Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk e njeh si institucion Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Për të, ende ekziston AKM-ja e UNMIK-ut dhe nuk e merr si obligues për zbatim ligjin e Kuvendit të Kosovës. Këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e themeluar për të trajtuar kontestet e privatizimit në Kosovë, nuk e njeh Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Për këtë organ të drejtësisë, ende është e vlefshme Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e krijuar nga UNMIK-u. Kështu vlerëson Gjykata Kushtetuese e Kosovës në përgjigjen e datës 10 maj ndaj AKP-së, e cila kishte kërkuar sqarime nëse Dhoma e Posaçme ka shkelur ligjin në rastin e ndërmarrjes Jugoterm në Gjilan, shkruan Express.
Ky organ i drejtësisë ka marrë dy vendime të ndryshme për të njëjtën çështje. Në vitin 2007, kishte pranuar si të bazuara faktet e AKP-së për shkelje në procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje dhe kishte urdhëruar përsëritjen e tenderit, ndërsa po e njëjta në vitin 2008 kishte obliguar AKP-në ta vazhdojë procesin me blerësin e parë.
Rasti i kësaj ndërmarrjeje ka nxjerrë në pah mosnjohjen e statusit ligjor të AKP-së nga Dhoma e Posaçme, vendimet e së cilës Kushtetuesja i ka vlerësuar si të drejta.