Shëndetësia nisi “luftën” kundër rriqrave!

Ndonëse sezoni pranveror në Kosovë karakterizohet me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat, këtë vit, për shkak të motit të freskët, situata ka qenë më e qetë. Megjithatë, autoritetet vendore kanë nisur të ndërmarrin masat adekuate për mbrojtjen e qytetarëve...

Ministria e Shëndetësisë, përmes Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Klinikës Infektive të QKUK-së, i ka bërë përgatitjet për t’u përballuar në rast se do të ketë shfaqje të rriqrave edhe gjatë këtij sezoni.
Drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë për Kosovapress se ky Institut, sikurse viteve të kaluara, ka filluar para përgatitjet për parandalimin e etheve hemorragjike “krime kongo”, pasi që vitet e kaluara nga kjo sëmundje ka pasur edhe viktima.
Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK, ka thënë se klinika që ai drejton ka kapacitet të plotë për t’u dal në ndihmë të gjithë atyre pacientëve që kanë nevojë për shërbime mjekësore, duke mos përjashtuar edhe ato nga pickimi i rriqrave, gjarpërinjve, si dhe helmimeve të ndryshme.
Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë , ka thënë se edhe Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarr masat e duhura për ta përballuar këtë situatë me sukses. Ai ka shtuar se MSH me mjete materiale u ka dal në ndihmë komunave të cilat janë më të rrezikuara nga pickimi i rriqrave.
Zonat më të rrezikuara nga rriqrat kanë qenë Malisheva, Suhareka, Klina, Rahoveci, Skenderaj dhe Drenasi. Sipas mjekëve, vitin e kaluar nga pickimi i rriqrave janë trajtuar 5 pacientë, ndërsa viktima nuk ka pasur. Megjithatë, mjekët konsiderojnë se këto sëmundje janë treguar të rrezikshme, sepse kanë një vdekshmëri të lartë, prej 30 deri në 50 për qind të rasteve.
Ethet hemorragjike janë sëmundje të kahmotshme në vendin tonë dhe kanë filluar të paraqiten sidomos nga viti 1986, qoftë në forma sporadike apo me shpërthime epidemike. Pas vitit 1986 epidemitë e këtyre sëmundjeve janë paraqitur pastaj me 1989, 1995, 2001, 2004, 2005, si dhe në vitet e fundit.
Në Kosovë janë të pranishme më shumë ethet hemorragjike me sindrom veshkor – që populli e njeh si ethe të minjve - dhe ethet hemorragjike krime kongo - ose ethet e rriqrave.