Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mandat shtesë Komisionit ad hoc për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme do të fillojë të zgjidhet ngërçi i reformës zgjedhore.
Menjëherë pas marrjes së mandatit shtesë, kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, ka thënë për “Epokën e re” se qysh këtë të mërkurë do të organizohet një drekë pune me liderët e partive politike dhe me shefat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë për të diskutuar rreth çështjeve të sistemit zgjedhor për të cilat partitë politike deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus.
Sipas tij, temë diskutimi në takimin e parë të liderëve për reformë zgjedhore do të jenë: numri i zonave zgjedhore, listat e hapura apo të mbyllura, numri i kandidatëve që do të votohen, sistemi i shpërndarjes së ulëseve në parlament dhe pragu zgjedhor.
“Qysh tani kemi filluar me veprimet e para, ku të mërkurën do ta kemi një drekë pune, në të cilën janë të ftuar shefat e partive politike, me përjashtim të 6 plusit, ku e kemi ftuar shefin e këtij grupi parlamentar. Po ashtu, kemi ftuar përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë qenë pjesë e Grupit Punues Zgjedhor. Sipas informatave që kemi, do të vijnë vetë shefat e këtyre misioneve. Pra, do të jetë shefi i ICO-s, ai i Komisionit Evropian dhe shefi i OSBE-së”, ka bërë me dije Demolli.