Duke ju kundërpërgjigjur zërave se presidentja mund ta ushtrojë mandatin e saj deri në fund të mandatit, kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se kjo punë është rregulluar qartë në ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës.
Në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, Bajrami ka thënë se pothuajse i kanë përfunduar punët për ndryshimet kushtetuese, ndërsa askush nuk mund t’i fajësojë për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas marrëveshjes ndërmjet tre liderëve politikë, zgjedhjet presidenciale do të mbahen këtë vit, menjëherë pasi të përfundojnë ndryshimet kushtetuese. Por, ka pasur zëra që kanë pretenduar se Jahjaga nuk mund të detyrohet të largohet, pasi që ka mandat pesëvjeçar.
Ndërkohë, Bajrami ka thënë se Komisioni për ndryshime kushtetuese pritet që deri në fillim të korrikut t’i dorëzojë Kuvendit të Kosovës 22 ligje për miratim në lexim të parë, të cilat parashohin përmbylljen ndërkombëtare të pavarësisë.