Në ditën e parë të vizitës në Parlamentin Evropian në Strasburg, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takime me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane. Përfaqësuesit e pesë shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën e kanë siguruar ministrin Hoxhaj se do ta mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës.
Hoxhaj në takime të ndara me përfaqësues dhe deputetë të pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i ka informuar ata për reformat e brendshme dhe për procesin e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin për media thuhet se Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan dhe Evropë.
Në njoftimin për media thuhet se Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan dhe Evropë.
Ministri i Jashtëm, po ashtu ka shtuar se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, asnjë vend nuk ka arsye legale që ta shtyjë vendimin për njohje formale të saj.
“Njohja e Kosovës ka sot një gjeografi globale dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është një proces i pakthyeshëm”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të këtyre pesë shteteve, kanë siguruar Ministrin Hoxhaj se do ta mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
Ata kanë vlerësuar progresin e vazhdueshëm që ka arritur Republika e Kosovës në vitet e fundit si faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Hoxhaj ka zhvilluar po ashtu një takim me Elmar Brok, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian që të mbështesë edhe më fuqishëm aspiratën e dy milionë kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Schengen dhe për fillimin sa më të shpejtë të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka siguruar ministrin Hoxhaj se ky Komision do të jetë një zë i fuqishëm brenda Parlamentit Evropian për një perspektivë të qartë evropiane të Kosovës.