Tregtia, aktiviteti më i pëlqyer i kosovarëve

Kosovarët vazhdojnë të preferojnë të merren me aktivitete tregtare. Çdo e treta ndërmarrje e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve merret me tregti. Një tendencë e tillë është parë edhe këtë vit. Një e treta e aktiviteteve të reja tregtare të regjistruara , vetëm në këtë fillimit, janë ato që merren me tregti me shumicë dhe pakicë.

“Aktiviteti ekonomik më i preferuar edhe gjatë këtij tremujori është tregtia, me 836 ndërmarrje të reja, apo 32.9 për qind e totalit të ndërmarrjeve të reja të regjistruara këtë fillimvit”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.
Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike, thotë se ky aktivitet ekonomik u është përshtatur karakteristikave e kushteve ekonomike që ofron Kosova. Por, sipas tij, kjo tendencë e regjistrimit të bizneseve të reja me shumicë tregtare duhet ndryshuar.
Sipas tij, Qeveria duhet ndryshuar politikat duke stimuluar sektorët e tjerë të aktiviteteve ekonomike. “Duhet të tentohet të fillohet një diskriminim pozitiv për aktivitete të tjera ekonomike. Sidomos në aktivitete në fushën e shërbimeve, bujqësisë dhe prodhimeve”, thotë Rukiqi.
Ttë dhënat zyrtare, tregojnë se çdo vit në Kosovë regjistrohen rreth 3 mijë ndërmarrje të reja që merren me tregti me shumicë dhe pakicë, shkruan Koha Ditore.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë për rritje të bizneseve të reja. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 janë regjistruar 2543 ndërmarrje të reja, ndërsa në tre muajt e fundit vitit të kaluar janë regjistruar 1799 ndërmarrje të reja, apo një diferencë prej 744 ndërmarrje, apo 41.4 për qind më shumë.