I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka thënë se nga UNMIK-u ka marrë përgjigje negative në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës.
“Nuk duam në asnjë mënyrë ta shkelim Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe t’i sjellim në rrezik serbët që jetojnë në jug të Ibrit”, ka thënë Bogdanovic për Tanjug, duke shtuar se UNMIK-u është “kompetent për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë”.
“Mos mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë nuk do të thotë se shuhen institucionet serbe. Përkundrazi, zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur prej 1999 deri 2008, ndërsa institucionet tona kanë mbijetuar e madje më mirë se ato që janë krijuar pas zgjedhjeve”, deklaron Bogdanovic.
Sipas tij, Rezoluta është dokument “në bazë të cilit presim që shpejtë të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës”. Ai shton se “nëse ne nuk e respektojmë atë, atëherë nuk mund të presim nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga shqiptarët që të ulemi nesër e që në bazë të Rezolutës të flasim për statusin e krahinës”.
Nëse serbët në veri vendosin t’i mbajnë vet zgjedhjet, Bogdanovic thotë se pranimi i tyre është në kompetencë të qeverisë së re të Serbisë.
“Apeli im është të heqin dorë, sepse ka mënyra tjetër që vetëqeverisja lokale në veri të Kosovës të vazhdojë së funksionuari”, thotë ai. “Nuk mundemi të pranojmë që dikush që punon kundër shtetit të Serbisë të njëjtën kohë të bëjë be në të”.
Megjithatë, ai shton se nuk do të heq dorë nga zgjedhjet lokale serbe, meqë “pas përfundimit të këtij cikli, do të flas prapë me përfaqësuesit e UNMIK-ut, nga të cilët do të kërkojë organizimin e tyre”.