Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi është takuar të martën me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar. Ky i fundit vlerësoi progresin e arritur, mirëpo sipas tij, pas vendimeve të marra në Bruksel, për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, duhet të vazhdohet me ndërmarrjen e reformave dhe arritjen e progresit në mënyrë që Kosova të zë hapin e shteteve tjera të rajonit, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për procesin e liberalizimit të vizave, sundimin e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë në veri dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian i ofron Kosovës në këtë drejtim, përmes mekanizmave të saj që veprojnë në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Rexhepi premtoi që Qeveria e Republikës së Kosovës do të shtojë angazhimet dhe kapacitetet në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga ky proces, me marrjen e udhërrëfyesit në të ardhmen e afërt dhe ritheksoi angazhimin për qasje konstruktive në zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në veri të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, vlerësoi progresin e arritur dhe theksoi se pas vendimeve të marra në Bruksel, për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, duhet të vazhdohet me ndërmarrjen e reformave dhe arritjen e progresit në mënyrë që Kosova të zë hapin e shteteve tjera të rajonit, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.