Anketa e Kosovapress: Topalli i VV fiton garën për Ferizajn

Një anketë e Agjencisë Kosovapress, e bërë lidhur me garën për kryetar të Ferizajt, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka nxjerr fitues kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, me 46 për qind të votave të grumbulluara, ndërsa pas tij është radhitur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Agim Aliu, me 42për qind të votave të mbledhura, i pasuar nga kandidati i tretë, Adem Salihaj, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) me 8 për qind të votave.

Dy kandidat të tjerë, Naim Ferati nga AAK-ja dhe kandidati i pavarur, Rrahim Radiku, janë renditur në pozitë e katërt, respektivisht të pestën, me nga 1 për qind të votave, ndërsa Ramadan Hasani nga AKR-ja, Bujar Ademi nga PD-ja dhe Ramadan Emini nga LB-ja, nuk kanë siguruar as 1 për qind të votave.
Në anketën e zhvilluar për disa ditë në faqen e Kosovapressit, e cila është njëra nga anketat më të votuara, kanë marrë pjesë 13371 respodentë.
Tre kandidatët që kanë marrë më së shumti vota në këtë anketë, secili në mënyrën e vet i ka vlerësuar rezultatet e këtij sondazhi.
Për, Faton Topallin, nga Lëvizja Vetëvendosje, rezultatet e kësaj anketë janë vlerësim i qytetarëve dhe tregojnë orientimin e tyre. Sipas tij kjo është pozitive, për faktin se në këtë anketë kanë votuar disa mijëra qytetarë, duke shprehur kështu vullnetin e tyre.
Edhe kandidati i PDK-së, Agim Aliu, anketën e ka quajtur si vlerësim qytetarë, por që ky vlerësim sipas tij në terren është ndryshe nga ai që është paraqitur në anketë dhe sipas tij shumëfish anon nga ai. Aliu ka thënë se sondazhet në nivel vendi nuk janë përcaktuese për zgjedhjet në Ferizaj, duke lënë të hapur edhe mundësinë e manipulimit.
Ndryshe nga dy kandidatët e parë, Adem Salihaj, nga LDK-ja, sondazhin e Kosovapressit , e ka quajtur jo real, të ndikuar, e anus, i cili sipas tij nuk paraqet disponimin real të qytetarëve. Ai ka thënë se sondazhi nuk është përcaktues dhe nuk jep mundësi të verifikimit. ”Kemi bërë anketa në formë elektronike, ku unë prij dukshëm ndaj të tjerëve, kështu që kjo anketë nuk është kredibile”, ka thënë Salihaj.
Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për njeriun e parë të Ferizajt, do të mbahen më 29 prill. Në garë janë 7 kandidat të subjekteve politike dhe një i pavarur. Partitë politike, të cilat nuk e kanë forcën e duhur për fitore, shpresojnë në koalicione pas raundit të parë zgjedhor.