Inspektoratit Policor të Kosovës këto ditë i janë shtuar edhe dhjetë pjesëtarë të rinj. Por, për dallim nga kolegët tjerë, që ishin më herët pjesë e IPK-së, inspektorët e rinj nuk janë përzgjedhur nëpërmjet konkursit publik dhe sipas rregullave ligjore në fuqi, por kanë hyrë në mënyrë “klandestine” si parashutistë.
Inspektorët e rinj, të cilët janë pranuar në këtë institucion, i cili e inspekton dhe e mbikëqyr punën e Policisë, janë “transferuar” nga Policia e Kosovës, ndonëse sipas ligjit, IPK-ja është agjenci e pavarur nga Policia, por që i përgjigjet ministrit të Brendshëm.
Shkuarjen e këtyre pjesëtarëve të Policisë në IPK pa kurrfarë konkursi e kanë konfirmuar burime të “Zërit” të afërta me Policinë e Kosovës. Sipas këtyre burimeve, të dhjetë pjesëtarët e Policisë tash e sa ditë kanë nisur punën në Inspektoratin e Kosovës.
Mirëpo, sipas këtij burimi, ky nuk është rasti i vetëm që janë bërë “transfere” nga Policia në IPK.
“Edhe para disa muajsh, nga Policia e Kosovës janë “transferuar” tre persona në administratën e IPK-së”, thotë ky burim i Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, një burim tjetër i gazetës, i afërt me IPK-në, ka thënë se këto transferime kanë ndodhur pikërisht tani kur pritet të ndodhë edhe plotësimi i disa pozitave vakante të IPK-së.
Mirëpo, shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni , nuk ka dashur të flasë me “Zërin”, për këtë çështje. Me të marrë vesh për temën në fjalë, shefi i Policisë ka thënë se për çdo çështje gazeta duhet të flasë me zyrën për informim.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani, e ka pranuar faktin se 10 pjesëtarë të policisë i janë bashkuar Inspektoratit Policor. Mirëpo, sipas tij, ky transfer nuk është bërë në kundërshtim me ligjin.