Serbët nga veriu s’duan dialog me Prishtinën

I ashtuquajturi sekretari për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se vetëm nëpërmjet dialogut mund të arrihen marrëveshjen konkrete mbi statusin e Kosovës dhe të veriut të Kosovës!

"Prishtina është e vetëdijshme se nuk mund të ndikojë në sovranitetin e pjesës në veri. Nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare ka nisur një plan të ri, por ajo duhet të jetë e vetëdijshme se çfarëdo plani që ofron, madje edhe më të mirin, më idealin, serbët dhe Serbia atë nuk do ta pranojnë”, ka thënë ai për Beta, duke komentuar paralajmërimet se Qeveria e Kosovës në shtator do ta ofrojë planin për dialog për veriun, përmes të cilit kjo pjesë do të integrohet në sistemin kushtetues dhe juridik të vendit, ndërsa realizimi do të bëhet me përfaqësuesit e serbëve në veri.
Sipas Ivanovicit, ky plan do të jetë i papranueshëm përderisa nuk ka marrëveshje konkrete për “statusin e Kosovës”. Ai thotë se Prishtina në vend se të përgatit për bisedime, përgatitet për zgjidhje!
Nënkryetar i të ashtuquajturës Kuvend i Komunave të Kosovës, Marko Jaksic, ka thënë se serbët nuk mund ta zgjidhin statusin në veri e as në jug përmes dialogut të ndarë, por se ato duhet të bëhen në kuadër të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
"Të vetmet bisedime reale janë ato që i ofron Rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe vetëm në bazë zë saj mund të gjendet statusi i Kosovës, e jo statusi i serbëve në veri”, ka thënë Jaksic, i cili kërkon që bisedimet Prishtinë-Beograd të bëhen në OKB, e jo në Bruksel “ku janë dëmtuar interesat e serbëve”.
Jaksic shton se për dialog për integrimin e veriut Prishtina për bashkëbisedues mund t’i gjejë vetëm serbët që për para, karrierë apo diçka të ngjashme bëjnë gjithçka.
"Përfaqësues të vërtetë të serbëve nuk do të gjejnë", tha ai, duke shtruar pyetjen nëse serbët që zgjedhë Prishtina do të jenë në gjendje t’i implementojnë marrëveshjet.