Zëvendëskryeministri, Bujar Bukoshi ka thënë se nuk ka asnjë ingranazh në afera korruptive. Deklaratat e tij vijnë pasi që Organizata “Fol” tha se ndaj tij Prokuroria ka iniciuar hetime nën dyshime për korrupsion.
Bujar Bukoshi është i qetë. Së paku kështu thotë ai. Bukoshi, që është një nga gjashtë zëvendëskryeministrat e vendit, nuk ka ndonjë koment të veçantë për deklarimet e organizatës joqeveritare “Fol”, që thonë se Bukoshi është duke u hetuar nga misioni i EULEX-it. Madje ata të hënën kërkuan që ai të jepte dorëheqje.
Por vetë Bukoshi thotë se ndihet rehat. “Nuk kam asnjë ingranazh në afera korruptive dhe nuk u takoj atyre njerëzve”, thotë Bukoshi për gazetën “Express”.
Madje ai sqaron se respekton punën e “Fol’it”. “Është e drejtë e tyre të deklarohen për çfarë ata mendojnë”, thotë Bukoshi. “Për më shumë nuk kam koment”, thotë shkurt ai.
Ndonëse nuk kanë saktësuar se për çfarë mund të jetë duke u hetuar zëvendëskryeministri Bukoshi, drejtuesit e lëvizjes “Fol” i kanë kërkuar atij të japë dorëheqje.
Nëpërmjet këtij veprimi, drejtuesit e “Folit” kanë thënë se Bujar Bukoshi do të jepte shembullin, e se njësoj do të duhej të vepronin edhe drejtuesit e tjerë të institucioneve, të cilët janë të korruptuar.
Megjithëkëtë, vetë zyrtarë të EULEX-it nuk kanë qenë në gjendje të hënën të konfirmojnë asgjë, nëse zëvendëskryeministri Bukoshi është nën hetime.
“Nuk kemi koment”, thotë shkurt Blerim Krasniqi, një nga zyrtarët për media të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Pavarësisht kësaj, drejtues të lëvizjes ”Fol” kanë deklaruar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duhet të jetë përgjegjës për nivelin e lartë të korrupsionit në Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, në institucionet lokale dhe ndërmarrjet publike, ka shkelje të madha ligjore si në tenderë të ndryshëm, prej të cilave prin KEK-u.