VV: Fushë Kosova me kryetar të shtrenjtë

Lëvizja Vetëvendosje e Fushë Kosovës ndërmori sot aksionin "Ky kryetar po i kushton shume shtrenjtë komunës tone!". Aksioni u zhvillua me vendosjen e posterëve ku pasqyrohen të dhënat e shpenzimeve nga zyra e Kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha dhe administrata e tij.

“Në analizën tonë që i kemi bërë raportit të shpenzimeve buxhetore të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2011, kemi parë të përkthyer në shifra, atë që e vërenim çdo ditë me sytë tanë - shpërdorimin enorm të parasë publike nga kryetari dhe administrata e komunës sonë. Në këtë komunë, shpenzimet për mëditje, karburante, udhëtime jashtë vendit (ekskursione kryesisht), dreka e darka “zyrtare”, biseda telefonike arrijnë vlerën e 228,617.59 eurove”, thuhet në momunikatën e VV- së.
Sipas Vetëvendosjes, këto janë shpenzime të panevojshme dhe mundësi e humbur për realizimin e shumë projekteve për të cilat ka nevojë komuna e Fushë Kosovës.
"Zyra e Kryetarit të Komunës për vitin e kaluar kishte të ndarë një buxhet prej 84,128.36 euro, prej të cilave 59,411.68 euro janë përdorur për paga dhe mëditje, që do të thotë se paga mujore në total e kësaj zyre ka qenë 4,950.97 euro. Kjo zyrë për dreka zyrtare ka shpenzuar 5,864 euro, dhe për ushqim dhe pije 1,675 euro, që në total bëjnë 7,339 euro, apo 30 euro për një ditë pune", thuhet pos tjerash në komunikatën për media të Vetëvendosjes.
“Këta njerëz dinë të udhëtojnë, dinë të hanë, dinë të flasin në telefon me të hollat e buxhetit të komunës sonë, që është mundi dhe djersa e taksapaguesve, por nuk duan t’ia dinë për hallet e qytetarëve të Fushë Kosovës”, thuhet në komunikatën e VV-së.