Muja përkrahë mbajtjen e zgjedhjeve në UP

Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Mujë Rugova është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në UP, duke përfshirë edhe ato studentore. Kjo u bë e ditur pas takimit të Senatit të UP-së ku është diskutuar për një varg pikash.

Sa i përket projekt statutit të UP-së, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë, rektori dhe senatorët janë pajtuar që ai të kalojë në shqyrtim dhe të analizohet detajisht nga anëtarët e senatit. Ferdane Lloçari, këshilltare e rektorit, shprehet se rezultatet e analizave në fjalë do të përmblidhen nga grupi shtatë anëtarësh, dhe këto rezultate do të prezantohen në mbledhjen e ardhshme, raporton Kosovapress.

“Gjatë mbledhjes së sotme, rektorit i Universitetit të Prishtinës, Dr. Mujë Rugova, i përkrahur unanimisht nga anëtarët e Senatit të UP-së, i kërkuan Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Arsimit, që ta procedojë Udhëzimin Administrativ për Mbajtjen e Zgjidhjeve të Gjithmbarshme në UP, duke i përfshi edhe ato studentore”, tha Llonçari.
Ky reagim i rektorit dhe anëtarëve të senatit vjen pas presionit të organizatave studentore të cilat kërkojnë mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve në UP.