Sali Çekaj ishte një burrë i madh i Kosovës, fliste pak e punonte shumë, ka qenë njeri i matur dhe është munduar gjithmonë ta bëjë bashkë popullin, u tha në akademinë përkujtimore në 13 vjetorin e rënies së heroit, Sali Çekaj.
Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari në këtë akademi përkujtimore tha se heroi Çekaj ishte ndër të parët që theu kufirin shqiptaro-shqiptarë bashkë me Adem Jasharin dhe luftëtarët tjerë të lirisë.
Ai tha se Çekaj ishte njeri i matur, i qetë dhe që është munduar ta bëjë bashkë popullin e Kosovës.
Jashari në këtë akademi tha se ia kemi borxh dëshmorëve të kombit të gjejmë një gjuhë të përbashkët, të bashkëpunojmë nëse ia duam të mirën vendit tonë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, theksoi se thyerja e piramidës kufitare paralajmëronte ardhjen e një epoke të re.
Ai tha se me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptarë Ushtria Çlirimtare e Kosovës po hapte një kapitull të ri.
UÇK-ja, tha Kuçi, për asnjë moment nuk e ndali luftën e saj të vendosur për çlirim. “Dëshmorët e vendit janë krenaria e Kosovës”, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri.
Ndërkaq, bashkëveprimtari Sabri Hamiti, tha se Sali Çekaj ka rënë dëshmor duke thyer murin e Berlinit në mes shqiptarëve.
Ai e cilësoi Çekajn, si burrë të madh të Kosovës, i cili fliste pak, por punonte shumë për të mirën e vendit.
Në akademinë përkujtimore me rastin e 13 vjetorit të rënies së heroit Sali Çekajn, folën bashkëluftëtarë si dhe e bija e tij.
Beteja e Koshares, e cila identifikohet me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar njihet si një betejë historike që bëri kthesë të madhe në luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës.