Djelic: Heqja e strukturave paralele, kusht i BE-së

Zyrtari i Partisë Demokratike të Serbisë, Bozidar Djelic, ka thënë se në procesin e integrimit evropian Serbisë mund t’i paraqiten disa pengesa, veçmas me kërkesën e disa vendeve për largimin e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

"Nuk ka ndonjë ultimatum të cilin Serbia do të duhej ta përmbushë në mënyrë që të marrë datën e fillimit të negociatave për pranim në BE, por mund të shfaqen disa pengesa, sidomos me kërkesën e disa vendeve që të zvogëlohet ndikimi i Serbisë në veri, përmes eliminimit të strukturave që financohen nga Beogradi”, ka thënë Djelic për “Danas ".
I pyetur nëse Serbia do të heq institucionet paralele në Kosovë dhe cilat vende të BE-së do të mund të kërkonin një gjë të tillë, Djelic ka thënë se për Serbinë ato institucione nuk janë paralele, por “të vetmet kushtetuese në veri, eliminimi i të cilave lehtë mund të shkaktojë një eksod".
"Unë pres që Gjermania dhe disa vende të tjera, të kërkojnë një marrëveshje me ne për këtë çështje tejet të ndjeshme. Ne duhet të sigurojmë që këto kushtëzime të ndodhin sa më shpejt të jetë e mundur, nëse jo në samitin e BE-së në qershor, atëherë shtator", tha Djelic.
Ai shprehu besimin se "këto pengesa nuk do të jenë e pakapërcyeshme, por ne duhet së shpejti të fillojmë dialogun dhe të gjejmë një kompromis me bashkësinë ndërkombëtare", tha ai.
Bozidar Djelic, është anëtar i Kryesisë së PD të Boris Tadiqit dhe ish-zëvendëskryeministër i Serbisë.