Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sërish ka ripërsëritur kritikat e tij ndaj qasjes së Bashkimit Evropian karshi Kosovës, duke thënë se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhet dhe se vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, pasi sipas tij, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht.
Ai ka thënë se përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë. Këto komente Thaçi i ka bërë të hënën, në takimin me kabinetin qeveritar, ku kanë diskutuar për integrimet evropiane të Kosovës.
“Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane. Shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithë etnik në vizionin integrues euro-atlantik. Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për marrëveshjen e Stabilizim asociimit. Por e vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen. Vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht. Përderisa, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë”, ka thënë Thaçi, transmeton Kosovapress.
Ai ka shtuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, as procese të përshpejtuara, “por vetëm kërkojmë trajtim të barabartë sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ai ia ka bërë me dije Bashkimit Evropian se nuk duhet të tolerojë vrima të zeza në kontinentin Evropian.
Thaçi shfaqi mospajtimin e tij që mos njohja nga pesë vendet e BE-së po shihet si justifikim për të mos marrë një përkushtim të drejtë dhe të përgjegjshëm në përputhshmëri me interesat, punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë evropiane të Kosovës edhe nga Brukseli.
Ai u ka thënë ministrave që të përkushtohen rreth plotësimit të kritereve dhe pyetjeve në pyetësorin që dalin nga raporti për nisjen e studimit të fizibilitetit me Kosovën.
Sipas kryeministrit, studimi i fizibilitetit do të vlerësojë nëse kriteret politike, legjislative, ekonomike dhe standardet tjera evropiane janë të plotësuara në masë të madhe dhe të mjaftueshme, me qellim të fillimit të negocimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Më 7 maj, Ministria e Integrimit ka pranuar pyetësorin me mbi 450 pyetje për të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Përgjigjet e pyetësorit do të dorëzohen më 8 qershor Komisionit Evropian. Pas dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit më 18 qershor, misioni fakt-mbledhës i Komisionit Evropian do të arrijë në Kosovë me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit.
Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij dokumenti, kryeministri Thaçi u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që gjatë muajit maj-qershor të ta kenë prioritet plotësimin e pyetjeve në pyetësor.