Lëvizjet e AAK-së

Asnjë deputet i partive opozitare nuk e kishte nënshkruar nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet e fundit në Veriun. Por, ndryshe ndodhi kur këtë iniciativë e mori Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se disa deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë bashkuar nënshkrimet me deputetët e dy partive në pushtet, PDK-së dhe AKR-së.
“Ka edhe deputetët të AAK-së”, ka thënë Grabovci, në një prononcim për Express. Por, ai nuk ka treguar se sa deputetë të partisë së Ramush Haradinajt, e nënshkruan nismën për një seancë të jashtëzakonshme.
“Nuk e kam listën me vete”, është arsyetuar Grabovci.
Express ka arritur të konfirmojë se nismën e partisë në pushtet për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme e ka dhënë deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi.
“Po e kam nënshkruar nismën e PDK-së. Nënshkrimin e kam dhënë vetëm se me u mbajtë sa më shpejt një seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë deputeti Kelmendi, i cili mohon se po afrohen AAK-ja dhe PDK-ja.
Deputetët tjerë të AAK-së, të kontaktuar nga Express – Daut Haradinaj, Ardian Gjini e Burim Ramadani – kanë thënë se nuk e kanë nënshkruar nismën e PDK-së.
Ramadani mohon afrimin me PDK-në. Ai përsëritë kërkesën e AAK-së për largimin e kësaj qeverie, por “nuk do të nënshkruajnë ndonjë mocion për mosbesimin e Qeverisë pa u parë përfundimi i reformave zgjedhore”.