Mbështetja zvicerane për të riatdhesuarit

Arritjet e Kosovës në fushat e ri-pranimit dhe ri-integrimit të personave të riatdhesuar, sfidat dhe planet e Qeverisë në avancimin e kësaj agjende shumë të rëndësishme për vendin, këto ishin çështjet për të cilat u bisedua në takimin e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, me Ambasadorin Special për çështje të Migrimit të Zvicrës, Eduard Gnesa.

Ministri Rexhepi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një fond të veçantë për të ndihmuar personat që riatdhesohen në Kosovë nga shtetet e perëndimit, në mënyrë që sistematizimi i tyre të jetë sa më i lehtë. Ai tha se deri më tani ri-integrimi i personave të riatdhesuar ka shkuar sipas parashikimeve dhe se po përmbushen të gjitha obligimet ndërkombëtare në këtë fushë, thuhet në kumtesën e lëshuar nga ky takim.
Ambasadori Special për çështje të Migrimit të Zvicrës, Eduard Gnesa, tha se Kosova edhe pse si shtet i ri është një model i mirë i zbatimit të marrëveshjeve me vendet evropiane për një ri-integrim të suksesshëm dhe ofroi mbështetjen e Qeverisë Zvicerane në mënyrë që të ketë një ri-integrim të qëndrueshëm të personave që ri-atdhesohen.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që në të ardhëm të thellojnë bashkëpunimin në fushën e migracionit dhe theksuan nevojën e ngritjes së kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve.