Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish shefit të Inspekcionit Fitosanitarë-Kufitarë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, dhe asistentes së tij.Të arrestuarit janë Milazim Xani dhe asistentja e tij, Elmaze Ahmeti për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete.
Të dy zyrtarët gjatë periudhës janar-qershor 2010 kanë lëshuar gjithsej 1.789 leje për importin e mallit për 489 kompani private, të cilat kompani kryesisht merren me importin e mallrave të ndryshme ushqimore dhe bimore.
“Këto kompani i kanë përdorur lejet në pikat kufitare gjatë importimit të mallrave, me ç’rast të pandehurit nga përfaqësuesit e kompanive kanë kërkuar që pagesat t’i bëjnë në zyrat e tyre me para në kesh për secilën leje në shumë prej 41€ dhe këto para i kanë ndalur për vete. Ndërkaq, lejet nuk i kanë regjistruar në librin e protokollit dhe nuk i kanë paraqitur në raportin financiar-mujor dhe vjetor për vitin 2010, duke përfituar në këtë mënyrë shumën e përgjithshme prej 73.349,00€, me të cilën shumë e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe t’i obligojë që ta kompensojnë buxhetin e Republikës së Kosovës shumën prej 73.349,00€.