Në kërkim të aktores që do ta luajë Dianan

Producenti filmik, Stephen Evans, është në kërkim të një aktoreje hollivudiane, e cila do ta luajë rolin e princeshës Diana, e cila humbi jetën tragjikisht në vitin 1997.
Filmi do të trajtojë 11 vitet e fundit të jetës së saj, ndërsa do të bazohet në memoaret e truprojës Ken Wharfe, në librin “Diana: Closely Guarded Secret”.
“Filmi fillon nga momenti kur e ka lindur djalin e dytë, Harryn, dhe theksi është mbi atë që ka përjetuar në jetën e saj si princeshë britanike”.
“Filmi as nuk do ta lëvdojë e as nuk do ta shajë, por secili shikues do të ketë kohë dhe hapësirë që të vendosë vet se çfarë personaliteti ka qenë dhe çfarë i ka ndodhur”, ka thënë producenti Evans, ndërsa transmeton CTV News.
Aktoret potenciale që mund ta luajnë princeshën Diana, janë Keira Knightley dhe Scarlett Johansson.

Heynckes enigmatik rreth Shaqirit

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, gjatë një prononcimi për Suddeutsche Zeitung ishte i paqartë rreth interesimit të bavarezëve për mesfushorin e Baselit, Xherdan Shaqiri.
Mediat gjermane kanë raportuar të hënën se dy klubet kanë arritur marrëveshje për shumën prej rreth 10-12 milionë euro për ta transferuar shqiptarin me pasaportë zvicerane.
“E kam shikuar Baselin duke luajtur. Është e qartë se disa lojtarë janë të dallueshëm”, ka qenë përgjigja enigmatike e Heynckes.
Një përgjigje të ngjashme e ka dhënë edhe drejtori për media i Bayernit, Markus Horwick: “Po të kishte diçka për të thënë, do ta thoshim”.

Behrami: Nuk desha ta tradhtoj Fiorentinan

Mesfushori i Fiorentinas, Valon Behrami, ka shpjeguar arsyen se pse refuzoi t’i bashkohej Juventusit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Shqiptari me pasaportë zvicerane ka thënë se asnjëherë nuk kishte menduar t’i bashkohej Zonjës së Vjetër, sepse kjo do të ishte tradhti ndaj Violas.
“Juventusi ishte një mundësi për mua. Nuk ishte një moment i lehtë për mua, sepse Fiorentina po vuante”.
“Klubi më bëri të ndjehem i rëndësishëm. Tash ka një shpirt tjetër: ne po luftojmë dhe duam t’i kthejmë tifozët”, u ka thënë Behrami gazetarëve.

Beqaj vlerëson punën e KEK-ut, apelon për kursim të energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka vlerësuar përkushtimin e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët në këto kushte të motit të keq po bëjnë maksimumin e mundshëm për t’i siguruar vendit furnizim sa më stabil me energji elektrike, ndërsa qytetarëve u ka bërë thirrje për kursim të energjisë.
Ministri Beqaj gjatë vizitës që i ka bërë sot mihjes sipërfaqësore dhe TC Kosova A dhe Kosova B, ku u shoqërua nga bashkëpunëtorë dhe menaxhmenti i KEK-ut, ka thënë se Korporata është një situatë emergjente dhe vërehet një angazhim i të gjithë stafit. “Është një sfidë relativisht e madhe të mbahet me furnizim edhe mihja edhe të funksionojnë të gjitha blloqet e prodhimit të energjisë në këto kushte. Unë falënderoj punëtorët e KEK, të cilët me angazhim jashtëzakonisht të theksuar kanë mundësuar që këto ditë të kemi furnizim relativisht të mirë me energji elektrike”, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së ka falënderuar të gjithë punëtorët që në këto kushte jashtëzakonisht të rënda punë po gjejnë motivim që kjo korporatë të funksionojë ashtu si duhet, ndërsa apeloi për konsum sa më racional që energjia të shkojë në të gjitha anët e Kosovës. “Dua të konfirmojë edhe një vendim të Qeverisë që sot është marrë, e ai është që ato zona që janë banime të përkohshme siç është lagja e Kuvajtit dhe të ngjashme të kenë furnizim 24 orë, ndërsa Qeveria do të merret me të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet që ka ndaj KEK-ut”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së rivitalizimit të Bllokut A2 të TC Kosova A, Beqaj ka thënë se vendi është në situatë që duhet të shfrytëzojë të gjitha resurset e tij energjetike mbi parimet e mbrojtjes së mjedisit, ndërsa ka mohuar çdo mundësi për reduktim të punëtorëve që është lasnuar në opinion së fundi.
Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ka bërë të ditur se Korporata që nga enjta është duke punuar në kushte emergjente dhe kushtet në të cilat punojnë punëtorët janë tejet të vështira, por është duke u bërë maksimumi duk punuar me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A që prodhojnë rreth 800 megavate/orë.
“Prodhimi është stabil që nga mëngjesi i së shtunës, kategoria A dhe B është pa reduktime, kategoria C reduktohet gjatë pikut dhe gjatë ditë dhe gjatë natës është pa reduktime. Ky është furnizimi më i mirë i mundshëm në këto rrethana, ne jemi duke bërë të pamundurën për të siguruar energji të mjaftueshme për qytetarët e vendit”, tha Gjukaj.
Ai tha se KEK ka marrë përkrahjen nga të gjitha institucionet qeveritare, ndërsa punëtorët që janë duke punuar në mihje dhe në TC janë duke luftuar me natyrën, janë duke bërë më të mirë e mundshme për furnizim me energji.

Azilkërkuesit dërgohen në Lipjan

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë inaugurimin e Qendrës për Azilkërkuesit, në fshatin Magure të Lipjanit. Ai ka thënë se në këtë Qendër 50 azilkërkues do të transferohen menjëherë pasi të përmirësohet moti i lig.
Ministri Rexhepi ka thënë se është i vetëdijshëm se disa azilkërkues e shfrytëzojnë Kosovën si transit për të dalë në vendet e tjera të Evropës, por ka thënë se ka edhe të atillë me qëndrim në Kosovë.
Azilkërkuesit kryesisht vijnë nga vendet e Azisë, Afrikës Veriore dhe nga Lindja e Mesme.
Për këtë projekt i cili përbën dy ndërtesa, njëra për administratë dhe tjetra për banimin e azilkërkuesve Komisioni Evropian i ka ndarë 1.4 milionë euro.

Veseli: Mustafa nxit urrejtje!

Lidhur me akuzat e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. E ka cilësuar për keqardhje qëndrimin e LDK-së, duke vlerësuar se ka zgjedhur rrugën e papjekurisë, anarkisë dhe nxitjes së urrejtjes, nga po tentohet të drejtohet populli ynë nga kryetari i LDK-së dhe shefi i opozitës, Isa Mustafa, raporton KTV.
“Në vend të fokusimit në prioritete nacionale dhe krijimit e respektimit të stabilitetit të institucioneve, tentativa për t'i dhënë kahe imponuese politike, absolute dhe nxitëse gjërave sensitive në princip, pa bazën e fakteve dhe argumenteve dhe në rrugë joinstitucionale, të përkujton një kohë dhe mentalitet që popullit tonë i kanë kushtuar shumë në të kaluarën, me të persekutuar, të burgosur e të vrarë”, thuhet në reagimin e Veselit.
“Për më tepër, është paradoksale kur pjesë të këtij procesi bëhen pikërisht eksponentë të cilët që nga fëmijëria ime kanë qenë pjesë aktive dhe me petkun më të lartë ekzekutiv të kohës së atyre veprimeve, dhe asnjëherë deri më sot, as edhe verbalisht nuk kanë marrë qëndrim distancues nga krime të tilla”.
“Është e vërtetë se pas luftës në këtë vend kanë ndodhur disa krime që e kanë turpëruar dhe gjakosur lirinë dhe ato duhet doemos të zbulohen, por këto tragjedi askujt s’duhet t’ia japin privilegjin e atakuesit, aq më pak, turpin e kënaqësisë dhe përfituesit për momente politike, siç është bërë praktikë e zakonshme kjo nga të tillë”, thotë Veseli.
Sipas tij, kryetari i LDK-së, si dhe çdo kush para e pas tij, duhet të deklarohen dhe të marrin përgjegjësinë etike e juridike për akuzat që bëjnë para organeve të drejtësisë, sepse në të kundërtën, turpi dhe përgjegjësia do të jenë njëtrajtshëm me ata që kanë kryer krime të tilla.
“Unë jam munduar e po mundohem të qëndroj larg kësaj gjuhe për hir të interesit nacional. Tekefundit, te populli, shteti dhe Zoti secili do të marrë çdo ditë atë që meriton”, përfundon reagimin e tij ish-shefi i SHIK-ut.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është rikthyer kritikave dhe akuzave për SHIK-un, duke e cilësuar atë një organizatë kriminale të financuar nga struktura të dyshimta dhe jo llogaridhënëse. Ai ndër të tjera ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës është mbushur me anëtarë të SHIK-ut. 

Zbogar: BE po flet me zë më të fuqishëm për Kosovën

me liberalizimin e vizave, janë potencuar si top prioritetet e strukturave të Bashkimit Evropian të angazhuara në Kosovë. Përfaqësuesi i ri Special i BE-së, njëherësh edhe shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, diplomati slloven, Samuel Zbogar, ka thënë të hënën në mbrëmje se Kosova ka hyrë në fazën kyçe të marrëdhënieve të saj me BE-në.
Duke folur me rastin e pritjes vjetore të BE-së në Prishtinë, Zbogar ka thënë se vizita e fundit e Komisionares së BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, dhe fillimi i dialogut lidhur me vizat, ishin zhvillime pozitive.
“Ky është vetëm një manifestim i një tempoje pozitive të cilën duhet ta zhvillojnë më tej BE-ja dhe Kosova. Nga ana jonë, ndryshimet e prezencës së BE-së, të cilat kanë hyrë në fuqi me emërimin tim, janë vendimtare për thellimin e raporteve me Kosovën. Prania e BE-së tani është unifikuar në mënyrë efektive. Kjo mundëson që BE-ja të flet me një zë më të fuqishëm dhe më të qartë”, ka thënë Zbogar, edhe pse pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, ka thënë se misioni si një ndër organet kryesore të BE-së në Kosovë, punon ngushtë me Zyrën e Perfaqësuesit Special të BE-së dhe me institucionet e Kosovës. Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të zhvillojë dhe forcojë një sistem të pavarur dhe multietnik të drejtësisë, shërbime multietnike të policisë dhe të doganës.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se duhet bërë akoma më shumë për të arritur këtë objektivë në partneritet të ngushtë me autoritetet e Kosovës. Në emër të EULEX-it unë mund të ju garantoj përkushtim të plotë. Por përfundimisht, është tejet e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë”, ka thënë de Marnhac.
Duke përmbledhur çështjet kryesore për vitin 2012, De Marnhac dhe Zbogar theksuan gjithashtu mbështetjen për dialogun dhe për qasjen e pakushtëzuar dhe të përhershme në veri të Kosovës.
Veriu i Kosovës i qeverisur nga strukturat paralele serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe refuzon vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. Ndërkohë përgjegjësia kryesore për kaosin dhe krimin e organizuar që ushtrohet në këtë pjesë bie pikërisht mbi Bashkimin Evropian, gjegjësisht misionin e tij në Kosovë, EULEX. 

S’ka plan të ri për veriun!

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk ka kurrfarë plani special për veriun e vendit jashtë pakos së Ahtisaarit. Duke i quajtur vetëm fjalë njoftimet për një plan të ri për çështjen e veriut, ai ka theksuar se tash për tash nuk ka një plan tjetër alternativ.
“Ata të cilët nuk e kuptojnë këtë, mund t’u shpjegohet në detaje”, ka thënë ministri Rexhepi gjatë inaugurimit të Qendrës për Azilkërkuesit në fshatin Magure të Lipjanit, raporton Koha.
Kohën e fundit janë shpeshtuar thashethemet në media, sidomos ato serbe, se Prishtina dhe Beogradi do të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje politike për veriun e Kosovës. Madje është përmendur edhe mundësia e dhënies së statusit special, për çfarë janë dakorduar edhe disa prej të ashtuquajturve përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës.
Por, kryeministri Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, dhe as status special për veriun e Kosovës. Ai ka thënë se nëse do të takohej me presidentin e Serbisë, Boris Tadic, për çka ka shprehur gatishmëri, atëherë këtë do ta bënte vetëm për t’i kërkuar njohjen e Kosovës, dhe assesi për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës. 

Stefanovic: Topi është në anën e Prishtinës

Shumë shpejt pritet të caktohet data që do të shënojë vazhdimin e ‘bisedimeve teknike’ mes Kosovës”, ka thënë të hënën shefi i delegacionit serb, Branislav Stefanovic. Ai ka thënë se pret që bisedimet të vazhdojnë gjatë këtij muaji.
Temë e bisedimeve, siç njoftojnë mediat serbe, do të jetë edhe përfaqësimi rajonal i Kosovës.
Stefanovic po ashtu ka thënë se Serbia ka përgatitur disa propozime, dhe se, sipas tij, “topi është në anën e Prishtinës, e cila nuk është në situatë të këndshme kur duhet të pranojë propozime konkrete, nga Beogradi”.
Ai ka akuzuar Prishtinën siç ka thënë, si burim i jostablitetit për shkak të tentimit për vendosjen e autoritetit të saj në veri të Kosovës.

Apple fshin aplikacionet false

Apple ka njoftuar se i ka fshirë një numër të madh të aplikacioneve false të cilat kanë qenë të vendosura në dyqanin e saj virtual të aplikacioneve, e posaçërisht disa aplikacione nga një zhvillues i dyshimtë i quajtur Anton Sinelikov, i cili ka bërë kopje të aplikacioneve të famshme të cilat gjenden në platformën mobile të kompanisë.
Vetëm nga ky zhvillues, Apple ka thënë se i ka tërhequr më shumë se 9 aplikacione, të cilat përfshijnë kopjet si Temple Jump, Tiny Birds dhe Numbers, të cilat janë versione të dyfishuara të versioneve origjinale, si Temple Run, Tiny Wings apo Words with Friends.
Është interesante të dihet se Temple Jump, njëra ndër aplikacionet false të zhvilluesit rus ka kryesuar listën e aplikacioneve me pagesë në App Store, ndërsa tani e njëjta është tërhequr nga Apple.

Robben, baba për të tretën herë

Futbollisti i Bayern Munichut, Arjen Robben, ka një arsye shtesë në jetën private për t’u ndjerë i lumtur.
Holandezi në orët e hershme të ditës së hënë është bërë baba për të tretën herë, ndërsa gruaja e tij ka lindur djalë.
Në një komunikatë për media thuhet se nëna dhe djali janë për mrekulli sa i përket aspektit shëndetësor.
Robben dhe gruaja e tij Bernadien kanë djalin Luke, vajzën Lynn dhe tash djalin të cilin e kanë pagëzuar Kai.

Ibra suspendohet për tri ndeshje

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është suspenduar për tri ndeshje, për shkak të sjelljes josportive në ndeshjen ndaj Napolit.
Sulmuesi suedez e goditi Salvatore Aronican në takimin e të dielës, me ç’rast u përjashtua me karton të kuq.
Të hënën paneli disiplinor i Lega Calcio mori vendim që ta dënojë atë me tri ndeshje moslojë.
Kjo do të thotë se ai do të mungojë ndaj Udineses, Cesenas dhe Juventusit.

Lippi: Villas-Boas i shqetësuar nga Napoli

Ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë, Marcello Lippi, ka pohuar se trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, është i shqetësuar për përballjet ndaj Napolit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Duhet krenuar me Napolin që po zhvillohet vit pas viti. Gjysma e Evropës ia ka frikën këtij klubi”.
“Së fundmi e takova Villas-Boas dhe e pash se ai është i shqetësuar”, ka thënë Lippi Radio Kiss Kiss Napoli.

Barca pret rrëshqitjen e Realit

Javier Mascherano ka deklaruar se Barcelona do të rikthehet në garën për titull, porsa Real Madridi të lëshojë pikë.
Blaugranët gjenden shtatët pikë prapa Los Blancos në tabelën e La Ligas, kur kanë mbetur edhe 17 xhiro për t’u luajtur.
“Është e qartë se kjo është një diferencë e madhe, por ne do të luftojmë deri në fund”.
“Një barazim për Madridin do të na kthente në garën për titull nëse ne i fitojmë ndeshjet tona”, ka deklaruar argjentinasi.

Balotelli: Mund ta fitoj Topin e Artë

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, mendon se ai mund ta fitojë Topin e Artë.
Edhe pse ai pranon se së pari duhet që ylli i Barcelonës, Lionel Messi, të dalë nga forma e tij para se italiani ta ngrejë trofeun.
“Mendoj se mund ta fitoj Topin e Artë... Por Messi duhet ta ulë nivelin e tij të lojës ose nuk mund ta bëj këtë”, ka qeshur Balotelli. 

Berisha: Ekonomia po përballon krizën

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha iu referua ekonomisë. Ai tha se edhe ne kushtet e krizës, Shqipëria ka mundur te shënojë rritje, si dhe te garantoje rritjen e pagave dhe pensioneve, transmeton TCH.
"Në qoftë se ju do të lexoni për krizën e katër viteve të fundit do të gjeni se kjo është e vetmja ekonomi në Europë që në 4 vitet e fundit të marra së bashku ka patur 18 për qind rritje ekonomike dhe kjo rritje ekonomike është e certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në 4 vite të marra së bashku, kjo ekonomi ka bërë të mundur në katër vjet të dyfishohen rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, ndërkohë që në vendet e tjera, shkurtimi i rrogave ka qenë nga 25 në 40 për qind. Kjo ekonomi ka bërë që tre vitet e fundit të ketë mesatare 1 miliard dollarë investime. Kjo ekonomi është e vetmja ekonomi që krijoi dhe në kulmin e krizës vende të reja pune", tha Berisha.
Moti i keq dhe temperaturat e ulëta, që kanë mbërthyer vendin prej ditësh, kanë bërë që kryeministri Sali Berisha në fillim të mbledhjes së grupit kuvendor demokrat të theksojë, se qeveria do të bëjë maksimumin për të ndihmuar njerëzit e bllokuar nga bora dhe se pavarësisht çmimit të kripur, importi i energjisë do të vijojë.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ajo të mos mungojë për shkak të furnizimit. Ne do ta blejmë ata sa kohë do ta gjemë në mënyrë që vendi të mos vuajë mungesën e saj. Në çdo rrethanë do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit sepse mundësitë e tjera janë ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut apo borës në zonën verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike të tyre”, tha Berisha.
Duke folur edhe për Konferencën e Mynihut, në të cilën mori pjesë, Berisha theksoi se është biseduar mbi projektin transadriatik që kalon në territorin e Shqipërisë që sjell 1 miliard euro investime.
"Ekonomia shqiptare, në raport me atë globale është e vogël, por që në mënyrën më të shkëlqyer ia doli t'i shpëtojë krizës", tha Berisha. 

Sindikatat greke të martën në grevë

Dy sindikatat më të mëdha publike dhe private në Greqi kanë bërë thirrje për një grevë 24 orëshe për të martën për të kundërshtuar masat e ashpra të kursimit, që kanë për qëllim shpëtimin e Greqisë nga kriza e borxheve.
Sindikalistët kanë thënë se shkurtimet e reja të propozuara nënkuptojnë ”intensifikimin e një rrethi vicioz të recesionit dhe çuarjen e shoqërisë greke në depresion”.
Greva është paralajmëruar ndërsa liderët e partive në koalicionin qeverisës në Greqi kanë rinisur bisedimet të hënën mbi pakon e re të masave të kursimit, që i kërkohet Greqisë në këmbim të marrjes së pakos tjetër të shpëtimit nga Perëndimi.
Marrëveshja e re për pakon e shpëtimit është vitale për Greqinë, për të shmangur deklarimin e falimentimit në muajin mars. 

Isa për ekonomi të tregut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa tha të hënë se partia të cilën e drejton ai e përkrahim ekonominë e tregut, të bazuar në konkurrencë. Sipas tij, për privatizimin Trepçës duhet të bëhen analiza të thella.
Mustafa konfirmoj se LDK-ja përkrah edhe privatizimin e kompanive publike dhe të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat sipas tij, “u abuzuan në mënyrë të paparë gjatë periudhës së pasluftës nga individë, grupe interesi me veprimtari të paqartë”.
“LDK kërkon që privatizimi të jetë një proces transparent ndaj publikut”, tha Mustafa duke shtuar se sektori i energjisë ka nevojë për tu privatizuar pasi sipas tij me këtë do të sigurohet energjie mjaftueshme.
“Ne jemi kundër privatizimit të pasurive të Trepçës pa një studim të thellë, pa mendimin e institucioneve më relevante të vendit, përfshirë edhe ASHAK-në dhe pa vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha kryetari Isa Mustafa. 

Ministria e Bujqësisë, toka bujqësore ka pjellorinë më të madhe në rajon

Raporti i projektit “EULUP” i Komisionit Evropian, i cili përkrah Ministrinë e Bujqësisë përmes implementimit të projektit “Mbështetje e mëtutjeshme në shfrytëzimin e tokës”, me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë ka bërë edhe hulumtimin e përbërjes së tokave bujqësore me metale përreth zonave ku janë të përqendruara më shumë aktivitetet e industrisë së mineraleve.
Në bazë të 1000 mostrave të marra nga tokat bujqësore në këto zona, sipas ekspertit ndërkombëtar Wolfgang Spyra, pas biotesteve vetëm rreth 12 për qind kanë rezultuar me efekte negative në rritjen e bimës brassica sedativum në biotest (kjo bimë njihet si bima më e ndjeshme ndaj metaleve). Përndryshe, konstatimet e nxjerra rreth përqendrimit të metaleve në toka bujqësore i referohen vetëm vendeve ku janë marrë mostrat, përkatësisht përreth zonave ku ndërmarrje të ndryshme nxjerrin minerale dhe jo të gjitha tokave të punueshme.
“Rezultatet e këtij raporti janë preliminare dhe askund nuk konkludohet se produktet bujqësore janë të rrezikshme, por rekomandohet të bëhen hulumtimet rreth ndotësve të mundshëm në produkte bujqësore që kultivohen afër këtyre zonave”, thuhet në reagimin Ministrisë së Bujqësisë.
Hulumtime të tilla janë bërë në shumicën e vendeve të rajonit dhe në disa prej këtyre vendeve, veçanërisht në Serbi dhe Kroaci, rezultatet e këtyre hulumtimeve kanë rezultuar se sasia e metaleve të rënda në tokat bujqësore është shumë më e lartë se sasia e metaleve që tani për tani supozohet se ekziston në këto zona të Kosovës.
Raporti është dorëzuar javën e kaluar nga implementuesit e këtij projekti dhe në një takim të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencionit të Veterinës dhe Ushqimit dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, është vendosur që të krijohet një komitet ndërministror, i cili do t’i drejtoj hulumtimet e mëtutjeshme dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural apelon tek të gjitha mediumet që mos të përhapin panik në opinion duke iu referuar një raporti me konstatime që nuk kanë bazë shkencore, sepse toka bujqësore në Kosovë është një prej tokave me pjellorinë më të lartë në gadishullin ballkanik dhe rreth 80 për qind e saj është e klasës 1-4, e cila njihet për bonitet shumë të lartë, që do të thotë se toka e jonë bujqësore ka kapacitete të mbajtjes së ndotësve dhe nuk e lejojnë bartjen e tyre në zinxhirin ushqimor”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë.

FSK vazhdon zhbllokimin e rrugëve nga bora

Në përgjigje të kërkesave të komunave të Kosovës për hapjen e rrugëve dhe zhbllokimin e vendbanimeve nga bora e madhe që ka rënë këtyre ditëve, edhe sot janë vënë në dispozicion njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja, me kapacitetet të saja ekzistuese, ka angazhuar Njësinë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave, Policinë e Forcës, Njësinë e Kërkim Shpëtimit dhe Batalionin e Xhenios, me personel dhe makineri adekuate.
Këto njësi janë angazhuar në hapjen e rrugëve fillimisht në fshatin Gmicë, Komuna e Podujevës, në Rajonin e Shalës të Komunës së Lypjanit, në Komunën e Pejës, si edhe aksioni për evakuimin e nxënësve të bllokuar në pushimoren dimërore në Brezovicë.
Evakuimi i nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” nga qendra dimërore në Brezovicë, u krye gjatë vikendit, ditën e diel, dhe se për këtë aksion u angazhuan pjesëtar të tri njësive të FSK-së, NJNRK, Policisë së Forcës si edhe Kërkim Shpëtimit.
Njësitet e FSK-së janë në gatishmëri të plotë që tu dalin në ndihmë qytetarëve të Kosovës, dhe Komanda e Forcave Tokësore ka mare të gjitha masat e gatishmërisë, që të jetë në dispozicion të institucioneve dhe qytetarëve për përballimin sa më të lehtë të kësaj situate të shkaktuar nga të reshurat e dëborës ditëve të fundit.

‘Ditari’ i Agim Zogajt është shkruar nga katër persona!

Procesi gjyqësor në rastin Kleçka pasi ishte ndërprerë për një javë, ka vazhduar të hënën. Avokati i deputeti Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se gjatë javës së kaluar pala mbrojtëse ka angazhuar një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar dorëshkrimet e ditarit ‘X’, Agim Zogaj.
“Sot e kemi deponuar ekspertizën e këtij eksperti nga e cila rezulton se ditari të cilin prokurori e ka në gjykatë dhe mbi bazën e të cilit e ka ndërtuar edhe gjithë aktakuzën, ai ditar është shkruar në të paktën nga katër duar. Do të thotë nga katër persona të ndryshëm”, tha Rrecaj për REL.
Avokati Rrecaj theksoi se procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Sipas tij “pala mbrojtëse ka insistuar me ngulm që prokurori i rastit Mauricio Salustro të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit dhe të dëshmojë lidhur me akuzat shumë serioze të ngritur nga Agim Zogaj dhe bashkëshortja e tij”.
Procesi ende është në fazën e diskutimeve dhe të dëgjimit të palës mbrojtëse lidhur me ftesën që prokurori Salustro të jetë dëshmitar.
Pas të enjtes do të vazhdohet me diskutime për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e deklaratave të Agim Zogajt, i cili muaj më parë bëri vetëverasje në Gjermani.
Procedura e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka" - ka nisur më 30 janar.

Partitë me shërbime sekrete

Debati për shërbimet e fshehta informative ka nxitur konfrontime të mëdha në Kuvendin e Kosovës, në mes të deputeteve të partisë politike në pushtet, PDK-së, dhe asaj në opozitë – Lëvizjes Vetëvendosje.
Zyrtarët e kësaj të fundit thonë se SHIK-u, si shërbim informativ i afërt me PDK-në, ende është duke funksionuar.
“Edhe një herë rikonfirmoj që SHIK-u është aktiv”, ka thënë “Radio Evropa e Lirë”, deputeti i këtij subjekti, Rexhep Selimi.
Mirëpo, këto deklarata i ka hedhur poshtë shefi i Grupi Parlamentar të PDK-së, Adem Grabofci.
“Shërbimi Informativ ka një datë të veprimit të vet dhe ka datën e përfundimit. Do të thotë, janë deklaratat kur ka filluar së vepruari dhe kur ka deklaruar se ka përmbyllur veprimtarinë”, theksoi Grabofci.
Në qershor të vitit 2008, shefi i këtij shërbimi, Kadri Veseli, kishe shpallur përfundimin e aktiviteteve të këtij mekanizmi. Shuarja zyrtare e SHIK-ut ishte parë edhe nga ndërkombëtarët si një kusht i domosdoshëm për t’i lëshuar vendin strukturës së re - Agjencisë Kosovare e Inteligjencës.
Ditë më parë, deputeti Bekim Haxhiu, publikisht kishte deklaruar se Albin Kurti duhet të japë sqarime deri më 9 shkurt për disa takime me serbë dhe për korrespodenca me vajzën e një ish-ministri të Slobodan Milloshevicit.
“Qeveria dhe SHIK-u kanë nxjerrë sërish edhe agjentët në skenë për të bërë presione e shantazhe ndaj qytetareve dhe personaliteteve.. Ne kemi një mesazh për Qeverinë dhe për SHIK-un, të cilët po bashkëjetojnë në pushtetin me vota të grabitura: Nëse mendoni se mund t’i bëni dikujt presion e ta shantazhoni me afatizime, e keni gabim.. Nëse doni ta mbani pushtetin dhe ta ndërroni me njëri-tjetrin postin kryeministrit, prapë e keni gabim - tashmë është tepër vonë për ju”, ishte reagimi i Selimit në njërën nga seancat e Kuvendit.
Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se përveç Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, struktura tjera të sigurisë dhe inteligjencës janë ilegale dhe kriminale.
“Këto debate janë dëshmi e fuqishme se shërbimet e tilla nuk kanë përfunduar, pra nuk janë shuar... I bëj thirrje prokurorisë që të merret me këto raste, sepse tutje po e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit”, u shpreh Ramadani.
Aktualisht, në Kosovë, i vetmi institucion legal i shërbimit informativ është AKI-ja. Kushtetuta e Kosovës parasheh që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë të zbulojë, hetojë dhe mbikëqyrë kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës.

Mustafa: Kosova po qeveriset keq

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova po qeveriset keq nga qeveria aktuale, e prirë nga PDK-ja.
“Ne jemi dëshmitarë të një gjendjeje shumë të rëndë ekonomike, me papunësi të madhe, me varfëri të lartë e problemeve të mëdha në fushën e funksionimit të shtetit ligjor”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.
Sipas tij, gjendja në veri të Kosovës vijon të jetë shumë e rëndë, ndërsa qeveria dhe institucionet përkatëse thuajse kanë harruar se ekziston ky problem.
“Në anën tjetër, qeveria ka vijuar, pa asnjë platformë dhe pa agjendë, madje pa listë temash dhe pa rend dite, takimet dhe bisedimet me Serbinë për çështje shumë të ndjeshme, që prekin Kushtetutën dhe sovranitetin e pranuar ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit Qeveria, nëpërmjet Grupit parlamentar dhe deputetëve të caktuar të PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës sajon tema bizare, “me të cilat dëshiron të tërheq vëmendjen nga problemet reale”.
“Gjatë ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë shantazhesh të hapura nga njerëz të SHIK-ut brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Për infiltrimet e tilla të SHIK-ut, LDK-ja ka tërhequr vërejtjen disa herë gjatë viteve të fundit. Për ne është e papranueshme që SHIK-u të kontrollojë institucionet, që të shantazhojë deputetët dhe të tjerët”.
Për LDK-në, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen brenda institucioneve të vendit, ndërsa Rezolutën për përfundimin e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur të vendit.
“Demokracia, ashtu si e koncepton LDK-ja, nuk arrihet përmes mbylljes apo bllokimit të kufijve me fqinjët, por përmes hapjes së tyre”, ka thënë Mustafa, për të shtuar se demokracia nuk arrihet as përmes rrahjes dhe torturimit të deputetëve dhe të qytetarëve.
“LDK-ja perspektivën demokratike të këtij vendi nuk e sheh në zënka të brendshme dhe në manifestime mediatike. Perspektivën e vendit do ta sigurojmë nëse të gjithë ne punojmë për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, për arsimimin cilësor të brezit të ri dhe për funksionim të ligjit”.

Samsung do të ju liroj nga Apple?

Reklama e re për Galaxy Note të cilën Samsung e lansoi gjatë vikendit në Amerikë, ka mjaftë pika të përbashkëta me atë për Galaxy S II.
Njerëzit presin në radhë për të blerë iPajisjen e tyre, ndërsa pranë tyre kalon dikush që përdorë Samsung, në këtë rast Note, dhe ata konvertohen.
Mirëpo, në vend të kleçkave qesharake, të cilat ishin karakteristikë për reklamën e SGS 2, kësaj here “shfrytëzuesit e burgosur të Apple” me një fjalë, thyejnë, kufizimet dhe ikin drejt Samsungut, një ri nga ta madje duke bërtitur: “Liri!”.
Reklamën mund ta shikoni në vazhdim, e ne shpresojmë që ju në komente do të shprehni mendimin tuaj. 

Zbulimi që ndryshoi konceptin mbi shumë sëmundje

Ka kaluar 50 vjet që kur u publikua qëndrimi shkencor mbi arsyet e vdekjes së njeriut. Njeriu vdes shumë më herët se sa duhet të ishte kohëzgjatja e jetës së tij bazuar në kodin gjenetik të jetëgjatësisë.
Në lidhje me këtë ka mendime të autoriteteve mjekësore që thonë se çdo vdekje para moshës 150 vjeçe, është vdekje e dhunshme. Kjo do të thotë se shkaktarë të plakjes së parakohshme janë dëmtimet oksidative në nivel të qelizave të organizmit tonë, si pasojë e veprimit dëmtues të radikalëve të lira.
Sot kemi listën e 50 sëmundjeve të ndryshme që paraqiten si pasojë e veprimit të radikalëve të lira, ndërsa parashikohet që ky numër i sëmundjeve të rritet në mbi 80.

Katër tipa burrash

Dakord, burrat ndryshojnë. Po i juaji, si dhe pse ka ndryshuar? Për t'u njohur me problemet dhe zgjidhjet përkatëse dhe për të ditur se si sillet në shtrat partneri juaj, bëni testin e mëposhtëm.
I hutuar
Ky njeri përgjithësisht ka natyrë filozofike, pa iu dridhur qerpiku dhe pa gabuar asnjë çast. Shfaq një interes dhe kureshtje të pandërprerë për çdo gjë që ndodh rreth tij. Është përherë në ekuilibër, me të mirën dhe të keqen, me egërsinë e pavullnetshme dhe ëmbëlsinë e qëllimshme. Lëkundet midis varësisë dhe pavarësisë, nevojës për ndihmë dhe aftësisë për t'iu gjendur pranë të tjerëve.
Poet
Natyra poetike zgjon gjithmonë gruan që fle brenda njeriut. Kështu ndodh edhe me burrat që i përshtaten këtij tipi. Fjalët u dalin nga zemra dhe ngjallin gjithmonë shpresë. Frymëzimi i tij shërben për të zgjedhur rrugën e duhur në jetë. Pëlqen luksin dhe u kushton rëndësi gjërave të vogla që mbushin përditshmërinë e tij.
Spiritual
Beson shumë te të tjerët dhe është jashtëzakonisht i lidhur dhe njëkohësisht i varur prej ndjeshmërisë, emocionit, komunikimit. Për të janë të shenjta të gjitha ato parime që duhen respektuar për të jetuar në paqe.
I shpërqendruar
Beson shumë te shfaqja dhe asnjëherë nuk i kushton rëndësi përmbajtjes, thelbit të gjërave. Ai nuk beson në ekzistencën e një të vërtete unike, të vetme. Është regjisori i vetëm i jetës së tij dhe i ndryshon kostumet e personazheve që luajnë në të sipas humorit. Për të gjithçka shndërrohet në pretekst për të shijuar vrullshëm jetën.

Teuta: Nuk jam shtatzënë

Në shtator të vitit të kaluar, këngëtarja e njohur Teuta Kurti i dha fund beqarisë duke u martuar me të fejuarin e saj, Dardan Luta.
Këto ditë ishte përfolur se ajo është duke pritur fëmijën e saj të parë, por këngëtarja ka demantuar menjëherë një gjë të tillë.
‘’Po flitet dhe kam marrë pyetje nga gazetarë të ndryshëm në lidhje që jam shtatzënë, edhe përkundër përgjigjes sime negative, prapë kanë shkruar se po. Por prapë e demantoj, nuk jam shtatzënë,”, ka thënë Teuta për mediat shqiptare.

Dalglish: Suarez na bën më të fuqishëm

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, mendon se Luis Suarez do të jetë më i fuqishëm pas rikthimit nga suspendimi.
Uruguaiani, i cili ndeshjen e fundit e ka luajtur para Vitit të Ri, është rikthyer në skuadër pas përjashtimit si rezultat i shpalljes fajtor për abuzim racor ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.
“Mendoj se ju mësoni diçka secilën herë kur shkoni në shtrat, qoftë për mirë, keq ose indiferente”.
“Ne jemi të kënaqur që ai po rikthehet, por ne nuk do shkojmë në gjëra të kaluara. Ne jemi shumë më të fuqishëm si ekip dhe si klub me Luis në formë të mirë dhe të gatshëm për lojë”, ka thënë Dalglish.

Bobby Charlton: Barca superiore ndaj Realit

Legjenda e Manchester United, Sir Bobby Charlton, e vlerëson Barcelonën si superiore ndaj Realit të Madridit.
“Trajneri i Real Madridit (Jose Mourinho) dhe Real Madridi udhëheqin në Ligën spanjolle, por ata nuk janë aq bindës”.
“Ata mund të kenë më shumë pikë se Barcelona, por Barca, mbi të gjitha, është skuadra e cila duhet mposhtur nëse dëshironi të jeni më i miri”, ka thënë Charlton për Catalunya Ràdio.

Neymar: Ronaldo, idhulli im

Ylli i Santos, Neymar, thotë se Cristiano Ronaldo është idhulli i tij.
Neymar dhe Ronaldo janë lindur në të njëjtën ditë – 5 shkurt, dhe braziliani ka shfrytëzuar profilin e tij në Twitter për të uruar kolegun e tij.
“Para ndeshjes doja ta uroj yllin dhe idhullin, Cristiano Ronaldo. Çfarë nderi të lindem në të njëjtën ditë”, ka shkruar Neymar para ndeshjes me Fluminense.