Në raportin e Stejt Departamentit Amerikan për tregtinë e drogës në botë, “Strategjia ndërkombëtare e kontrollit të narkotikëve 2012”, thuhet se urgjentisht duhet zgjidhur problemin e trafikimit të drogës nëpërmjet dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës.
Në këtë dokument të qeverisë amerikane, në të cilin gazeta serbe “Blic” ka pasur qasje, thuhet se “është e nevojshme që urgjentisht të zgjidhet problemi i funksionimit të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku duhet mbyllur kalimet ilegale dhe penguar tregtinë e drogës”.
Në raport thuhet se Serbia është vend transiti i drogës nga Afganistani, Azia qendrore dhe Turqia deri të vendet e Evropës qendrore dhe perëndimore. Gjithashtu pohohet se si në Serbi edhe në Mal të Zi dhe në Shqipëri duhet që sa më parë të ndërpritet rrjedha e narkotikëve drejt vendeve të Evropës.
Në pjesën për Kosovën, për të cilën është shkruar ditë më parë, Kosova është cilësuar si vend transit i narkotikëve por jo edhe i prodhimit dhe përpunimit të tyre.