Kryetarit të komunës paralele të Vitisë dhe dy punëtorëve të kësaj komunës ilegale, të arrestuar kohë më parë për bartje të materialit zgjedhor nëpër komunat paralele serbe në vend, iu është konfirmuar aktakuza nga një prokuror i prokurorisë së kësaj komune.
Serbët akuzohen për “nxitje të urrejtjes, ose të mosdurimit kombëtar, racor fetar a etnik”, në aktakuzën e ngritur nga prokurori Shqipdon Fazliu, kanë bërë të ditur burime të Kohës Ditore.
Aktakuza vjen pasi ata janë përpjekur të organizojnë në Kosovë zgjedhje të një shteti tjetër. Edhe zyrtarë të Prokurorisë së qarkut në Gjilan kanë konfirmuar se është ngritur aktakuzë ndaj tre serbëve të arrestuar për futje të materialit zgjedhor të Serbisë. Lajmin e ka konfirmuar, Rabije Jakupi, ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë e Gjilanit.
“Aktakuza është ngritur këtë të premte dhe rasti tani kalon në kompetencë të Gjykatës në Kamenicë, atje do të gjykohen tre të akuzuarit”, ka thënë kryeprokurorja Jakupi.
Ata do të akuzohen për nxitje të urrejtjes, ose të mos durimit kombëtar, racor fetar a etnik.
Prokurori Fazliu ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit paralel të Vitisë, Srecko Spasic, dhe dy punëtorëve të kësaj komune, Ivica Nojkic e Aleksandar Stoilkovic, të gjithë të arrestuar javë më parë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë.