Policia dhe KFOR-i shtojnë praninë në veri

Ushtarët e KFOR-it dhe ata të Policisë së Kosovës kanë shtuar praninë e tyre në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës te “Tre rrokaqiejt”, ku një javë më parë, në një sulm terrorist, u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën katër anëtarët e familjes së tij.

Sipas mediumeve serbe, prania e shtuar vërehet që nga dita e shtunë. KFOR-i ka stacionuar tre xhipa ushtarakë me ushtarë portugezë, ndërsa vazhdimisht patrullojnë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, transmeton Koha.net
Hetimin për rastin e aktit terrorist të kryer me eksploziv plastik po e udhëheqin Policia e Kosovës dhe EULEX-i, mirëpo deri tash, pos informatës për shfrytëzimin e eksplozivit plastik, nuk kumtohen hollësi të tjera të hetimeve rreth këtij rasti.