Zubizarreta: Chelsea, përgatitje e mirë për El Clasico

Drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, e sheh ndeshjen e të mërkurës përballë Chelseat si një përgatitje ideale për ndeshjen vendimtare të vikendit përballë Real Madridit, El Clasico.
Blaugranët aktualisht e ndjekin Real Madridin me katër pikë në tabelën e La Liga dhe nëse shënojnë fitore në Camp Nou të shtunën në mbrëmje diferenca do të shkonte në vetëm një pikë.
Përveç kësaj, Barca synon të bëhet skuadra e parë që e ka mbrojtur titullin e më të mirit të Evropës që kur Milani e bëri këtë në vitin 1990. Por Zubizarreta ka dhënë shenja se ndeshja e vikendit përballë Real Madridit është më e rëndësishme se sa udhëtimi në Londër te Chelsea.
“Liga e Kampionëve ka vendosur që ne ta kemi Clasicon në mes të sfidës që po ashtu do të na mundësojë neve të luajmë një Clasico tjetër në finale në Munich”, ka thënë Zubizarreta për Sport. 

Carragher: Fitoret rikthyese pjesë e AND-së tonë

Veterani i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka lavdëruar shpirtin luftarak të Redsave, pasi ata u rikthyen nga disavantazhi 1-0 për të mposhtur 2-1 Evertonin në gjysmëfinale të Kupës FA.
“I thash Steviet, ‘Sa herë e kemi bërë këtë?’ Kur situata nuk duket e mirë, por ne e gjejmë mënyrën për ta bërë. Ne e kemi bërë këtë në të kaluarën dhe mendoj se do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Kjo është në ADN-në e klubit”.
“Ne i përfshijmë edhe tifozët; ne themi se çdo herë kemi një ndeshje të madhe për të luajtur. Nuk mendoj se shumë klube të mëdha e kanë këtë. Man United e ka, ne e kemi dhe kjo është të gjesh mënyrën për të fituar në këto ndeshje të mëdha”.
“Ju jeni 1-0 në disavatazh dhe përpiqeni të riktheheni. Por ne gjithmonë e gjejmë mënyrën. Ju gjithmonë vazhdoni të bëni më të mirën”, ka thënë Carragher.

Conte të vazhdojë kontratën me Juven

Antonio Conte raportohet se është i gatshëm të vazhdojnë kontratën e tij me Juventusin edhe për dy vite.
Gazzetta dello Sport shkruan se trajneri do të nënshkruajë marrëveshje të re deri në qershor të vitit 2015, e cila do t’ia rrisë atij pagën në 3 milionë euro në sezon.
Conte, i cili erdhi në Tornio verën e kaluar nga skuadra e Serie B, Siena, aktualisht ka marrëveshje me gjigantët nga Torino deri në fund të sezonit të ardhshëm (qershor 2013).

Dalglish: Kritikët vetëm na bashkojnë

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, mendon se klubi mund të jetë krenar me mënyrën se si ata janë përballur me kritikat këtë sezon.
Pasi ngritën trofeun e Kupës Carling, Redsat tash janë kualifikuar në finale të Kupës FA, ku do të përballen me Chelsean.
“Për të ecur përpara dhe për të qenë i suksesshëm, ndonjëherë ju duhet të goditeni nga të tjerët. Ky klub futbolli është një shembull fantastik për secilin klub futbolli, se kur ekzistojnë njerëz që gjuajnë baltë në ju, ata mbyllin rrathët dhe bashkohen”.
“Ky është klubi i futbollit të cilin e kam njohur dhe është klubi i futbollit po e njoh sërish”, ka thënë Dalglish për Liverpoolfc.tv.

NBA: Clippers në play-off pas gjashtë vitesh

Los Angeles Clippers kanë shkelmuar Oklahoma City Thunder nga pozita e parë e Perëndimit pas fitores me rezultat 92-77, duke siguruar kështu edhe një vend në play-off pas gjashtë vitesh mungese.
Nick Young udhëhoqi sulmin e ekuilibruar duke shënuar 19 pikë i inkuadruar nga rezervat, derisa Blake Griffin shënoi 17 pikë dhe 11 kërcime.
Clippers (38 fitore dhe 23 disfata), që tash rreshtohen në pozitën e katërt të Konferencës Perëndimore, tejkaluan mysafirët në pjesën e dytë për të siguruar biletën për në ndeshjet e pas-sezonit për të parën herë që nga sezoni 2005/06.
Pasi kanë fituar 12 nga 14 ndeshjet e fundit, Clippers po ashtu synojnë të fitojnë titullin e parë ndonjëherë të Divizionit Pacifik, ku janë duke ndjekur rivalin lokal, Los Angleles Lakers me një ndeshje, skuadër kjo që pozicionohet e treta në Konferencën Perëndimore.
Thunder (44 fitore dhe 17 disfata), me disfatën e mbrëmshme kanë humbur kreun ndaj San Antonio Spurs.

Eto’o të rikthehet te Interi?

Ylli i Anzhit, Samuel Eto'o, raportohet se planifikon të largohet nga klubi rus dhe dëshiron të rikthim sensacional te Interi.
Corriere dello Sport shkruan se kamerunasi është i lodhur nga jeta në Rusi dhe nga niveli i kampionatit rus dhe dëshiron të largohet gjatë verës.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i vetëdijshëm për frustrimin e Eto’os dhe është i hapur ta sjellë atë sërish në Giuseppe Meazza sezonin e ardhshëm.
Eto’o, i cili është futbollisti më i paguar në botë me 20 milionë euro në vit, ishte afër të rikthehet te Interi në janar në formë huazimi, pasi Premierliga Ruse ishte në pushim. 

Wenger: Luajtëm shumë keq

Menaxheri i Arsenalit është i pakënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij, veçanërisht mbrojtjes, në disfatën e mbrëmshme 2-1 në shtëpi nga Wigan Athletic.
“Ne jemi mbrojtur shumë keq në rastin e golit të parë dhe të dytë. Çdokush ishte i përfshirë në gola. Përveç kësaj ne pranuam golin e dytë me 10 lojtarë në fushë. Na u desh shumë kohë ta bëjmë ndërrimin dhe ishte absolutisht e pabesueshme. Pas kësaj ne kishim një mal për t’u ngjitur”.
“Mendoj se në pjesën e parë ne kishim mjaft shanse për ta rikthyer rezultatin në 2-2, por në pjesën e dytë ne e ulëm nivelin tonë, ne humbëm lojën ekipore, kohezionin dhe u përpoqëm të luajmë shumë individualisht”.
“Nuk kishte shumë karburant të mbetur në rezervuar. Ne nuk shihnim më se kush mund ta bëjë dallimin”, ka thënë Wenger. 

Alves ka frikë nga Chelsea

Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, duket se është i tmerruar nga Chelsea që nga viti 2009, kur Blaugranët mposhtën Blutë në mënyrë kontroverse në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat do të takohen sërish të mërkurën dhe Alves ka shfrytëzuar rastin për të kritikuar mentalitetin e skuadrës angleze.
“Nuk ka dyshim se ishte ndeshja më e vështirë në të cilën kam luajtur, por një skuadër me një lojtar avantazh e që luan në shtëpi dhe fiton, duhet të na kishte sulmuar neve më shumë”.
“Njerëzit thonë se Chelsea duhej të kishte fituar po të mos ishte gjyqtari, por ky nuk është problemi jonë. Ne ishim aty për të luajtur futboll, për të garuar dhe për t’u përpjekur të arrijmë në finale. Chelsea nuk arriti në finale pasi kishte frikë”, ka thënë Alves. 

Rona vazhdon promovimin e “Suus”

Në kuadër të fazës së promovimit të këngës “Suus”, Rona Nishliu është duke vazhduar me vizitat e saj nëpër vende të ndryshme.
Pas Podgoricës, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong ka udhëtuar drejt Bukureshtit (Rumani), me qëllim të pjesëmarrjes në emisionet televizive në kuadër të televizioneve Antena 1, TV Rumania si dhe TVR1.
Kjo javë nuk mbyllet vetëm me këtë vizitë, meqë Rona do të paraqitet edhe në koncertin tradicional “Eurovision in Concert”, i cili më 21 prill organizohet në Amsterdam të Holandës.
Triumfi në festivalin tradicional të këngës shqiptare i ka mundësuar këngës “Suus” rrugëtimin drejt Bakusë në Azerbajxhan, ku në garën e madhe të këngës evropiane, Rona do ta përfaqësojë Shqipërinë.
Në këtë festival prestigjioz Rona Nishliu do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë, më 22 maj, ndërkaq, sipas shortit, ajo këndon e pesta me radhë. 

Albani: Nuk ka xhelozi mes meje dhe Miriamit

Alban Skenderaj, i cili tash e një kohë është në lidhje dashurie me këngëtaren Miriam Cani, ka pohuar se lidhja e tyre ecën shumë mirë dhe mes tyre nuk ka xhelozi.
“T’ju them të vërtetën, në punën e xhelozisë nuk e kemi asnjëri të theksuar edhe për faktin se ne kemi shumë vite që punojmë me këtë profesion dhe i kemi kaluar këto gjera në hapat e para deri sa në një fare mënyre ramë dakord, që mos bien në ‘banalitet’, pasi jo vetëm profesioni, por edhe karakteri jonë nuk na e lejon që të hapim probleme thelbësore”.
“Xhelozia sigurisht që është pjesë e dashurisë dhe si të gjitha ndjesitë që ka njeriu kanë vlerën e vet për ta bërë jetën më të bukur dhe sigurisht që një grimcë, por me doza shumë të vogla, është e domosdoshme për ta bërë lidhjen më interesante”, ka thënë Albani.
Këngëtari nga Shqipëria ka shtuar se në shtator do të vijë me projekte të reja muzikore. 

Andini dhe Noga lansojnë klipin “Ku Je”

Tinejxheri nga Prishtina, Agon Abdullahu, i njohur si Noga Beatbox, ka lansuar videoklipin e ri të këngës “Ku Je” në bashkëpunim me producentin dhe këngëtarin Andin Randobrava.
Videoklipi është punuar në dy lokacione, në Gjermani dhe në Prishtinë, teksa skenat i përshtaten pikërisht stilit të këngës – një baladë e cila flet për një dashuri që nuk arriti të shkojë deri në fund.
Teksti i këngës dhe në tërësi për të është përkujdesur vet Andin Randobrava, teksa shoqërohet nën interpretimin e vet Andinit dhe Nogës, i cili tashmë është i njohur për bashkëpunimet e tij të suksesshme.
Së fundmi Noga ka lansuar dhe albumin e tij të ri, “Unstopable”, i cili tashmë është në shitje, teksa në të janë shumë befasi të cilat Noga ka refuzuar t’i zbulojë për mediat. Këtë ai pritet ta bëjë të premtën në emisionin "Zonë e Lirë" me Arian Çanin, ku do të promovojë albumin e ri dhe klipin. 

Rihanna: E urrej zërin tim

Ylli i muzikës, Riihanna, thotë se ajo e urren mënyrën se si tingëllon zëri i saj.
Këngëtarja thotë se edhe pse mund ta durojë veten duke kënduar këngët e saj ose ta shikojë veten në ekran, ajo nuk mund ta durojë mënyrën se si flet.
“Urrej ta dëgjoj veten duke folur. Nuk e di pse. Nuk më pëlqen ta dëgjoj veten as në mesazhet e telefonit. [Zëri im] Më duket shumë i vrazhdë”, ka thënë Rihanna.

“Arsye” për përkëdhelje

Filloni ditën duke i dhënë dashuri vetes tuaj, sepse përkëdhelja është mënyra më thelbësore që të shprehni ngrohtësinë e ndjenjave tuaja.
Nuk është vetëm sektori i shëndetit që përfiton nga përkëdhelja. Gjithashtu përfitojnë:
* Lidhja me veten tuaj, edhe pse shumicën e rasteve hezitoni të përkëdhelni veten, madje edhe nëse e keni shumë të nevojshme. Shpesh është më e lehtë të guxoni ta bëni me ndihmën e një mjeti, p.sh të një kremi hidratues. Nëse kjo u lehtëson, kthejeni në një zakon të përditshëm.
* Lidhjet midis dy njerëzve. Duke prekur të tjerët, vini më afër. Mos hezitoni të prekni miqtë, fqinjët ose kolegët. Një përkëdhelje në sup ose në kurriz është mënyra më e lehtë të bindni të tjerët për interesimin ruaj, por edhe të shprehni mbështetjen tuaj.
* Jeta juaj seksuale. Përkëdheljet zgjerojnë llojet e eksperiencave me partnerin tuaj, edhe kur nuk përfundoni gjithmonë duke bërë seks. Duke ruajtur të gjallë kontaktin trupor me puthje, përqafime dhe përkëdhelje, tonifikoni pasionin për partnerin dhe jetën tuaj seksuale.
Vitet e fundit është vlerësuar shumë rëndësia e terapive alternative, si: shiatsu, ref1eksologjia dhe reiki, të cilat përdorin forcën terapeutike të prekjes si mjet kryesor për arritjen e mirëqenies.

Stresi dobëson imunitetin

Studimi i ri tregon se si stresi afatgjatë e lodh sistemin e imunitetit, duke rritur rrezikun nga ftohja dhe virozat.
Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti në Pennsylvania kanë testuar 176 meshkuj dhe femra për fazat e rënda nëpër të cilat kanë kaluar në 12 vitet e fundit. Pastaj në hundën e tyre kanë vendosur virusin i cili shkakton virozë të lehtë dhe kanë kontrolluar nëse janë sëmurë. Ata që ishin me stres do të sëmureshin dy herë më shpesh.
Testi ka treguar që sistemi i tyre i imunitetit është bërë më pak aktiv duke iu falënderuar kortizolit, hormonit të stresit i cili dobëson imunitetin.
Kështu është zhvilluar ajo që quhet “reaksion inflamator”, ndërsa është treguar që kjo është pasojë e stresit. Ajo mund të shfaqet si skuqje, kruaje, ënjtje dhe dhimbje, ndërsa paraqitet si reaksion i parë i organizmit në mbrojte nga sëmundjet. Kur shfaqet reaksioni inflamator, jemi të ekspozuar ndaj rrezikut nga sëmundjet e ndryshme.
Ekzistojnë edhe mënyra të tjera në të cilat stresi mund ta bëjë të sëmurë. Për shembull, shkencëtarët nga London School of Economics kanë gjetur lidhjen në mes ushqimit të shpejtë të kripur dhe të yndyrshëm, me punën jashtë orarit dhe tensionin e rritur të gjakut.
Po ashtu kanë gjetur lidhjen në mes stresit, ankthit dhe vetëbesimit të ulët te femrat shtatzënë dhe rrezikun e shtuar që të sapolindurit do të lindin të vdekur ose me inteligjencë të zvogëluar. Po ashtu, fëmijët që kanë lindur pas shtatzënive stresuese janë më shpesh hiperaktiv, kanë probleme emocionale dhe në fund të fundit - edhe vet janë më të ekspozuar ndaj stresit. 

Skype brenda shfletuesit

Skype së shpejti mund të ndodhë të jetë në dispozicion përmes shfletuesve të internetit. Microsoft, në të vërtetë, publikoi konkursin për vendin e punës përmes të cilit kërkohen njerëzit të cilët do të punojnë në zhvillimin e këtij funksionaliteti të ri.
Kërkohen lojtarë ekiporë besnik të cilët do të integrojnë zgjidhjet ekzistuese Skype në web me përkrahjen për shërbimet backend. Kërkohet dituria e HTML5 dhe JavaScript-it, e në përputhje me politikën e re të Microsoftit “plug-in free Internet”, Silverlight dhe Adobe Flash nuk përmenden gjëkundi. Kjo do të thotë se Skype do të jetë në dispozicion për të gjithë, pa pasur parasysh llojin e kompjuterit, versionin e shfletuesit ose ndonjë shtesë të caktuar.
Rezultati i punës suaj do të përdoret nga qindra miliona shfrytëzues falënderues në mbarë botën, thuhet në konkursin e Microsoftit.

Tri versionet e Windows 8

Microsoft në blogun zyrtar publikoi detajet rreth versioneve të Windows 8. Në kundërshtim me informatat e mëhershme që kishin “rrjedhur” në të cilat përmendeshin më shumë versione, Tetëshja do të jetë në dispozicion në krejtësisht tri versione.
Dy versione do ti dedikohen kompjuterëve të bazuar në arkitekturën x86, ndërsa bëhet fjalë për një Windows 8 “të zakonshëm”, dhe versionin Windows 8 Pro. Versioni Pro në krahasim me atë standard do të sjell funksionet që i dedikohen shfrytëzuesve të avancuar dhe atyre afarist siç janë enkriptimi BitLocker, përkrahja për virtualizim, domenet, group policy dhe remote desktop (host). Windows Media Center do të jetë në dispozicion si përditësim i versionit Pro.
Kompjuterët e bazuar në ARM do të kenë një version të veçantë. Emri i këtij versioni do të jetë Windows RT, ndërsa edhe pse aplikacionet klasike x86 nuk do të mund të ekzekutohen në të, Windows RT do të ketë pjesën më të madhe të funksioneve të Windowsit “të vërtetë” dhe do të shitet me Office 15. Siç dihet nga më herët, Windows për ARM nuk do të mund të blihet në treg, por do të shitet kryesisht me kompjuterët e rinj. 

Viruset Trojan edhe në Mac!

Edhe pse javën e kaluar, Apple kishte lëshuar një përditësim të ri për të ndaluar “krimbin” e njohur si Flashback, i cili po ka sukses, një tjetër virus është shfaqur në sistemet e kompjuterëve Mac që po shpërndahet përmes dokumenteve të Microsoft Office.
Virusi i ri në Mac, i cili është emërtuar me kodin “SabPub” nga Kaspersky, ose “Sabpab” nga Sophos dhe Intego, dhe po merr formën e Trojanit, tani po vjedh informacione nga kompjuterët e afektuar të Apple, Mac. 
“Ka ardhur koha që përdoruesit e kompjuterëve Mac të zgjohen nga gjumi dhe ta ndiejnë këtë rrezik. Sabpab Trojan po krijohet si problem dhe nuk mund të injorohet më” ka thënë Graham Cluley, një konsulent i kompanisë Sophos. 

Aterrim i detyruar për bombë – e që doli të ishte telefon

Një aeroplan i kompanisë “Delta Air Lines” që barte 208 pasagjerë nga Turqia në drejtim të SHBA-ve, është detyruar që ulet në Dublin, pasi që një udhëtar e kishte vënë telefonin e tij celular të mbushej me rrymë në tualet.
Autoritetet e aeroportit në Dublin e kanë kontrolluar aeroplanin ‘Boing 767-300’, i cili fluturonte nga Stambolli, dhe pasi kanë kuptuar se “bomba e supozuar” ishte një telefon celular e kanë lejuar aeroplanin që të vazhdonte drejt aeroportit JFK në New York.
Piloti ka kërkuar ulje të detyruar pasi njëri nga pasagjerët e kishte parë telefonin në tualet dhe kishte dyshuar se është bombë, përderisa të njëjtin e kishte harruar duke u mbushur me rrymë një pasagjer tjetër.
Është njoftuar se Boingu ka aterruar pa asnjë incident dhe është dërguar në një skaj të izoluar të pistës.

Ja si digjet një Lamborghini (Video)

Një person anonim, për të cilin supozohet se është milioner, ka qenë në një vozitje provuese të veturës Lamborghini Aventador kur ajo ka marrë flakë.
Vozitësi që kishte dashur ta blejë këtë automjet, ka arritur të shpëtojë, ndërsa zjarrfikësit kanë tentuar pa sukses që ta shpëtojnë Lamborghinin që kushton 380.000 dollarë.
Meqenëse ngjarja ka ndodhur në një rrugë të frekuentuar, shumë shpejt janë mbledhur njerëzit kuriozë, të cilët e kanë xhiruar djegien e veturës. 

Në menynë e hotelit ofrohet edhe humor

Në një hotel në Edinburgh në meny do të gjendet edhe komikja e njohur skoceze, Janey Godley.
Orange News raporton se nga data 19 deri më 21 prill, klientët në hotelin “Indigo”, krahas ushqimit dhe pijeve do të mund të porosisin edhe një shou dhjetëminutësh të komikes.
“Kam marrë pjesë në vende të ndryshme, ndërsa është hera e parë që jam pjesë e menysë”, ka deklaruar Godley. 

Thaçi: Jo organizim të zgjedhjeve serbe në Kosovë

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar të martën se pretendimet e Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale në veri të Kosovës do të dështojnë, pasi sipas tij, Qeveria e Kosovës do të përdorë të gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore për të penguar mbajtjen e tyre.
Thaçi këto komente i bëri të hënën në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku nga afër inspektoi punimet që po zhvillohen në këtë aeroport.
Sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë, Thaçi u shpreh se për këtë ka biseduar me ndërkombëtarët në Kosovë për t’iu mundësuar serbëve që të votojnë në disa pika mobile të votimit, në mënyrë që ato vota të numërohen në Serbi, por në asnjë mënyrë, sipas tij, nuk do të lejohet që të ketë organizim të zgjedhjeve në Kosovë. 

Kërkon drejtësi për bijën e vrarë

Familjarët e së ndjerës Diana Kastratit, kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër Gjykatës Komunale në Prishtinë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Republikës së Kosovës, të cilët konsiderojnë se nuk kanë bërë asgjë në lidhje me vajzën e tyre tashmë të vrarë, e cila dyshohet se është privuar nga jeta tragjikisht nga duart e ish-bashkëshortit të saj.
Sipas familjarëve, disa ditë para vrasjes së saj, e ndjera kishte paraqitur në Gjykatën Komunale të Prishtinës një kërkesë për urdhër për mbrojtje emergjente. Mirëpo, Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte trajtuar fare kërkesën e saj dhe vetëm disa ditë pas paraqitjes së kërkesës në fjalë e ndjera Diana Kastrati ishte privuar nga jeta në mënyrë më mizore, transmeton Kosovapress.
Gëzim Kastrati, babai i të ndjerës Diana Kastrati, me këtë rast është shprehur i mllefosur, me faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk po funksionon dhe këtë mos funksionim sipas tij po e vuajnë qytetarët e Kosovës.
Mirëpo, Kastrati megjithatë shpreson që së paku Gjykata Kushtetuese të mos dështon siç kanë dështuar gjykatat komunale. 

Vijnë në Kosovë 52 marinsa ukrainas

Grupi i parë i marinsave ukrainas të Brigadës 79 të motorizuar, që përbëhet nga 52 ushtarë, është nisur për në Kosovë për t’iu bashkuar forcave të KFOR-it.
Agjencia Ukrinform njofton se në Kosovë do të vijnë gjithsej 134 marinsa ukrainas. Grupi tjetër i ushtarëve ukrainas do vijë Kosovë më 26 prill.
Ushtarët ukrainas në Kosovë do të qëndrojnë gjashtë muaj. 

KFOR-i është mirëpritur nga të gjithë në veri

Në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike në Mitrovicë, kryetari i Komunës, Avni Kastrati ka vlerësuar se situata në komunën e Mitrovicës është mjaftë e ndërlikuar dhe e tensionuar, edhe pse gjatë ditëve të fundit nuk ka pas incidente të rënda. Ai tha se qytetarët e këtyre lagjeve, si shqiptarët, ashtu edhe serbët, e kanë mirëpritur kthimin e KFOR-it në mjediset e tyre për të krijuar ambient më të sigurt.
Kastrati tha se nga vrasje e Selver Haradinajt në banesën e tij nga ekstremistët serbë, është punuar shumë me qytetarë, duke biseduar me ta në të gjitha lagjet veriore me qëllim të ruajtjes së qetësisë së përgjithshme, gjë që edhe është arritur.
“Qytetarët janë treguar syçelë dhe mjaftë të kujdesshëm, duke mos lejuar që të provokohen nga ekstremistët serbë dhe duke iu shmangur kështu incidenteve të rënda”, tha ai.

Kastrati në këtë takim ka falënderuar KFOR-in për organizimin e mirë dhe angazhimin e duhur në mjediset me popullatë të përzier në lagjet veriore. Ai tha se qytetarët e këtyre lagjeve, si shqiptarët, ashtu edhe serbët, e kanë mirëpritur kthimin e KFOR-it në mjediset e tyre për të krijuar hapësirë më të sigurt. Ata, ka thënë ai, kërkojnë që ushtarët e KFOR-it të qëndrojnë edhe më tutje në mjediset e tyre.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se situata është ende mjaftë e tensionuar, por ka trende pozitive në qetësimin e saj.
Nysret Mehmeti nga policia e Kosovës tha se situata është më e qetë falë edhe masave shtesë që ka ndërmarrë policia e Kosovës, duke i shtuar patrullimet policore dhe duke i vëzhguar vazhdimisht pikat më të ndjeshme në lagjet veriore të qytetit. 

Borko kërkon status special për veriun

Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të vazhdojë dialogun me palën kosovare. “Do të jetë e vështirë, por jemi duke punuar në atë drejtim që në dhjetor të marrim datën për negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Stefanovic. Zyrtari serb ka shtuar se veriut të Kosovës duhet t’i jepet status special. “Ekzistojnë shembuj për këtë si ai i Tirolit jugor apo i dy Gjermanive”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka fajësuar Prishtinën se “po pengon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, me anë të veprimeve të njëanshme dhe dhunës ndaj serbëve”. “Ka përpjekje që serbëve në veri të Kosovës t’iu merren targat dhe letërnjoftimet”, ka thënë Stefanovic për mediat austriake, transmeton REL.
Sipas tij, e vetmja politikë që mund të ketë sukses në Serbi është “edhe Kosova edhe Bashkimi Evropian”.
“Të dyja palët janë pjesë e identitetit tonë dhe ne duhet t’i zgjidhim të dyja problemet. Çdo palë që ndjek vetëm perspektivën evropiane dhe heq dorë nga Kosova, do të humbiste besueshmërinë jo vetëm brenda vendit, por edhe në Bruksel”, ka deklaruar Stefanovic.
Bisedimet për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojnë pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi.
Raundi i fundit i tyre ka sjellë marrëveshjen për bashkëpunim rajonal ndërmjet palëve. 

Nesho: Llogari e gabuar e Vetëvendosjes

Shqipëria mund të iniciojë debat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për incidentet e fundit në veri të Kosovës. Por, të pakta janë gjasat që Tirana zyrtare të nisë procedurën për këtë çështje, siç kërkoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ish-ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho, përmend tri arsye pse Shqipëria nuk do të ndërmarrë një nismë të tillë.
Nesho mendon se këtu ka një veprim që nuk është veprim i zgjuar, sepse për të futur në agjendën e Këshillit të Sigurimit do të riaktivizoheshin ato "rezoluta të cilat rregullojnë marrëdhëniet e Këshillit të Sigurimit me Kosovën", transmeton Klan Kosova.
Diplomati Nesho konsideron se kërkesa e Kurtit ka të bëjë me veprime politike të një partie opozitare, e cila kërkon ta kthejë aktin kriminal të vrasjes së Selver Haradinajt, në një kapital politik. Sipas tij, dëshira që të debatohet për veriun në Këshillin e Sigurimit është llogaritur gabimisht në VV. Nesho thotë se është habitur me këtë kërkesë të Kurtit, duke pasur parasysh qëndrimin e këtij subjekti politik që e kundërshton rreptë Rezolutën 1244. 

Përçahen rreth zgjedhjeve në Kosovë

Ajo që kishte shpallur zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, aktualisht edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Slavica Djukic - Dejanovic, tash është bërë pishman dhe ka filluar t’i ndjej pasojat e një veprimi të tillë.
Dejanovic ka shprehur shqetësimin për mosmarrëveshjet e shfaqura ndërmjet Beogradit zyrtar dhe liderëve lokalë serbë në veri të Kosovë lidhur me zgjedhjet lokale. Ajo thotë se “paralajmërimit se disa komuna do të organizojnë zgjedhje, i vjen era e ndikimit të fortë politik nga Beogradi”.
"Mospajtimet ndërmjet Beogradit dhe disa funksionarëve në Kosovë janë mesazh i keq. Përçarjet mes nesh nuk janë të mira dhe shkojnë në dëm të qytetarëve që jetojnë në Kosovë ", ka thënë Dejanovic për televizionin shtetëror serb RTS, duke potencuar se “mos mbajtja e zgjedhjeve assesi nuk nënkupton zhbërjen e institucioneve të qeverisjes lokale në Kosovë”.
Ajo ka thënë se rrethanat kanë ndryshuar në momentin kur UNMIK-u ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale. 

Rreziqet në veri

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës e kanë tensionuar skajshmërisht situatën në atë pjesë të vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë. Ata deklarojnë se nëse elitat politike nuk ndërmarrin hapa për ta qetësuar gjendjen, situata mund të acarohet edhe më tej, duke sjellë probleme dhe rreziqe të shumta.
Analisti i çështjeve politike nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ardian Arifaj situatën në veri të Kosovës e përshkruan si mjaft shqetësuese.
Siç thotë ai, zvarritja e zgjidhjes së problemit të veriut të vendit, ka prodhuar shumë faktorë dhe protagonistë që pengojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.
Situata e tanishme, sipas tij, mund të prodhojë rreziqe të shumta.
“Në mënyrë definitive, është një situatë e rrezikshme dhe jo vetëm për veriun e Kosovës, por për tërë Kosovën e pse jo edhe për tërë rajonin. Në fakt, tensionet që po nxitë Mitrovica, reflektohen në krejt Kosovën e më gjerë dhe na e përkujton shumë marsin e vitit 2004, kur trazirat në Mitrovicë, shumë lehtë, brenda ditës, u përhapën në tërë Kosovën. Këtë potencial, për një eskalim të tillë e mban edhe sot veriu i Kosovës, dhe sigurisht se ka potencial për të nxitur trazira të gjera në krejt Kosovën”, vlerëson Arifaj.
Politikani serb nga Leposaviqi, Dragisha Krstovic, thotë se zhvillimet në veri janë duke e provokuar thellimin e gjendjes, e cila sipas tij, edhe ashtu është mjaft e rënduar.
“Këtu ka gjithçka, duke filluar që nga sulmet e ndërsjella, të cilat janë të motivuara etnikisht e deri te sjelljet që mund ta provokojnë njërën ose palën tjetër, në kuptimin siç është për shembull, të themi, mbajtja e zgjedhjeve lokale në Zubin Potok dhe Zveçan. Ka edhe të tjera, si për shembull shfaqja e disa shqiptarëve të armatosur në barrikadën e cila është vendosur së fundmi. Këto janë gjëra që, nëse asgjë tjetër, të paktën mund të prodhojnë frikë ose veprime që mund të jenë shkaktar të trazirave të gjera”, shprehet Krstovic.
Të gjitha këto, sipas tij, mund ta çrregullojnë paqen e brishtë dhe të sjellin situata, të cilat sipas tij, askush nuk i dëshiron.
Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se nuk e përjashtojnë mundësinë që organet shtetërore të Kosovës të ndërhyjnë në veri të vendit, ndonëse ata gjithashtu e kanë potencuar se një përgjegjësi të plotë për veprim në atë pjesë e kanë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.
Në anën tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë kundërshtuar mundësitë e përdorimit të dhunës në veri të vendit nga ana e institucioneve kosovare. Qasjen e tillë, ata e kanë cilësuar si kundër-produktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane, duke nënvizuar se zgjidhja e problemeve duhet gjetur përmes dialogut.
Por, Krstovic vlerëson se nëse situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar ose përkeqësohet edhe më shumë, atëherë fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të nisë pas zgjedhjeve serbe që mbahen më 6 maj, do të vihet në pikëpyetje.
Por, analisti Arifaj, nuk e sheh fare të arsyeshëm rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në formën se si është zhvilluar deri më tash. Madje, dialogun e deritashëm ai e sheh si shkaktar të tensioneve.

Nisin aktivitetet "Ditët e krenarisë"

Në Prishtinë sot nisin aktivitetet disaditëshe (17-24 prill) të Komunës së Prishtinës me moton "Për ditët e krenarisë - Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së".
Gjatë ditës së parë të këtij manifestimi, në orët e paradites zhvillohet Krosi i Krenarisë, me pjesëmarrjen e shkollave fillore dhe të mesme, në sheshin "Nëna Terezë" në kryeqytet.
Në mesditë në lagjen "Ulpiana" fillon mbjellja e fidanëve për nder të Dëshmorëve të UÇK-së,
Aktivitetet vazhdojnë me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në fshatrat Prapashticë, Dabishec, Canaj, Barilevë dhe Rimanishtë, me vizita veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, me garat në shenjëtari dhe me hapjen e turneut në futboll të vogël.
Aktivitete si këto do të zhvillohen gjatë gjithë javës. 

Pas “kompromisit” të Serbisë, presion ndaj Prishtinës

Bashkësia ndërkombëtare pret nga Qeveria e Kosovës që të pajtohet që Serbia t`i mbajë zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale në lokalitetet me shumicë serbe.
Presionet ndaj Qeverisë së Kosovës, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, do të shtohen pas publikimit të vendimit të Qeverisë së Serbisë që të mos organizojë zgjedhje lokale, gjë që i është kërkuar Beogradit nga ndërkombëtarët.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ka konfirmuar për gazetën diskutimet me ndërkombëtarët, por ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kushte për të lejuar një gjë të tillë. Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve të tilla duhet të jetë sipas standardeve ndërkombëtare.
Këtë përgjigje zëvendëskryeministri, ka pasur kur është pyetur nëse do të pranohet ideja e diplomatëve ndërkombëtarë që zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Serbisë në Kosovë t`i bëjë një organizatë ndërkombëtare në Kosovë, siç është OSBE-ja.
Burime të gazetës kanë thënë se plani ka ngecur, ngase ende nuk është vendosur mënyra se si do të angazhohej OSBE-ja, mbi bazën e cilës kërkesë, dhe për më shumë nuk është definuar as forma se si do të ndihmonte e si do ta organizonte votimin e qytetarëve serbë të Kosovës për deputetët e Kuvendit të Serbisë.
Si rezultat i kësaj, burimet kanë shpjeguar se plani për OSBE-në është lënë anash përkohësisht dhe po shqyrtohet mundësia e angazhimit të Këshillit të Evropës. Mirëpo koha e shkurtër deri në zgjedhjet e Serbisë, që pritet ë mbahen më 6 maj ka vështirësuar gjithçka, kanë bërë të ditur burimet e gazetës.