Vazhdojnë mospajtimet dhe kundërshtimet rreth kërkesës për ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Ekspertët, shoqëria civile dhe opozita e kundërshtojnë këtë ngritje. Opozita, një kërkesë të tillë e sheh si nevojë e politikës për të mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi që është bërë viteve të fundit. Ndërsa ekspertët pohojnë se ngritja e çmimit të energjisë do të ndikonte edhe në ngritjen e çmimit të produkteve të tjera, si dhe do ta rriste vëllimin e borxheve të këqija, pasi që qytetarët do të hezitojnë t’i paguajnë faturat, në mungesë të parasë, kur merret parasysh standardi në të cilin jetojmë. Ndërkohë, qeveria ka vendosur të heshtë.
Ndërsa, për konsumatorët, edhe çmimi i tanishëm është i lartë, pothuajse i papërballueshëm për standardin që ata kanë. Ata, gjatë dimrit, kur çmimi për një KW është më i lartë, kanë paguar rreth 70 euro për 1 mijë megavatët e shpenzuar apo edhe 140 euro për ata të cilët i kanë shpenzuar 2 mijë MW, pasi që çmimet gjatë periudhës së dimrit nga 1 tetor deri me 31 mars, janë dukshëm më të larta se ato të zezonit pranveror e që hyjnë në fuqi nga një prilli.
Për qytetarët, ngritja e çmimit të energjisë, në këtë gjendje ekonomike dhe sociale është absurde.
Ndërsa për Sali Sinovcin, i cili është pensionist, këto çmime edhe tani janë të papërballueshme. Ai për këtë, nuk e fajëson vetëm KEK-un, por edhe Qeverinë.“Çmimin e energjisë edhe pa ngritje është shumë i shtrenjtë, për këtë populli i cili është duke vuajtur. Ndoshta nuk ka vetëm KEK-u faj, por ka edhe Qeveria. Edhe populli po vuan, çmimet janë shumë të larta”, tha ai.
Ndërsa për zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), çmimi i energjisë elektrike vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon. Madje, sipas tyre, edhe me ngritjen e cila parashihet të ndodh, çmimi tek ne mbetet më i ulëti në rajon.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, tha se çmimi mesatar në Kosovë është 5.6 cent për kilovat apo 56 euro për MW dhe se çmimet janë më të ulëta për kategorinë e amvisërisë sesa për biznese. “Kemi një sistem të çmimeve dhe shkon nga shpenzimi më i ultë deri tek shpenzimi i lartë, që shkojnë duke u rritur. Kjo është bërë për të stimuluar kursimin, në mënyrë që të kemi energji elektrike për të gjithë, pasi që ne jemi të detyruar që një pjesë të energjisë elektrike ta importojmë, sepse konsumi tejkalon prodhimin dhe kapacitetet prodhuese në vend”, tha ai.
Buzhala po ashtu pohoi se ka kategorizime dhe nënkategorizime për konsumatorët e amvisërisë dhe bizneseve komerciale dhe se nuk mund të flasë për çmime fikse të biznesit dhe as konsumatorëve, pasi që ekziston një sistem i çmimeve dhe se e tërë kjo varet prej kategorizimit të konsumatorëve, varet se në cilën kategori të rrjetit është, në cilën kategori është i kyçur ai biznes apo ai konsumator.
Ndërsa Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale pohoi se çdo rritje e çmimeve është ngarkesë për qytetarët, sepse nuk ka shumë investime në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve, përkatësisht nuk ka shumë para që ata i fitojnë, duke marrë parasysh që rrogat, janë rritur në janarin e vitit të kaluar dhe ato do të mbesin të ngrira edhe për 2 apo tri vite të tjera.
Sipas Rexhepit, kërkesa për ngritje të çmimit të energjisë prej 23 për qind, është një përqindje shumë e madhe, e cila, jo vetëm që do të reflektojë përmes faturave për energji elektrike, mirëpo do të mund të ndikojë dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve tjera. Ai po ashtu pohoi se nëse një ngitje e tillë do të ndodhë, atëherë rrezikon të rritet edhe vëllimi i borxheve të këqija, pasi që konsumatorët mund të mos paguajnë për shkak të mungesës së parasë, duke pasur parasysh standardin në të cilin jetojmë.
“Vetëm me një zvogëlim të borxheve apo rritje të arkëtimit prej 10 për qind, siguron para të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ka rezerva, mirëpo forma më e lehtë dhe më e mirë është 23.3 për qindëshi, kërkesa për rritje, e cila rrezikon konsumatorët dhe rrezikon një valë të shtrenjtimeve. Në anën tjetër, rrezikon që të rritet edhe vëllimi i borxheve të këqija, që njerëzit të mos paguajnë për shkak të mungesës së parasë“, tha Rexhepi.
Edhe ekspertët e LDK-së janë shprehur kundër ngritjes së çmimit të energjisë, duke e quajtur këtë propozim të paarsyeshëm dhe politik. Avdullah Hoti, nënkryetar i LDK-së, ka pohuar se nëse do të punohej më një efikasitete më të larë dhe me një efiçiencë dhe përgatitje, jo që nuk do të ngrihej çmimi i energjisë, por do të kishte ulje të tij. Sipas tij, e tërë kjo ka ardhur si pasojë e një kërkese politike për t’i mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi, i cili është bërë viteve të fundit. “Unë si ekonomist më shumë e cilësoj si rritje e çmimet të energjisë elektrike, sepse janë raportet që qeveria i ka dërguar në FMN, në të cilën është zotu se për të zvogëluar subvencionet që tash i jep për KEK-un do i rris çmimet e energjisë elektrike. Do të thotë nuk është një kërkesë që ka ardhur nga KEK-u për t’i mbuluar kostot e mirëmbajtjes dhe prodhimit të energjisë elektrike, por më shumë është një kërkesë politike për të mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi që është bërë në dy - tri viteve të fundit”, ka thënë Hoti.
Edhe pse zyrtarë të KEK-ut pohojnë se çmimet e energjisë janë më të ulëtat në rajon, kjo nuk qëndron duke marrë parasysh të ardhurat për kokë banori dhe papunësinë në vendin tonë. Kosova vazhdon ta ketë nivelin më të ulët të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për kokë banori në Evropë, që dëshmon njëherësh edhe popullsinë më të varfër në rajon dhe më gjerë.
Përderisa Kosova ka 2. 338 euro të ardhura për kokë banori në vit dhe mbi 40 për qind numrin e të papunëve, çmimet e energjisë i ka pothuajse të ngjashme apo edhe më të larta se vendet e rajonit, kur kemi parasysh të ardhurat për kokë banori që vendet përreth nesh i kanë dhe përqindjen shumë më të ulët të të papunëve.
Çmimet e tanishme në Kosovë pa rritjen e kërkuar nga KEK-u, janë shumë të larta për xhepin e qytetarit të varfër të këtij vendi. Çmimet deri në 200 KW të shpenzuara janë 4.64 cent për KW, prej 200 deri në 600 KW janë 6.43 cent dhe mbi 600 KW janë 9.33 cent.
Ndërsa sipas të dhënave të FMN-së Serbia e ka GDP për kokë banori në vit 10.661 dollarë dhe një përqindje të papunësisë prej 23.7 për qind. Ndërsa tarifat e energjisë i ka të ngjashme me Kosovën, apo edhe më të ulta duke pasur parasysh standardin që ka dhe të ardhurat për kokë banori. Në Serbi tarifat deri në 350 KW janë 4.3 cent, nga 350 deri në 1600 KW janë 6.5 cent dhe mbi 1600 KW janë 13.1 cent.
Edhe Kroacia si vend me një standard mjaftë të lartë, ku të ardhurat për kokë banori janë 18.338 dollarë dhe me një shifër prej 16.8 për qind të të papunëve, çmimet e energjisë i ka pothuajse të ngjashme me Kosovën e varfër , me një papunësi prej mbi 40 për qind dhe me të ardhura për kokë banori vetëm 2.383 euro. Tarifat e energjisë elektrike në Kroaci janë në një mesatare prej 10 cent për KW dhe se ato fillojnë nga 4. 5 cent deri në 12 cent varësisht prej KW të shpenzuar.