100 vjetori i fundosjes së Titanicut (Video)

Sot shënohet dita kur u fundos anija më e madhe dhe më e fuqishme e fillimit të shekullit XX. Në mesin e të mbijetuarve ishte edhe një shqiptar nga Korça.

Anija e quajtur Titanic u fundos në natën 14 dhe 15 prillit 1912, pasi goditi një ajsberg në udhëtimin e saj të parë. Përvjetori shënohet në shumë vende të botës.
Në Belfast të Irlandës së Veriut, ku anija është ndërtuar, hapet Kopshti Memorial Titanic, me emrat e gravuar të 1.512 viktimave, në pesë panele prej bronzi. Ceremonia e dytë mbahet në portin anglez Southampton, nga ku anija u nisë drejtë Oqeanit Atlantik.
Në vendin ku është fundosur Titanic, në pjesën veriore të Atlantikut, përvjetori shënohet me një udhëtim përkujtimor me anijen Balmor.
Anija arriti sot në vendin e tragjedisë, ndërsa pasagjerët dhe ekuipazhi kanë mbajtur një komemoracion. Nga New Yorku - destinacioni tek i cili nuk arriti kurrë Titanicu - drejtë vendit të tragjedisë është nisur edhe anija Azama Journey.
Në mesin e pasagjerët të anijeve do të jenë edhe pasardhësit e viktimave të cilët me një minutë heshtje dhe me hedhjen e kurorave do ta shënojnë këtë përvjetor.
Ekspozitat për Titanicun janë organizuar në Las Vegas, San Diego, Houston dhe Singapor. Kjo ditë do të kujtohet në të gjitha shtetet banorët e të cilëve kanë humbur jetën në këtë anije.
Në bordin e anijes, në çastin e nisjes më 10 prill 1912, ishin 2.224 vetë. Më shumë se gjysma udhëtonin në klasin e tretë me shpresën të emigronin në Amerikë. Në listën e pasanikëve të klasit të parë, spikasnin emra si ai i biznesmenit të njohur amerikan John Astor dhe Benjamin Guggenheim, bashkëpronari i rrjetit të dyqaneve “Macy`s Isidor Straus” dhe manaxheri i linjës “White Star Line”, J.Bruce Ismay.
Katër ditë pas nisjes, në orët e vona të mbrëmjes së 14 prillit, anija luksoze goditi një ajsberg. Mëngjesin e 15 prillit, “Titanic” ishte përpirë nga uji duke marrë me vete 1.512 jetë. Më të prekurit, kuptohet, ishin pasagjerët e klasës së tretë. Nga 710 që ishin gjithsej, mbijetuan vetëm 174 prej tyre. 76 për qind e anëtarëve të ekuipazhit vdiqën gjithashtu.
“Anija që nuk mund të mbytej”, siç u quajt për kohën, u fundos që në udhëtimin e parë. Për më shumë se 70 vjet, “Titanic” pushoi i patrazuar në fund të oqeanit. Pastaj, më 1985, teknologjia e avancuar nënujore ndihmoi ekspeditën franko-amerikane të zbulonte vendndodhjen e tij.
Përpos subjekt i një numri të madh librash, anija fatkeqe ka frymëzuar edhe mjaft filma, përfshirë atë të James Cameron, një sukses i kurorëzuar me disa çmime Oscar.
Por interesi për tragjedinë e 15 prillit 1912 ka vazhduar të rritet dhe sende nga anija që shfaqen rregullisht nëpër ankande ku shiten me çmime rekord.
Në vazhdim do t’ju japim 10 faktet kryesore të Titanicut.
10. Pasditen e 14 prillit, udhëtarët e klasit të parë shijuan një vakt me dhjetë lloje gjellësh (midhje, salmon të zier, fileto lope, mish qengji me salcë mendre, çokollatë, puding etj.). Pas çdo pjate u shërbye një lloj i ndryshëm vere, ndërsa në fund u shoqëruan me kafe dhe puro të shtrenjta.
9. Titanic kishte gazetën e vet. Sipas Qendrës Shkencore Natyrore të Grinsboros, “The Atlantic Daily Bulletin” shtypej përditë dhe kishte lajme, çmimet e fundit të aksioneve në bursa, rezultatet e garave me kuaj, thashetheme të shoqërisë së lartë dhe një meny të përditshme.
8. Si më modernia për kohën, anija gjigante kishte një sërë kushtesh luksoze: banja turke, biblioteka, fusha skuoshi dhe pishinë me ngrohje. Gjithashtu, transoqeaniku kishte në bord edhe një qendër shëndetësore me sallë operacioni.
7. Ndërkohë që Titanicu kishte në bord disa nga njerëzit më të pasur në botë, dy persona të famshëm për kohën nuk e bënë udhëtimin fatkeq. Sipas discovery.com, financieri J.P. Morgan dhe prodhuesi i çokollatave Milton S. Hershey kishin planifikuar të udhëtonin me anijen, por e anuluan në çastin e fundit.
6. Më pak se një muaj pas tragjedisë, aktorja e filmave pa zë, Dorothy Gibson, e mbijetuar e Titanicut luajti në filmin “E shpëtuar nga Titanicu”. Ajo solli në film historinë e vet nga tragjedia, së bashku me fustanin e bardhë prej mëndafshi që mbante veshur mbrëmjen e fundosjes së tragetit. Filmi pati sukses të jashtëzakonshëm në Amerikë dhe Angli, por gjurmët e tij u dogjën aksidentalisht vetëm dy vite më pas.
5. Shumë artefakte nga Titanicu arritën të shpëtojnë. Muzeu i Titanikut në Massachusetts, më i madhi dedikuar tragjedisë, ka disa sende nga anija e mbytur: jelekë dhe varka shpëtimi, meny dreke dhe darke, një qilim katror nga mjediset e klasës së parë, letra e kartolina të shkruara në bord, porcelane luksoze dhe një kambanë që vendosej në urën e anijes.
4. Sipas ditores Mirror, së fundi është zbuluar një violinë që mendohet se ishte e udhëheqësit të orkestrës së Titanicut, Wallace Hartley. Ndërkohë që një sërë testesh janë bërë për të vërtetuar autenticitetin e violinës, nëse shitet ajo pritet të thyejë rekordin e një artefakti të Titanicut. Aktualisht ky rekord mbahet nga çelësat e postës së tragetit, që u shitën më 2007 në Angli për shumën e 101 mijë funtave.
3. Ish-shtëpia e një prej të mbijetuarve më të famshëm të anijes është aktualisht muze në Denver. Shtëpia që në vitin 1910 ishte e Margaret Brown, aktiviste dhe filantrope e njohur (më pas mori nofkën “e pambytshmja Moli Braun”), tani është e hapur për vizita dhe punëtori.
2. I mbijetuari i fundit vdiq në vitin 2009. Millvina Dean ishte vetëm 9-javëshe dhe udhëtarja më e re në anije. Ajo u mor në një nga varkat e shpëtimit dhe mbijetoi. Sipas ditores “The Guardian”, vdekja e saj në moshën 97-vjeçare erdhi vetëm një muaj pasi Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet, aktorët e filmit “Titanik”, e ndihmuan të moshuarën duke i paguar shpenzimet e kujdesit mjekësor në shtëpi.
1. Nga shumë burime del që kënga e fundit e luajtur nga orkestra e anijes është “Nearer My God To Me” (Afrohu o Zot tek unë). Por, në një intervistë të vitit 1912 në New York Times, Harold Sydney Bride, një nga pjesëtarët e mbijetuar të ekuipazhit, tha që orkestra luajti marshin “Vjeshta” ndërkohë që anija fundosej.
Por, te Titanicu ka qenë edhe një shqiptar, historia e të cilit është bërë publik përmes një emisioni në ABC News. Për të kanë shkruar edhe mediat shqiptare.
Ilo Deti, një emigrant nga Vithkuqi i Korçës, në Boston të Amerikës - që në vitin 1909 - arriti t’i shpëtojë tragjedisë duke u kapur pas një barke.
"Ilua u kap pas një varke të mbushur vetëm me gra, që fatkeqësisht nuk kishte lopata. Askush nuk do të kishte mbijetuar, nëse ai nuk do përpiqej. Vorbulla e shkaktuar nga mbytja e anijes do të thithte, duke marrë pas vetes atë varkë pa drejtim. Ilua ishte i ri dhe i fuqishëm. Duke përdorur këmbët si lopata ai arriti ta largonte varkën nga Titaniku që fundosej. Më pas këmbët, për shkak të ujit të akullt, iu gangrenizuan dhe doktorët ia prenë njëra pas tjetrës”, është një pjesë e rrëfimeve për Ilo Detin, shqiptarin e vetëm që udhëtoi në anijen "Titanik" dhe që i mbijetoi tragjedisë.
"Ndërsa i kishte këmbët të prera, ai e kishte zakon të ulej në shesh pranë lëmenjve të grurit para shtëpisë së vet, që gjendej në lagjen 'Grekas' të Vithkuqit, ku qarkohej nga kureshtarët që e lusnin t'u rrëfente për Titanicun”.
Historinë tij e ka treguar para disa vitesh për Gezetën Shqiptare, i biri i tij Dhimitër Deti.
"Në listën e të mbijetuarve të 'Titanikut' nuk ka ndonjë person të quajtur Ilo Deti. Im atë quhej Ilo Kovi, pasi i ati i tij, pra gjyshi im, quhej Kovi".
Ilon në Amerikë e thërrisnin 'Lui'. Ishte vetëm 22 vjeçar. Gjendej në kurbet, në Boston, dhe me të dëgjuar për anijen gjigante, u nis për në Angli mbase kureshtar të shihte anijen e famshme. Dikush përmend një variant sipas të cilit u nis me dy miq të vet nga Anglia, që të merrte pjesë si i ftuar në dasmën e njërit prej tyre.
Në momentet që anija gjigante, pas përplasjes me ajsbergun kishte filluar të mbushej me ujë e marinarët po zbrisnin barkat e para me gra dhe fëmijë, kryesisht të klasit të parë, Ilua kishte ndihmuar të sistemohej në varkë një familje. Në çastin që varka po ulej, Ilua ishte kapur pas njërit prej litarëve të saj të lëshimit. Në këtë kohë ai është qëlluar me lopata e sende të tjera të forta nga marinarët, duke rënë në det. Me të rënë në kontakt me ujin e ftohtë, ai arrin të kapet pas barkës së sapo lëshuar. Pak çaste më vonë tenton të hipë në varkë, por marinarët e qëllojnë me lopata ku të munden. Ata kishin urdhër që të mos rrezikohej mbytja e varkave, qoftë nga mbipesha, qoftë nga shkaqe të tjera. Ilon e kanë goditur disa herë me lopatat e drunjta pa mëshirë në këmbë, në momentet kur kapej dhe tentonte të shalonte anën e varkës për t'u futur në brendësi të saj.
Porse, në çastet që marinarët arrinin ta prapsnin duke e hedhur sërish në det, barka anohej dhe tronditej. Babai ka rrëfyer se e kishin gjakosur duke e goditur, pasi ai ishte përpjekur disa herë radhazi të hipte, pa i shkëputur duart nga varka. Dikur njëra nga gratë, pikërisht ajo që Ilua e ndihmoi të sistemohej në barkë, këmbëngul ta merrnin edhe atë, duke protestuar e thënë se ai kishte rrezik t'i mbyste të gjithë.
Dy studiues amerikanë, që kanë studiuar mirë tragjedinë e njohur të fundosjes së anies, kohë më parë arritën të zbulojnë fakte të reja të cilat i publikuan në “Sunday Telegraph”.
Sipas tyre, shkak i fundosjes së anijes nuk ishte ajsbergu, por pavendosshmëria e timonierit, i cili priti shumë për të marrë vendimin e duhur që në fakt rezultoi fatal. Pavendosmëria, sipas studiuesve, zgjati 30 sekonda dhe sipas tyre nëse nuk do kishte zgjatur kaq shumë atëherë gjërat do kishin shkuar ndryshe.
Studimi është publikuar në 'Sunday Telegraph 'dhe është në kontrast me konkluzionet hetimore të 'Wreck Inquiry', ku këmbëngulet se timonieri ka ndryshuar menjëherë drejtimin e anijes sapo ka parë copëzën e madhe të akullit të afrohej. Studim i ri bazohet mbi dëshmitë e marinarit Fredrick Fleeti, i cili ka dhënë i pari njoftimin për afrimin e ajsbergut.
Studimi thekson se është pavendosmëria e timonierit, William Murdoch, marinari i parë i anijes Titanik, që në mbrëmjen e 14 prillit të 1912, kur ishte në turn në kabinën e drejtimit pasi është lajmëruar për masën bardhë prej akulli gjigant, nuk pati gjak ftohtësinë për të marrë vendimin e duhur menjëherë. Ai që kontribuoi në përmasat e përplasjes, sipas studiuesve, ishte edhe kapiteni Edward Smith, faji i të cilit ishte që nuk ndali në kohë anijen pas përplasjes me ajsbergun, duke ndjekur këmbënguljen e presidentit të “White Star”, Bruce Ismay, i cili nuk dëshironte të shkatërronte imazhin e shoqërisë lundruese. /Telegrafi/