Tinëz për veriun

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se është duke përgatitur agjendë të fshehtë politike për veriun.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Selimi u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve të angazhohen në parandalimin e këtyre agjendave, të cilat i ka vlerësuar të rrezikshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është duke bërë agjendë të fshehtë për veriun e Kosovës, e jo vetëm për veriun. Prandaj, të gjithë duhet të angazhohemi, jo vetëm ta demaskojmë këtë Qeveri, por edhe ta parandalojmë realizimin e këtyre agjendave të fshehta për veriun, të cilat janë të rrezikshme”, ka deklaruar Selimi.
Për më tepër, sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke i ndihmuar Serbisë në përgatitjen e një terreni për të marrë vendime politike për veriun e Kosovës.
Në këtë kontekst, Selimi ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të reagojë ashpër ndaj çfarëdo agjende e cila është në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.
Në vazhdim, Selimi ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i përmbushin obligimet e tyre për kthimin e normalitetit në veri të Kosovës.