Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me tre vjet burgim nga gjykatësit e EULEX-it për kryerjen e veprës penale të posedimit të paligjshëm të armës, tani akuzohet nga një qytetar për një mori krimesh të tjera.
Besnik Lajqi, burri i motrës së Xhabir Zharkut, i cili jeton në Danimarkë, ka ngritur kallëzim penal në EULEX duke u bazuar në vepra penale që i ka kryer Xhabir Zharku, raporton Indeksonline.
Lajqi e denoncon Xhabir Zharkun për këto akuza: vepra penale kundër të drejtës ndërkombëtare, vepra penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe të pasurisë, vepra penale kundër martesës dhe familjes, krime kundër njerëzimit, përgjegjësia e komandës dhe terrorizëm.
Mirëpo, këto akuza i ka hedhur poshtë Xhabir Zharku, sipas të cilit kjo është hakmarrje për arsye familjare.
“Këto janë shpifje banale, përralla të mbretit. Z .Lajqi e ka bërë këtë për arsye personale, për t’u hakmarrë për shkaqe familjare” ka thënë Zharku, për të shtuar se EULEX-i ende nuk e ka kontaktuar në lidhje me këto akuza.
Padia që është bërë nga Besnik Lajqi, është pranuar nga EULEX-i
“Prokuroria i ka kthyer përgjigje z. Lajqi ku e ka informuar atë se dokumentet e paraqitura janë përcjellë në zyrën e duhur. Z. Lajqi do të kontaktohet nëse ka nevojë për informata apo sqarime shtesë”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.