Drews: Prioritet lëvizja e lirë në veri

Komandanti i KFOR-it, gjeneral gjerman Erhard Drews, në një intervistë për gazetën serbe "Pravda” ka thënë se prioritet i misionit që ai udhëheq është krijimi i lëvizjes së lirë në veri të Kosovës.

Sipas kësaj gazete gjenerali gjerman ka përsëritur se Beogradi dhe Prishtina duhet sa më shpejt  të arrijnë një marrëveshje poltike në veri të Kosovës, e cila duhet të jetë e pranueshme për njerëzit që jetojnë atje.
Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë gjenerali Drews ka thënë se ajo është stabile.
“Një nga prioritetet tona është krijimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, në veri të Kosovës. Edhe atje situata është e qetë. Megjithatë, mos realizimi i kushteve për liri të lëvizjes atje është problemi kryesor. Kjo duhet të zgjidhet”.
I pyetur të komentojë paralajmërimin për rrezikun nga trazirat në Kosovë për shkak të referendumit në veri, i cili do të mund të shkaktonte konflikt në pjesën jugore të lumit Ibër, Drews ka thënë se: “kam paralajmëruar se grupet ekstremiste në jug të Ibrit rezultatin e referendumit mund ta marrin si një provokim. Kam thënë se autoritetet e sigurisë në Kosovë janë të vetëdijshëm për këto rreziqe dhe të gatshëm për të reaguar në një situatë të tillë. Nuk pati trazira dhe kjo është mirë”.