Reali rikthehet kah Llorente

Real Madridi raportohet se e ka rikthyer në listën e dëshirave sulmuesin e Athletic Bilbao, Fernando Llorente.
Marca shkruan se Reali e sheh Llorenten si një zëvendësim potencial për Gonzalo Higuain, i cili është cak i Chelseat.
Llorente ka karakteristika të ndryshme nga Karim Benzema dhe stafi drejtues i Realit mendon se ata do të përshtateshin mirë me njëri-tjetrin. 

Super Bowl: Gjigantët mposhtin Patriotët

New York Giants kanë shënuar triumfin e dytë ndaj New England Patriots në katër vite në ndeshjen më të madhe të vitit në futbollin amerikan, Super Bowl, këtë herë duke dalë fitues me rezultat 21-17.
Qendërmbrojtësi Eli Manning ishte ylli i mbrëmjes dhe me meritë u shpall MVP (Lojtari më i Vlefshëm), duke përsëritur performancën e tij të para katër viteve.
Super Bowl është ngjarja sportive më e popullarizuar në SHBA, e cila këtë vit u përcoll prej afro dy miliardë teleshikuesësh anembanë botës (200 milionë vetë në SHBA) dhe afro 120 mijë të pranishëm në stadium.
Publiku përveç përballjes sportive është argëtuar edhe me një spektakël muzikor, për të cilin është kujdesur Madonna.

Ibra të transferohet te Reali?

Super-agjenti Mino Raiola është i hapur rreth mundësisë së një transferimi sensacional të Zlatan Ibrahimovic te Real Madridi.
“Pas përvojës së tij te Barcelona, do të ishte një sfidë shumë interesante për të të luajë për këtë skuadër të madhe”.
“Çdo ditë marr oferta për Zlatan... Për këtë arsye nuk mund të jap garanci se ai do ta përfundojë karrierën me fanellën e Milanit në shpatullat e tij”, ka thënë Raiola.

Nafta me rënien

frika se mungesa e marrëveshjes në Greqi do zhysë të gjithë rajonin Evropës në recesion duke goditur dhe masën e naftës së konsumuar.
Ndikim në presionin e çmimit ka dhënë edhe forcimi i dollarit.
Nafta bruto amerikane për marsin ra 63 cent në 97.22 dollarë për fuçi. Nafta bruto brent e Londrës ra 26 cent në 114.32 dollarë për fuçi.

AKP ferma do të privatizohet këtë vit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), po planifikon që gjatë këtij viti ta privatizojnë fermën e pulave në Lipjan, pasi koncesionusi i saj nuk arrit ti përmbush premtimeve sipas kontratës të nënshkruar para dhjetëvjetëve.
Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha për Telegrafin se menaxheri i fermës dështoi ti përmbush premtimet në kontratë. Ai tregon se komercializuesi i fermës së pulave ndërmarrja ADI ka përmbushur zotimet për investimeve vetëm 20.17 për qind, të qirasë 40.36 për qind kurse të punësimit vetëm 46.72 për qind. “AKP ka planifikuar që këtë ndërmarrje ta tenderoj për privatizim gjatë këtij viti”, tha zëdhënësi Kaloshi.
Sipas tij, të gjitha investimet të cilat janë bërë në fermë do të mbetën në ndërmarrje.
Ndërkaq Avdurrahman Konjufca thotë se ai nuk ka mundur ta shfrytëzojë në tërësi fermë për shkak se në disa objekte ka qenë i vendosur KFOR-i.
Ai thotë se ka paditur AKP-në dhe kërkon kompensimin e dëmeve që sipas tij shkojnë deri në 7 milionë euro. 

Jahjaga: Republika e Kosovës, pa asnjë shtesë

Nuk do të ketë asnjë shtesë në emërtimin e Republikës së Kosovës, as si 12 44 e as si fusnotë, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zgjidhja e vetme për tri komunat në veri të Kosovës është zbatimi i plotë i pakos së Ahtisaarit. Presidentja tha se serbët që jetojnë në pjesë të tjera të territorit të Kosovës, janë integruar përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe kjo praktikë duhet aplikuar edhe në tri komunat në veri të vendit: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Sundimi i rendit dhe ligjit do të jetë i pakompromis në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Duhet luftuar strukturat e krimit të organizuar dhe të kontrabandës e të korrupsionit, dhe duhet të shuhen strukturat ilegale të cilat janë të mbështetura nga shteti fqinj i Serbisë. Zgjedhjet duhen bërë në bashkëpunim dhe me përkrahje të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, që të kemi personat e zgjedhur legalë dhe legjitimë që do të përfaqësonin interesat e qytetarëve përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga në një intervistë për DW.
Sa i përket propozimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse Kosova do të pranojë një emër tjetër, veç atij të Republikës së Kosovës, Jahjaga tha se Kosova në procesin e dialogut ka hyrë si palë e barabarta dhe se përfaqësohet si subjekt shtetëror.
“Si e tillë do të vazhdojë të përfaqësohet edhe tash e tutje”, ka shtuar ajo.

Halimi pro ndërrimit të territoreve

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës janë për bashkimin me Kosovën. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, është pajtuar me propozimin e diplomatit austriak, Erhard Busek, për shkëmbim territoresh.
Halimi i ka thënë KTV-së se nëse serbët e veriut do të kenë mundësi t’i bashkohen Serbisë, atëherë kjo gjë duhet të ndodhë edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë në numër më shumë në krahasim me serbët.
Një ditë më herët Busek paralajmëroi mundësinë edhe të ndarjes së Kosovës, por sipas tij kjo gjë ende nuk ka nisur së diskutuari dhe nuk ka vullnet askund.
Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se një veprim i tillë është vështirë i realizueshëm. Sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk ka treguar se ka ndonjë ide të qartë për rajonin.

Hetimet rreth Martyt, në raportin e Banit

Çështja e dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, duket se do të riaktualizohet sërish këtë javë.
Raporti i hetimeve të bëra nga Task Forca speciale - për akuzat që dolën nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty - do të jetë pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë raporti - që hyn në kuadër të raportit të zakonshëm të punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë - dhe se a do të zë vend të diskutimet që do të zhvillohen në OKB.
Zëdhënësi i task forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Laas, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimi i udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson, është ende në fazën e mbledhjes së informatave.
“Aktualisht, Task Forca është në procesin e sigurimit të informatave nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informata dhe duke kryer aktivitetet hetuese”, u shpreh ai.
Task Forca speciale e EULEX-it, për hetimin e akuzave që flasin për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së 1999-s, u pat themeluar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në muajin tetor në krye të saj u emërua prokurori Williamson.
“Williamson vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën para dy javësh. Në javët e ardhshme ka gjasa që ai ta vizitojë sërish Beogradin”, tha Laas.
Zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar vazhdimisht që çyshtja e akuzave të Martyt të dërgohet për shqyrtim në instancat vendimmarrëse të OKB-së.
Në ndërkohë, mësohet se është kompletuar ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të Task Forcës speciale, ndërsa sipas nevojës thuhet se atij mund t’i bashkëngjiten prokurorë të tjerë.

Për BE-në nuk ka ndarje

Deklarata e ish-koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, që Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndarje, ka zgjuar reagime edhe në BE.
E pyetur nga “Radio Dukagjini” nëse BE-ja e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje, Maja Kocijancic - zëdhënëse e përfaqësues së lartë të BE-së, Catherine Ashton - ka thënë se BE-ja i referohet Kosovës në kufijtë aktual.
“Kosova duhet të shënoj progres në reforma. Duhet të shohim se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit po vazhdon dhe se do të ketë rezultate të mëtutjeshme. Ashtu siç e ka bërë të qartë edhe Komisioni Evropian në raportin e progresit, ne duhet që sa më shpejt ta shohim planin gjithëpërfshirës për veriun. Të gjitha këto kërkesa janë shumë të qarta. Sa herë i referohemi Kosovës, i referohemi gjithë territorit dhe integritetit territorial”, ka thënë Kocijancic.

Kampanja e Vetëvendosjes, “kopsht politik i fëmijëve”

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, vërejtjet ndaj mundësisë së heqjes së emërtimit “Republika” dhe përdorimit të emrit “Kosovë” në forume të ndryshme rajonale, i ka quajtur si “kopsht politik i fëmijëve”
“Kampanja më e re e Vetëvendosjes mbi emërtimin ‘Republika e Kosovës’, e cila thotë se përdorimi i çfarëdo emërtimi tjetër do të ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe njëherazi tradhti e lartë, nuk është gjë tjetër veç kopsht politik i fëmijëve”, thuhet deklaratën e shpërndarë nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
“Në BE, OSBE, OKB dhe në instanca tjera ndërkombëtare delegacioni gjerman zakonisht është i ulur prapa shenjës ‘Gjermania’ dhe jo ‘Republika Federale e Gjermanisë’. Kjo vlen për shembull edhe për ‘Republikën e Francës’ apo ‘Mbretërinë e Holandës’, ose pothuajse për të gjitha shtetet. Nuk ka arsye pse kjo të jetë ndryshe në rastin e Kosovës”.

Mustafa për SHIK-un: Gjaku të zë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është rikthyer kritikave dhe akuzave për SHIK-un, duke e cilësuar atë një organizatë kriminale të financuar nga struktura të dyshimta dhe jo llogaridhënëse.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai tha se të gjithë ata që kanë kryer veprime kriminale duhet të përgjigjen para ligjit.
Në pyetjen se a po i hapin dosjet e tyre zyrtarët e SHIK-ut për konflikte personale e politike, përgjigjen Mustafa e ndërlidhi me një thënie popullore.
“Një fjalë e popullit thotë: Gjaku të zë”, ka thënë ai.
“Si duket disa nga ata kanë bërë veprime të rënda ndaj popullit, dhe këto veprime nuk i lënë të qetë. Çdonjëri duhet të përgjigjet nëse me veprime ka dëmtuar të tjerët. Është fjala këtu për një organizatë ilegale, e cila ka vepruar ilegalisht, është financuar ilegalisht dhe nuk ka pasur kontroll të institucioneve legjitime për veprimet e saj. Çfarë kanë bërë, e dinë ata. Por, nëse dikush nga ata ka kryer veprime kriminale, duhet të përgjigjet para ligjit”.

Kinect për Windows

Microsoft zyrtarisht paraqiti Kinect për Windows së bashku me pakon përkatëse për zhvillimin e aplikacioneve.
Në Microsoft theksojnë se qysh tani kompani të shumta janë duke zhvilluar zgjidhje të bazuara në Kinect, duke përfshirë American Express, Mattel, Telefonica dhe Toyota, por për momentin nuk ka informata konkrete se për çfarë projekte bëhet fjalë.
Kinect fillimisht do të jetë në dispozicion në SHBA dhe 11 vende tjera të botës. Çmimi zyrtar në SHBA është 249 dollarë, e Microsoft paralajëmroi edhe versionin e veçantë të dedikuar për institucionet edukative që do të shitet për çmim prej 149 dollarë.

Vazhdon shitja e produkteve të Apple në Gjermani

Javën e kaluar ishte thënë se shitjet e iPad 3G, iPhone 3GS dhe iPhone 4 ishin pezulluar në Gjermani, pas një urdhëri ligjor i cili më parë i ishte dhënë kompanisë Motorola dhe pasi i njëjti hyri në fuqi të premten.
Mirëpo, me sa duket ndalimi nuk zgjati shumë, pasi që vendimi për pezullimin e shitjes së produkteve të Apple u anulua, dhe gjiganti amerikan rifilloi shitjen e produkteve të saj më të famshme.
Sipas raporteve të fundit thuhet se Apple ka apeluar ndaj vendimit, duke pohuar se Motorola ka refuzuar licencën për patent për ta, sipas kushteve të arsyeshme, edhe pse rivali i saj i cili është blerë nga Google ka detyrim ligjor ta bëjë një gjë të tillë.

Babai i Gagas i pakënaqur me veshjen e saj

Babai i këngëtares Lady Gaga ka pasur shumë probleme me vajzën e tij për vite të tëra sa i përket veshjes.
Sikurse shumë prindër, edhe Joe Germanotta e ka këshilluar vajzën e tij që të vishet sa më zakonshëm dhe të zbulojë sa më pak.
“Jam dukur njësoj si gjatë ditës, ashtu edhe në skenë”.
“Babait tim nuk i pëlqente kjo dhe shpesh më thoshte: ‘A mund ta lëshosh pak atë fund’. Disa prindër, thjeshtë s’mund ta durojnë atë”, citon The Sun fjalët e këngëtares.

Këshillat milionëshe

Këshilltarët e transaksionit Qeverisë se Kosovës po i kushtojnë miliona euro. Prej që ka filluar proceset e shitjes të aseteve të rëndësishme në vend, Qeveria ka kontraktuar dhjetëra kompani të huaja për përgatitje të këtyre proceseve. Vetëm për projektin “Kosova e Re”, dhe privatizimin e PTK-së, këshilltarët ishin paguar rreth 9 milionë euro.
Ekspert të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit thonë se nga këshilltarët e transaksionit në Kosovë, nuk po shihet ndonjë rezultat. Sipas tyre, procesi i privatizimit nuk është barrë e krejt tyre, por edhe e Qeverisë.
“Për projektin “Kosovës së Re”, prej vitit 2006 deri me tani, për këshilltarë të transaksionit ishin paguar nga Buxheti i Republikës së Kosovës 2.500.000 dollarë amerikanë, ndërsa nga grantet e Bankës Botërore janë paguar 5.690.000 dollarë. Deri më tash për shërbime të këshilltarëve të projektit “Kosova e Re” komplet janë shpenzuar 8.198.310 dollarë”, ka Gëzim Baxhaku, këshilltar për media në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, shkruan gazeta Lajm.
Kurse, sipas tij, për këshilltarë të transaksionit dhe këshilltar strategjik për privatizimit të PTK-së, deri më tash janë paguar afro 1.7 milionë euro.

Acari dëmton ekonomitë familjare

Mbi tre mijë kilogramë patate dhe afro një mijë kilogramë qepë i janë ngrirë Ibrahim Mavriqit nga fshati Koliq i Prishtinës. Dëmet që acari i ka shkaktuar atij duket t’i kenë prekur edhe një numër të konsiderueshëm familjesh dhe subjektesh të tjera në vend.
“Të gjithë veprimtarinë time e siguroj përmes mbjelljes dhe shitjes së patateve. E kam rregulluar ambientin ku i kam mbajtur të sigurta patatet, por ndërprerja e energjisë elektrike dhe acari i madh ka bërë që mbi tre mijë kile patate të ngrihen dhe kësisoj të gjitha ato me duhet tani t’i gjuaj”, thotë Ibrahim Mavriqi.
Sipas tij, të ngrira kanë rezultuar edhe sasia e patateve të planifikuara për t’u mbjellë në pranverën e këtij viti. “Diku afro 600 euro kam blerë pak ditë me herët dhjetëra thasë me patate për mbjellje dhe që të gjitha janë ngrirë”, tha Mavriqi, shkruan Koha Ditore.
Sipas tij, kostoja e dëmeve që i janë shkaktuar i afrohet dy mijë eurove. “Dëmet janë të konsiderueshme dhe kanë ndikuar thellësisht në motivin e punës”, ka pohuar Mavriqi, teksa ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të shqyrtohet mundësia e kompensimit të dëmeve të tilla. “Komuna e Prishtinës, apo Ministria e Bujqësisë, do të duhej të formonin një komision për t’i verifikuar këto raste dhe njëherazi të shqyrtonin mundësinë e kompensimit të dëmeve apo së paku kompensimin e një pjesë të tyre”, ka potencuar Ibrahim Mavriqi nga fshati Koliq i Prishtinës.
Në Komunë të Prishtinës, ndërkaq, që për vlerësime të tilla dhe kompensim të mundshëm është niveli qendror dhe jo ai komunal.

Shtrenjtohen aviobiletat

Falimentimi i gjigantëve evropianë të aviacionit nuk pritet të kalojë pa pasoja edhe për pasagjerët kosovarë.
Këta të fundit së shpejti pritet të ballafaqohen me shtrenjtim të aviobiletave, pasi që në treg do të mbeten vetëm lojtarët e mëdhenj të aviacionit, të cilët do ta shfrytëzojnë monopolin për ngritje të kostos së udhëtimeve, shkruan Zëri.
Kështu thonë drejtuesit e agjencive turistike kosovare, sipas të cilëve në shtrenjtimin e kostos së fluturimeve ajror ka ndikim edhe kriza në Gjirin Persik, ku kerozina për avionë është shtrenjtuar dukshëm. Javën e kaluar Falimentojë kompania hungareze MALEV si pasoj e borxheve. 

Zbogar, prej sot në detyrën e re

Diplomati slloven, Samuel Zbogar, sot do të duhej ta nisë detyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë.
Mandati i tij do të zgjas deri më 30 qershor 2013. Më herët ai ka thënë se prioritet do ta ketë shoqërimin e Kosovës, me shtetet tjera në rajon, në rrugën drejtë BE-së
Që kjo të arrihet, Kosova duhet të vazhdojë me zhvillimin e institucioneve, sundimin e ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Si një detyrë shumë të rëndësishme Zbogar ka përmendur përmirësimin e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.
Zyra e BE-së në Kosovë është një nga më të mëdhatë në Ballkanin Perëndimor, me personelin prej rreth 85 vetëve.
Diplomati slloven në detyrën e shefit të Zyrës së BE-së është emëruar nga përfaqësuesja për politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Emërimin e tij më 25 janar e ka konfirmuar edhe Këshilli i BE-së.

Shtyhen provimet në fakultetet e Pejës

Menaxhmenti i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit dhe ai i Degës së Fakultetit Juridik në Peje, për shkak të reshurave të mëdha të borës, ka vendosur që nga sot e deri të dielën të ndërpres procesin e mbajtjes së provimeve.
Dekani i këtij fakulteti, Armand Krasniqi, ka thënë për “Kosovapress” se kushtet e rënda atmosferike e vështirësojnë udhëtimin si të studentëve ashtu edhe të profesorëve për mbajtjen e provimeve, andaj është parë e udhës që të shtyhet afati i provimeve për një javë.

Ballkani, para ndryshimeve të reja të kufijve

Ballkani Perëndimor mund të pësojë ndryshime të kufijve – ka tërhequr vërejtjen Instituti Gjerman për Politika dhe për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare në studimin e tij të fundit., raporton “Koha Ditore”.
Studimi i titulluar “Rasti normal nuk planifikohet – dhjetë situata politike që meritojnë vëmendje”, i realizuar në nëntor të vitit 2011, ka pasur në cak të analizës edhe situatën në Ballkanin Perëndimor, ku ka nxjerrë në pah që në Ballkan, në një të ardhme, mund të ketë sërish ndryshim të kufijve aktualë.
“Stiftung Wissenschaft und Politik (SWP)” - Fondacioni shkenca dhe politika - që është më i madhi i llojit të tillë në Evropë e i cili këshillon Bundestagun dhe Qeverinë e Gjermanisë në lidhje me politikat dhe me çështjet e sigurisë në rrafshin ndërkombëtar, ka porositur Perëndimin se në rast se vazhdon të pozicionohet kundër lëvizjeve autoktone që kanë për synim të përfundojnë procesin e krijimit të identitetit të tyre kombëtar në Ballkan, atëherë kjo do të mund të jetë e kushtueshme politikisht dhe kundërproduktive.
“Më e dobishme duket të jetë gjetja e një zgjidhjeje të mesme midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, kanë këshilluar hulumtuesit gjermanë. “Për këtë duhet shfrytëzuar diplomacinë, e cila ende nuk ka qenë aktive në këtë rajon, si p.sh. ajo e Norvegjisë, ndërsa ndihmat e konsiderueshme ekonomike dhe përforcimi i perspektivës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO duhet të shërbejnë si mjete për të lehtësuar heqjen dorë nga kërkesat maksimale të palëve”.
Instituti Gjerman për Politika dhe për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare ka folur se si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, ngjashëm edhe Maqedonia, vazhdojnë të mbeten ngrehina tejet të brishta politike, nën protektorat të vazhdueshëm perëndimor.
“Në këto vende sërish po krijohen konflikte etnopolitike. E përplasje të tilla gjatë dy dekadave të kaluara zakonisht kanë përfunduar me ndryshimin e kufijve politiko-administrativë të ish-Jugosllavisë”, kanë shkruar hulumtuesit gjermanë. “Këto procese vetëm në pak raste janë zhvilluar në mënyrë paqësore. Edhe tani është e paparashikueshme se a do të zhvillohen këto revizione të kufijve pa dhunë”.
Instituti gjerman ka paralajmëruar se ndryshimet e para të kufijve mund të priten në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni Perëndimore. 

ICO heq dorë nga Ahtisaari!

Jo rrallë herë, zyrtarë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, kanë dhënë ide për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës, tërësisht të dalë jashtë kontrollit të autoritetit ligjor. I fundit që ka bërë një propozim të ri për veriun është presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i cili përmes një plani katërpikësh, tenton krijimin e një entiteti të veçantë në veri, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnjës.
Sidoqoftë, në mesin e disa misioneve të huaja të akredituara në Prishtinë, funksionon edhe një zyrë, e cila për detyrë e ka të ndalojë përpjekjet apo planet që nuk janë në një vijë me Propozimin për status të Kosovës bërë nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari.
Zyra Civile Ndërkombëtare apo misioni i udhëhequr nga diplomati holandez, Pieter Feith, në Kosovë, funksionon veçanërisht për të verifikuar nëse Pako e Ahtisaarit po zbatohet dhe nëse ndonjë ligj që miratohet në Kuvendin e Kosovës nuk bie në kundërshtim me “Propozimin Gjithëpërfshirës për Status”.
Në faqen e internetit të ICO-së, te linku “Për ne”, ndër të tjera thuhet se qëllimi i tyre është “garantimi i zbatimit të plotë të propozimit për zgjidhjet e statusit të Kosovës”. Kjo, raporton “Zëri”, i bie që edhe në rast se qeveria e Kosovës apo kushdo tjetër dëshiron të zbatojë plane ndryshe prej asaj që thuhet në “Pakon e Ahtisaarit”, Pieter Feith me ekipin e tij në ICO do të duhej të ndërhynte menjëherë për t’i ndaluar ata.
Mirëpo, një përshtypje krejt ndryshe të krijon zyra e Feithit kur i kërkohet për ta verifikuar qëllimin e shënuar edhe në faqen e tyre të internetit.
Zëdhënësi i ICO-s, Chrisitian Palme, kur i është kërkuar nga një sqarim për nëse Feith do të ndërhynte për të ndaluar një plan për veriun që bie ndesh me Ahtisaarin, ka thënë: “Në fund, i takon qeverisë së Kosovës që të punojë me qytetarët e saj në veri për të krijuar një model funksional të qeverisjes lokale, që u jep atyre siguri dhe pranim të plotë të identitetit të tyre brenda një republike të qëndrueshme e sovrane të Kosovës”. 

Ditëlindja e tetë e Facebookut

Vetëm pak ditë pas publikimit të informatave rreth ofertës fillestare të aksioneve, Facebook feston ditëlindjen e tetë me 845 milion shfrytëzues aktiv dhe biznes shumë të suksesshëm, të hyrat neto të kompanisë gjatë vitit 2011 ishin një miliard dollarë.
Vlera e kompanisë mendohet të jetë në mes 75 dhe 100 miliard dollarë, e sipas hulumtimit më të fundit i cili për temë kishte Facebookun, e të cilin e ka kryer Pew Research Center, shfrytëzuesit ende shprehim interesim të madh për këtë rrjetë shoqëror.
Në të vërtetë, madje edhe shfrytëzuesit disa-vjeçar të këtij rrjeti nuk po tregojnë kurrfarë shenja të ngopjes me Facebook, tregoi hulumtimi i tyre.
“Sa më shumë miq të ketë shfrytëzuesi i Facebookut, ai do të jetë më aktiv në shtimin e miqve të rinj, Like-ing, komunikim përmes mesazheve personale, komentim, ngarkim dhe tag-im të fotografive dhe bashkëngjitje në grupet e ndryshme, thuhet në raport.”
Facebook është nisur me 4 shkurt të vitit 2004 në adresën www.thefacebook.com, ndërsa the “ra” nga emërtimi në vitin 2005, kur u ble domeni facebook.com për 200,000 dollarë.
Fillimisht rrjeti ishte në dispozicion vetëm për shfrytëzuesit e Harvardit, e për të gjithë njerëzit mbi 13 vjeç u bë në dispozicion me 26 shtator të vitit 2006.
Deri te 100 milion shfrytëzuesit e parë Facebook arriti në gusht të vitit 2008.

Milani barazon, ashtu si Juvja

Milani nuk ka arritur të bëjë më shumë se sa të barazojë pa gola me Napolin në San Siro, duke mos shfrytëzuar barazimin e Juventusit nga ana tjetër ndaj Sienës për t’u ngritur në tabelë.
Ndeshjen e dominuan lehtësisht Rossonerët nga fillimi, me figurën kryesore Ibrahimovic i cili ishte figura kryesore dhe tentoi të shënonte.
Në pjesën e dytë një rast të mirë e lëshoi Robinho, por kjo ishte gjithçka, pasi sfida përfundoi vetëm me një karton të kuq të Zlatan Ibrahimovic. 
Edhe Juventusi nuk arriti të bëjë asgjë në takimin e zhvilluar në Juventus Arena, e që përfundoi pa asnjë gol të realizuar, përkundër dominimit ndaj Sienës së fortë në mbrojtje. 
Me këtë barazim Milani ka 44 pikë në tabelë, një më pak se Juventusi që po ashtu barazoi me Sienën. Bianconerët kanë 45 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar në vendin e parë.

Roma deklason Interin

Me rezultat 4-0 ka përfunduar ndeshja e shtyrë dy herë e që u zhvillua në Olimpico, ku Roma i dha leksion nënkampionit të Italisë, Interit, se si luhet futbolli modern.
Pjesa e parë ishte mjaft dinamike, me Romën që e dominoi në tërësi. Që në fillim romakët shfaqen të rrezikshëm, duke dominuar në posedim dhe duke u hapur rrezikshëm në sulm gjë që tregoi telashe për një Inter tejet defensiv.
Dhe presioni i vazhdueshëm në portën Nerazzure u shpagua që në fillim. Pas dy goditjeve nga afërsia të cilat mrekullisht i ndali portieri Julio Cesar, ishte mbrojtësi Juan, ai që pas harkimit të Tottit nga këndi shënoi me kokë për 1-0 dhe gëzimin e Giallorosëve në Olimpico (13’).
Interi më pas tenton të kthehet kur Milito ishte pranë golit, por kjo ishte e tëra prej zikaltërve në pjesën e parë. Nga ana tjetër një pasim të bukur të Miralem Pjanic e shfrytëzoi Fabio Borini, i cili pa problem mashtroi Samuelin për të realizuar për 2-0 dhe epërsinë solide të romakëve në këtë takim (41’).
Në pjesën e dytë Interi as që iu afrua portës romake. Ranieri bëri ndryshime të kota dhe kreativiteti mungoi në masë të madhe te Nerazzurët.
Pas një pasimi fenomenal të Juan, Fabio Borini bukur shmangu mbrojtësit e Interit për të shënuar në portën e Julio Cesar për 3-0 (49’). Në fund epilogun përfundimtar të takimit e vuri Bojan Krkic, i cili realizoi për 4-0 (89’)
Me këtë fitore Roma ka 35 pikë në vendin e gjashtë, një pikë më pak se sa Interi dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.

AVB: Torres do të shënojë ndaj United

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, vazhdon të jetë optimist për të ardhmen e sulmuesit spanjoll, Fernando Torres, i cili thotë se ka impakt të jashtëzakonshëm në skuadër përkundër faktit se ai po vuan për gola që prej kohës kur u transferua janarin e kaluar.
“Fernando Torres ka pasur impakt të jashtëzakonshëm në ekip, ne nuk e shohim Torresin vetëm si golashënues, por edhe si lojtar ekipor”.
“Ne kemi punuar në lëvizshmërinë e tij për një kohë në mënyrë që ai të përshtatet me lojën tonë. Një gol ndaj United do të ishte vërtet fantastik për të vazhduar një eucri të suksesshme”, deklaroi Villas Boas.

Reali interesohet për Ibrahimovic?

Agjenti i Zlatan Ibrahimovic, ka aluduar se Real Madridi është duke shprehur interesim për sulmuesin kryesor të Milanit.
Suedezi i cili luajti edhe për Barcelonën në sezonin 2009/2010 ndihmoi Rossonerët të fitojnë Scudetton sezonin e kaluar dhe madje shprehur dëshirën të pensionohej në San Siro. Sidoqoftë, duket se po vjen një ofertë e pa rrefuzueshme në drejtim të Ibrës.
“Çdo ditë marr oferta, nuk mund të jap garanci. Real Madridi do të ishte sfidë interesante”, theksoi agjenti Mino Raiola.

Ronaldo dëshiron të kthehet te United

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, u ka rrëfyer miqve të tij se ai dëshiron të rikthehet te ish-klubi i tij, Manchester United.
Sunday Express shkruan se anësori portugez, i cili feston ditëlindjen e 27-të, u ka thënë miqve se transferimi i tij i ‘ëndrrave’ te Real Madridi nuk i ka dalur ashtu siç e ka pritur.
Më herët gjatë sezonit, Ronaldo ishte vërshëllyer nga tifozët në Bernabeu, të cilët vënë në pikëpyetje qëndrimin e yllit portugez. Edhe pse relacionet mes tifozëve dhe lojtarit janë përmirësuar, ende ka mbetur boshllëk në këtë raport.
Ronaldo, i cili iu bashkua Real Madridit nga Manchester United për 80 milionë funte, u ka rrëfyer miqve dhe familjarëve se atij i mungon Old Trafford dhe menaxheri Sir Alex Ferguson, të cilin e konsideron si baba.
Pas plot tri viteve në Spanjë, tashmë spekulimet për një rikthim të tij në Ligën Premier po rriten, dhe lajmi sigurisht se do të alarmojë top klubet britanike, duke përfshirë edhe Manchester Cityn dhe Chelsean. Por, sigurisht se relacionet e veçanta që ka Ronaldo me Unitedin mund të jetë krucial nëse Reali pajtohet ta shesë portugezin.

Wenger aludon në qëndrim të Henryt

shqyrtuar mundësinë e zgjatjes së huazimit të legjendës së klubit nga Emirates, Thierry Henry.
“Nuk kam vendosur për këtë, por ndoshta mundësia është që të zgjasim nga dy deri në gjashtë javë”.
“Sigurisht që jo, ai nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjen kruciale ndaj Tottenhamit”, tha francezi

De Rossi të rinovojë kontratën

Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, besohet se është i gatshëm që të nënshkruajë rinovimin me klubin Gialloros.
De Rossi është lidhur me një kalim te Manchester City javëve të fundit, por duket se ai do t’i rezistojë ofertës marremendëve nga gjiganti anglez.
La Gazzetta dello Sport raporton se 28 vjeçari është takuar me drejtorët e Romës dhe kontrata e re mund të nënshkruhet jo më larg se javën e ardhshme. Marrëveshja është pesëvjeçare dhe vlen 6 milionë euro për sezon, plus bonuset.
Është po ashtu e përfshirë edhe një klauzolë prej 10 milionë eurosh, por mund të aktivizohet vetëm një muaj para përfundimit të sezonit. 

Valdes: Kemi akademinë më të mirë në botë

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, mendon se katalanasit kanë akademinë më të mirë në botë, pas golit vendimtar të shënuar nga 20 vjeçari Cristian Tello në sfidën ndaj Real Sociedadit.
“Unë dua të përgëzoj Tellon për golin e tij të parë për ekipin. Ne kemi akademinë më të mirë në botë”.
“Ishte një ndeshje e vështirë, është shumë ftohtë, por ne luajtëm mirë. Ishte një rezultat i ngushtë, tifozët kanë vuajtur, por ne luftuam deri në fund. Në përgjithësi, ekipi ishte në formë”, tha Valdes.