Për shkak të Kosovës, Austria në Samitin e NATO-s

Kancelari austriak, Werner Faymann, do ta përfaqësoj javën e ardhshme Austrinë në Samitin e NATO-s në Çikago, për shkak të pjesëmarrjes së trupave të saj në misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Austria është ftuar në Samit si një prej 13 vendeve partnere, që nuk janë anëtare të aleancës ushtarake veriperëndimore.
Fakti se Austria është ftuar mbi të gjitha nga pala amerikane në këtë takim, në mesin e diplomatëve kjo cilësohet si njohje e veçantë për angazhimin e trupave austriake në misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe në Bosnje, shkruajnë ditoret vjeneze.
Nga zyra e kancelarit Fymann është konfirmuar se ai do të udhëtojë në SHBA dhe se është planifikuar edhe takimi i tij me presidenti amerikan Barack Obama.
Austria është lutur nga SHBA-të që të marrë pjesë në nivelin e lartë, për çka edhe kancelari ka pranuar të udhëtojë në Samit. Në Çikago ai do të jetë i shoqëruar nga ministri e Mbrojtjes Norbert Darabos dhe sekretari shtetëror në Ministrisë së Jashtme, Wolfgang Waldner
Me rastin e pjesëmarrjes austriake në Samitin e NATO-s, Darabos ka thënë se në rend dite nuk është anëtarësimi i Austrisë në këtë aleancë ushtarake.
“Austria po punon në krijimin e një arkitekture të sigurisë evropiane, ndërsa me NATO-n ekziston një bashkëpunim të mirë”, tha ai për ditoren Kurier. "Ne jemi partnerë e jo anëtarë. SHBA-të e vlerësojnë angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht në Kosovë”.
Shtypi austriak shton se zyrtarët austriakë në Samit do të propozojnë vënien në dispozicion të parave, në vend të dërgimit të ushtarëve në Afganistan. Temë tjetër do të jetë tërheqja e trupave të NATO-s deri në vitin 2014. Në këtë drejtim, SHBA-të ka kohë që kanë nisur kërkimet për mjetet financiare për kohën pas tërheqjes.
Pra, kërkesa i është bërë dhe Austrisë, që aktualisht merr pjesë në këtë mision ndërkombëtar me vetëm tre oficerë. Në vend të kësaj, Austria tani dëshiron të ndajë paratë, ndërsa flitet “për shumë të lartë milionëshe”. Austria dëshiron që ato para t’i vë në dispozicion për promovimin e gjendjes së grave, në sektorët joqeveritarë dhe në trajnimin e policisë në Afganistan