen e Kosovës nga këto pesë vende.
Zëvendësministri i punëve të jashtëm, Petrit Selimi tha se këto analiza janë dokumente strategjike të cilat ofrojnë zgjidhje për njohjen e Kosovës nga këto pesë vende.
“Por tash do të jetë qenësore që në proceset e ardhshme, në vitet e ardhshme ta ofrojmë Kosovën sa më shumë BE-së. Gjetja e solucionit, i cili e zhbllokon njohjen e Kosovës nga këto pesë vende” ,tha Selimi, transmeton RTK.
Luan Shllaku, nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur tha se pesëshja evropiane do të ndryshojë qëndrim karshi pavarësisë vetëm atëherë kur Kosova do të shënojë progres në agjendën e saj integruese në BE-së.
“ Rezultatet e para mund t’i shohim në atë moment ku ato vende nuk do të jenë refuzuese ndaj agjendës sonë refuzuese. Mendojmë që është akoma shumë herët të mendojmë për atë se a do ta pranojmë ato shtetësinë e Kosovës, por ajo do të vjen si rrjedhojë shumë normale në atë moment kur Kosova shkon shumë lar në agjendën e saj integruese”, tha Shllaku.
Konferenca do të mbledhë në Prishtinë përfaqësues të Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ku do të diskutohet për ndërtimin e marrëdhënieve të mëtutjeshme të Kosovës me këto shtatë shtete.