Përfundon mbështetja amerikane për komisionet reformatore

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka përfunduar mbështetjen për Komisionin për reformë zgjedhore dhe Komisionin për ndryshimin e Kushtetutës. Këtë e ka konfirmuar Ambasada amerikane në Prishtinë, nëpërmjet një përgjigjeje të dërguar me postë elektronike gazetës Koha Ditore.

Komisioni për reformën zgjedhore, sipas ambasadës Amerikane në Prishtinë, tashmë e ka siguruar gjithë materialin që e ka kërkuar, ndërsa Komisioni për ndryshime kushtetuese është thënë se e ka përmbyllur mandatin e vet.
“Misioni i SHBA-së nuk e ka ndërprerë mbështetjen për Komisionin për reformë kushtetuese. Komisioni ka përmbyllur mandatin e tij më 20 mars, kur ka marrë fund edhe ndihma nga misioni i SHBA-së”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës amerikane, shkruan Koha Ditore.
Një përgjigje tjetër ka dhënë për Komisionin për reformë zgjedhore, të cilit misioni i SHBA-së ka qenë duke i ofruar ndihmë teknike.
“Misioni i SHBA-së ia ka siguruar këtij komisioni tërë materialin hulumtues që e ka kërkuar mbi çështjet për të cilat tash vendimi duhet të merret nga udhëheqësit politikë. Tani u mbetet udhëheqësve politikë dhe anëtarëve të Komisionit që t’i marrin ato vendime”, ka thënë Ambasada amerikane në Prishtinë.