Sa Pinto: Bielsa, ndër tre më të mirët

Menaxheri i Sporting Lisbonës, Ricardo Sa Pinto, ka lavdëruar rivalin e sotëm të Europa League, trajnerin e Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa.
“Athletic është një skuadër shumë e fuqishme, edhe në shtëpi edhe në udhëtim. Shtypi spanjoll flet për ta sikur të ishin Barcelona e dytë. Ata e luajnë topin që nga mbrojtja, por kur nuk e kanë atë opsion, ata po ashtu shkojnë me pasime të gjata”.
“Ata janë një skuadër me një lëvizshmëri dhe kreativitet të shkëlqyeshëm, që gjithmonë përpiqen të luajnë në një tempo të lartë. Ata janë një skuadër agresive, sulmuese ku gjashtë ose shtatë lojtarë janë të gatshëm ta përfundojnë lëvizjen. Duket sikur ata kurrë nuk lodhen, ata japim gjithçka”.
“Tre trajnerët më të mirë bë botë janë në ligën spanjolle - Jose (Mourinho), Pep (Guardiola) dhe Bielsa. Ai ka instaluar identitetin e tij dhe një lloj tjetër të lojës, me të cilën unë jam përballur ndaj Athletic si lojtar”, ka thënë Sa Pinto, ish-lojtari i Real Sociedad. 

NBA: Bostoni kampion i Divizionit Atlantic

Paul Pierce ka bërë një kërcim vendimtar për të shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes dhe për t’i dhënë Boston Celtics titullin e Divizionit Atlantic pas fitores 102-98 ndaj Orlando Magic.
Pierce mbuloi mungesën e të lënduarit Rajon Rando duke dërguar 14 astistime, por shënimi i tij me shtatë sekonda të mbetura, u dha Celtics katër pikë epërsi dhe largoi dilemën e fituesit,.
Pierce ishte i saktë edhe nga dy gjuajtje të lira në çastet e fundit të ndeshjes, për të çuar në 29 pikët e tij në këtë takim. Boston shënoi fitoren e 37-të të sezonit (26 disfata) dhe tashmë ka siguruar pozitën e parë në Divizion dhe të katërt në Konferencën Lindore.
New York Knicks mbeten tre ndeshje e gjysmë prapa Bostonit me edhe katër ndeshje të mbetura dhe mund t’i arrijnë rivalët, por jo edhe t’i tejkalojnë ata.
Orlando (36 fitore dhe 26 disfata), qëndron në pozitën e gjashtë të Lindjes.

Guardiola: Ndeshja nuk fitohet me posedim

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, mendon se Chelsea është favorit për t’u kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve, pasi fitoi me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar mbrëmë në Stamford Bridge.
“Një-zero është një rezultat shumë i mirë për ta. Ata janë favoritë”, ka thënë Guardiola, i cili po ashtu ka refuzuar të kritikojë rivalët për fokusim në mbrojtje.
“Ky është futbolli. Nuk është çështje për drejtësi apo padrejtësi. Urime për Chelsean. Ne do ta fitonim çdo ndeshje nëse posedimi i topit do ta vendoste rezultatin, pasi mesatarja jonë është më e madhe se e çdo kundërshtari”.
“Por më e vështira në ndeshje është ta dërgosh topin në rrjet dhe kjo është çfarë ne nuk mund ta bënim sonte. Ne duhet të fokusohemi në ndeshjen e kthimit tash dhe të përpiqemi të krijojmë numrin e njëjtë të shanseve”.
“Nuk do të jetë e lehtë, ata do të kenë 10 lojtarë prapa topit, ata do të mbrohen, ata janë më të fuqishëm se ne, ata vrapojnë, ata kërcejnë më shumë se ne. Por ne duhet të përpiqemi dhe ta marrim ndeshjen në kontroll dhe të zbulojmë një mënyrë për të shënuar gola”, ka deklaruar spanjolli. 

Di Matteo: “Pleqtë” e dëshmuan veten

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, u është kundërpërgjigjur kritikëve pas fitores ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Chelsea ishte kritikuar këtë sezon se ka një skuadër të plakur, por Blutë arritën ta ndalojnë kampionin në fuqi të Evropës dhe madje i mposhtën ata falë një “të moshuari” si Didier Drogba, i cili shënoi golin e vetëm të takimit.
“Në të kaluarën, shumë njerëz kanë dhënë mendimin se djelmoshat tanë ishin përtej vijës dhe shumë të moshuar për të luajtur në këtë nivel”.
“Nuk ishte vetëm Didier, por shumë lojtarë në skuadrën tonë, për të cilët u tha se nuk mund të luajnë dy ndeshje në një periudhë aq të shkurtër të kohës. Ata e dhanë përgjigjen e tyre në fushë”, ka thënë italiani. 

Pedro: Fitorja e Chelseat e padrejtë

Anësori i Barcelonës, Pedro Rodriguez, thotë se disfata në Ligën e Kampionëve nga Chelsea ishte “e padrejtë”.
Barcelona dominoi ndeshjen, por ishte Chelsea që doli fitues, pasi Blutë arritën të shënojnë golin e vetëm të ndeshjes me anë të Didier Drogba.
“Sigurisht që është e padrejtë, pasi për mënyrën se si ne luajtëm ne duhej të kishim nxjerrë një rezultat më të mirë. Ne ishim më të mirë, por në ndeshje si kjo këto gjëra mund të ndodhin dhe ne duhet ta pranojmë”.
“Ne krijuam mjaft shanse, luajtëm një ndeshje të mirë pasi gjithë kohës ishim në kontroll. Është për të ardhur keq që ata shënuan atë gol në kundërsulm”, ka thënë Pedro.

Terry: Një prej netëve më të mira

Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se fitorja ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve ishte një prej netëve më të mira të tij me klubin.
Didier Drogba shënoi të vetmin gol të ndeshjes, derisa Blutë fituan me rezultat 1-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale.
“Kjo do të kujtohet si një prej netëve tona më të mira. Ishte një paraqitje e palodhshme dhe ne nuk e prekëm topin në 15 minutat e para. Didier ishte thjesht i mrekullueshëm”, ka deklaruar Terry pas ndeshjes.

Katër çmime në SHBA për fotot Snownjeri të Arben Islamit

Arben Islamin e njohim për fotografitë e tij nga shtigjet e skijimit dhe të ecjes nëpër të gjitha bjeshkët e Kosovës. Ai tani është fitues i katërfishtë për fotografitë më të klikuara, në një konkurs amerikan.
Si ndodhi që ai të jetë pjesë e kësaj gare dhe fitues i saj, shpjegon vetë Arbeni.
“Në fillim të vitit 2012 e pashë një link nga web faqja më e popullarizuar në botë për skijim, Tetton Gravity Research, me bazë në USA. Ata kërkonin foto kualitative, të bëra jashtë shtigjeve të skijimit (off-piste). E pashë që ishte shans i mirë për të konkurruar, pasi qe kisha shumë foto të tilla, të bëra në shtigjet e Brezovicës dhe qendrat e tjera të skijimit në Kosovë. Ky ishte edhe një rast i mirë për ta reklamuar Kosovën dhe shoqatën Snownjeri në botë, por edhe vetë Kosovën”.
“I pashë fotot që deri në atë kohë ishin postuar dhe vendosa t’i postoj edhe unë të miat. I dërgova 20 foto dhe muaj pas muaji, numri i personave që i pëlqenin fotot e mia rritej.Sipas Tetton Gravity Research, duhej që një foto të fitonte numër të caktuar ‘Like’ (pëlqime) në mënyrë që të zgjidhet në top 25 fotot, të cilat pastaj do të hynin në përzgjedhjen e ngushte prej 5 fotove”, ka pohuar Arbeni.
Pas 3 muajve Arbenit dje i erdhi lajmi se nga 200 fotot e postuara nga e tërë bota, tre nga fotot e tij u plasuan në vendin 1, 3 dhe 4.
Arbeni tregon se si shpërblim për fotot fituese mori një palë veshmbathje profesionale për skijim.
Organizimin e kësaj gare brenda organizatës "Tetton Gravity Research" e ka bërë firma e mirënjohur e veshmbathjeve sportive GORE-TEX.

Kushtrim Hoxha në “Old Globe”

Në një audicion në të cilin kanë aplikuar 1880 aktorë, janë pranuar vetëm 7 të tillë. Nuk do të ishte lajm i madh, por njëri nga këta fatlumë është aktori kosovar Kushtrim Hoxha.
Ky i fundit është pranuar për të qenë pjesë e teatrit Old Globe në San Diego të Kalifornisë, gjegjësisht programit “Master of Fine Arts”(Master i Arteve të Bukura).
Hoxha ka filluar me audicionet vitin e kaluar, në janar ka hyrë në listën e ngushtë, ndërsa sapo ka marrë lajmin që midis aktorëve nga Nju-Jorku, Nju-Xhersi dhe Los-Anxhelosi gjendet emri i tij dhe i shtetit të Kosovës.
“Audicionin e kam filluar vitin e kaluar, kur edhe i kam nisur përgatitjet. Në janar të këtij viti më kanë lajmëruar se kam hyrë në rrethin e dytë”, ka thënë Hoxha. Shkurti i këtij viti Hoxhën do ta gjente në Amerikë për dy audicionet e fundit.
“Aty kemi qenë 30 aktorë dhe vetëm shtatë jemi pranuar”, ka shtuar ai.
Shtatë monologë, prej tyre katër nga Shakspeare dhe tre të tjerë nga autorë të ndryshëm, do të bindnin jurinë që Hoxha të bëhej pjesë e universitetit dhe teatrit. E vendimin për pranim do t’ia kumtonte Hoxhës edhe i pari i këtij universiteti, Richard Seer.
“Është kënaqësi që t’ju njoftoj se jeni pranuar në ‘The Old Globe-Universiteti i San Diegos’ në programin e aktrimit, vitin tjetër”, ka shkruar Seer.
Oferta për Hoxhën përfshin një bursë të plotë dyvjeçare me kosto prej më shumë se 100 mijë eurosh. 

Turne botëror i Tupac Shakur?

Organizimi i një turneu botëror i Tupac Shakur, 16 vite pas vdekjes së tij, është i mundshëm, bëjnë të ditur drejtues të kompanisë projektuese holografike Musion.
Kompania në fjalë, e cila krijoi në formë hologrami (animacioni 3-D) reperin e ndjerë duke bërë që ky “vizatim” të performojë “live” me Dr Dre dhe Snoop Dogg në festivalin e muzikës Coachella vikendin e kaluar, mendon se do të ishte ide e shkëlqyeshme që Tupac, i cili u vra në vitin 1996, të mund të jetë në turne botëror.
“Kjo qartazi është një iniciativë historike dhe ngazëlluese për të cilën ne të gjithë jemi dëshmitarë, dhe do të kishte kuptim ta çojmë atë në Evropë dhe ndoshta edhe në gjithë botën”, ka thënë për NME drejtori i muzikës i Musion, Sanj Surati.
Më herët ishte thënë se përfaqësues të Dr Dre dhe Snoon Dogg planifikojnë të diskutojmë mundësitë e një turneu nëpër stadiume, ku dyshja do të shoqëroheshin edhe nga versioni hologram (i animuar) i 2Pac, dhe ku do të mund të përfshiheshin edhe yjet tjerë të hip-hopit, si Eminem, 50 Cent dhe Wiz Khalifa. 

Victoria e obsesionuar me shopingun online

Victoria Beckham thotë se ajo është e obsesionuar me shitoren online Net-A-Porter pasi është shumë e ngarkuar të dalë në shoping.
Këngëtarja e shndërruar në dizenjate të modës, e cila ka katër fëmijë me burrin e saj David Beckham, thotë se ajo rrallë gjen kohë për të dalë për të blerë, ashtu që shumicën e veshjeve gjen në ueb-sajtin luksoz të modës.
“Më pëlqen të blej online. Më pëlqen Net-a-porter në veçanti. Duke qenë një nënë që punon me katër fëmijë, mundësia për të blerë në internet është gjë e mrekullueshme”, ka thënë ajo
Victoria, 38-vjeçare, së fundi ka lansuar faqen e saj në Facebook dhe shpreson kështu të mbajë të informuar fansat e saj bë lidhje me linjën e saj të veshjeve.

Adrian Gaxha në lidhje me Simona Poposkan?

Adrian Gaxha si duket më shumë preferon maqedonaset se sa vajzat shqiptare. Ai nuk u largua për asnjë moment nga këngëtarja Simona Poposka nga Ohri në një promovim të këngëtarit Robert Bilbilov në Shkup.
Adrian Gaxha, i cili tashmë një kohë të gjatë nuk është shfaqur në publik, u përshëndet me shumë miq të tij, por përsëri kthehej në përqafimin e biondes atraktive, transmeton portali Shqipmedia.
“Ajo është një nga këngëtaret më të mira. Vetëm në qoftë se do të isha i çmendur nuk do të doja të isha me Simonën. Shiheni se çfarë çifti jemi. Jemi të krijuar për njëri tjetrin”, është shprehur Adrian Gaxha.
Këngëtari shqiptar nga Maqedonia para dy muajve i dha fund lidhjes dy vjeçare me modelen dhe prezantuesen Luana Vjollca, e cila jeton në Tiranë.

Narcisoidët, më të shkathët për punësim

Personat narcisoid kanë vetërespekt të madh, janë më të shkathët në komunikim dhe më mirë promovojnë veten, çka ua jep përparësinë gjatë bisedës për punë; pohojnë, shkencëtarët nga Universiteti Nebraska.
Në një hulumtimi të kryer nga revista Journal of Applied Social Psychology, ekspertët kanë vlerësuar nivelin e personave narcisoidë dhe kanë vërtetuar se këta persona, janë më të shkathët në komunikim. Vetëpromovuesit ishin të buzëqeshur, me humor të mirë, kanë folur shpejt, por edhe në mënyrë të relaksuar. Kanë marrë nota më të mira sesa kandidatët me kualifikim të njëjtë, të cilët nuk janë vetëpromovuar.
Punëdhënësit nuk anojnë ndaj asaj që të punësojnë personat narcizoidë, por kjo ndodh më së shpeshti, sepse personat e tillë lënë përshtypjen e vetëbesimit dhe të aftësisë.
“Ka shumë pak dëshmi për atë që personat narcizoidë janë punonjës më shumë apo më pak efikas. Por, ajo që dimë që është që mund të jenë shumë destruktivë për personat që i rrethojnë çdo ditë”, ka shtuar prof. Harms. 

Droga afrikane, zgjidhje radikale për narkomanët

Një element halucinogjen i quajtur Ibogaine, që nxirret nga një bimë në Afrikë, duket se shkakton zvogëlimin dhe zhdukjen e simptomës së varësisë nga heroina, kokaina dhe alkooli.
Që nga vitet 1960, një grup shkencëtarësh dhe njerëzish që dikur kanë qenë nën varësinë e drogave, kanë bërë thirrje për një mënyrë radikale trajtimi të varësisë nga drogat, një element halucinogjen të quajtur Ibogaine, që nxirret nga një bimë në Afrikë dhe që duket se shkakton zvogëlimin dhe zhdukjen e simptomës së varësisë nga heroina, kokaina dhe alkooli.
Doktori Anwar Jeewa nga Afrika Jugore ofroi një zgjidhje radikale, drogën halucinogjene që përdoret në ceremoni tribale në Afrikën Qendrore. Ai vlerëson se rreth l mijë vetë i ka trajtuar me Ibogaine dhe ka pasur sukses, por mjekësia konvencionale ende nuk e njeh këtë metodë.
Në Holandë është hapur një klinikë që nga vitet 1980 dhe që përdor këtë drogë për të luftuar drogën dhe klinika të tilla po hapen në Kanada, Meksikë dhe Afrikën e Jugut. 

Spotify me dizajn të ri në Android

Spotify ka zbuluar dizajnin e ri të aplikacionit të saj për Android, me të cilin ajo synon të ofrojë një aplikacion shumë më të pastër vizuelisht, dhe të lehtë për tu përdorur.
Dizajni i ri i aplikacionit të Spotify përfshin sistemin e navigimit rrëshqitës, i cili gjendet në anën e epërme lart, dhe i njëjti ofron navigim të lehtë në të gjitha opsionet e ofruara në aplikacion.
Mirëpo, sipas Spotify, aplikacioni i ri nuk do të ofrohet automatikisht në të gjitha pajisjet mobile Android, pasi që fillimisht ofrohet me kompatibilitet të plotë vetëm në telefonat që janë të pajisur me Android 4.0 Ice Cream Sandwich (ICS).

Google – Android i rëndësishëm, por jo edhe kritik

Në ditën e dytë të gjykimit në rastin e padisë me Oracle, CEO i Google Larry Page tha se “nuk është i sigurt” nëse Android është produkt kritik për kompaninë.
Ajo për cilën gjë ai ishte i sigurt është se Android për kompaninë e tij është “shumë i rëndësishëm”.
Page sqaroi se Android është i menduar të jetë mjet me të cilin shërbimet ekzistuese të kompanisë do ti ofroheshin shfrytëzuesve të pajisjeve mobile. Ai tha se në Google kishin “vitrinën me 100 celularë”, por asnjëri prej tyre nuk i përdorte shërbimet e kompanisë në mënyrë korrekte, ndërsa që zhvillimi i shërbimeve në mënyrën që dëshironte kompania nuk ishte i mundur. Bashkëpunimi me Apple u tregua si shumë i suksesshëm, e vendi i kërkuesit të preferuar në Safari për iOS për Google është ende mjaftë i rëndësishëm.
Dëshmia e Page-it në rastin në të cilin Oracle po mundohet të dëshmoj fajësinë e Google për përdorimin e Javas në Android me këtë përfundoi. Gjykimi është i ndarë në tri faza të ndara – të drejtat autoriale, patentat dhe dëmet e në ditët në vijim priten dëshmitë e Eric Schmidt dhe Andy Rubin. 

Këtij i thonë ‘fat i zi’...

Një egjiptian, i cili për herë të parë vendosi që të vizitonte ndonjë faqe pornografike, u befasua “jo pak” kur videoja e parë që e gjeti tregonte gruan e tij me të cilën është në martesë që 16 vite.
Pasi e ka shikuar xhirimin shqetësues, burri i identifikuar si Ramadan është konfrontuar me gruan e tij, e cila nuk ka pasur zgjidhje pos të pranojë dhe t’ia tregojë detajet e të kaluarës së saj ku përfshihen 11 filma pornografikë.
Kjo nuk është e tëra... Ajo që vërtet e ka shokuar Ramadanin është se – përkundër martesës 16-vjeçare dhe katër fëmijëve që kishin së bashku – gruaja i ka thënë se asnjëherë nuk e ka dashur.
“Gjeta 11 filma që shfaqnin gruan time në skena të pahijshme me të dashurin e saj... Ishte hera e parë që shikoja një film pornografik dhe e bëra vetëm për kuriozitet”, ka thënë ai për gazetat egjiptiane.
“Gruaja fillimisht më akuzoi se nuk jam normal. Pastaj mi pranoi të gjitha dhe më tregoi se është akoma e dashuruar në ish të dashurin, sepse ai është i ri sa ajo, ndërsa unë jam një plak”, ka deklaruar Ramadani nga Dakhalia. 

Miqësia me bishën zgjat 45 minuta

Është vështirë të besohet se grabitqarët dhe preja e tyre mund të miqësohen, por kjo ka ndodhur, së paku për disa minuta.
Fotografi Marius Croetzee ka arritur të fotografojë një leopard duke luajtur me një antilopë të porsalindur në rezervatin Sabi Sand Game në Afrikën e Jugut.
Fatkeqësisht, pas atyre “minutave të miqësisë”, natyra e ka bërë të veten dhe antilopa ka përfunduar si ushqim i leopardit. 

Manekinia 43-vjeçare duket si adoleshente (Video)

Japonezja Masako Mizutani, e cila është 43-vjeçare, nuk ngjan aspak me moshataret e saj. Mund të thuhet se ajo duket si një adoleshente, ndërsa ka treguar se këtë dukje të re e ka ruajtur përmes kujdesit ndaj lëkurës.
Në të kaluarën, Masako është marrë me manekinizëm, kurse tani është amvise dhe nënë e një vajze 20-vjeçare.
Kohë pas kohë përmes blogut të saj i këshillon femrat rreth preparateve të caktuara kozmetike.
“Nuk ka femra të shëmtuara. Vetëm dembele”, thotë ajo duke treguar se pesë orë në ditë ia kushton vetëm lëkurës, ndërsa ka mohuar të ketë bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjike.
 

Statuja tregon ‘femrën gladiator’

Një statujë e vogël e bronztë e vjetër rreth 2.000 vjet, tregon një femër gladiatore pas fitores. Kjo është vetëm statuja e dytë e këtij lloji në botë.
Statuja tregon një femër të zhveshur në pjesën e sipërme, e cila rreth belit mban pakëz material dhe një lidhëse rreth gjurit të majtë.
Flokët e femrës janë të gjata dhe të rregulluara, ndërsa në dorën e çuar lartë mban një shpatë të vogël të lakuar. Kjo pozitë paraqet përshëndetjen ndaj publikut.
“Detajet në statujë tregojnë se model (për ndërtimin e saj) ka qenë person i vërtetë”, ka thënë Alfonso Manas nga Universiteti në Granada për Live Science.
Nuk është bërë e ditur se ku është gjetur kjo statujë, por ajo është vendosur në një muze në Hamburg të Gjermanisë. 

Terroristi më budalla i të gjitha kohërave

Kapja e komandantëve talibanë zakonisht kërkon mund të madh, shpenzime të mëdha dhe operacione mjaft të komplikuara. Megjithatë, jo gjithmonë ndodh ashtu.
Javë më parë në provincën Paktika në Afganistanin lindor, komandanti taliban Mohammad Ashan është paraqitur në një stacion policor me një urdhër arresti në duar, në të cilin gjendej fytyra e tij dhe ka kërkuar shpërblimin prej 100 dollarësh, ashtu siç premtohej në fotografi.
Autoritetet afgane e kanë arrestuar menjëherë, duke qenë se Ashan është i dyshuar për organizmin e së paku dy sulmeve mbi forcat afgane të sigurisë.
Kur forcat amerikane kishin ardhur për të konfirmuar nëse ishte vërtet Ashani, ata nuk kishin mundur të besonin.
“E pyetëm: ‘A je ti ky?’. Mohammad Ashan u përgjigj me një entuziazëm të jashtëzakonshëm: ‘Po, po, un jam! A mund ta marr shpërblimin tim tash?”, ka treguar për The Washington Post një përfaqësues i forcave amerikane, Matthew Baker.
Më pas, përmes skanimeve biometrike është treguar se bëhej fjalë për personin e vërtetë dhe ai është mbajtur në arrest. 

LDK: Muja si pasha i Prizrenit

”Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, e ka shndërruar Prizrenin në një pashallëk të tij ku ‘pret e vret’, pa e respektuar asnjë ligj të Republikës së Kosovës”. Kështu ka thënë të mërkurën dega e LDK-së në Prizren, përmes një reagimi, në të cilin partia më e madhe opozitare në këtë komunë ka shprehur shqetësimet për, siç thonë, mosrespektimin e ligjeve nga numri një i kësaj komune.
“Mosrespektimi i fundit i ligjit që e obligon që t’i dorëzojë Kuvendit Komunal një raport përfundimtar përmbledhës buxhetor jo më vonë se më datën 30 mars të këtij viti, është dëshmia se Ramadan Mujën asnjë matematikë më nuk e nxjerr nga balta e keqpërdorimeve, keqmenaxhimit dhe korrupsionit, kurse keqpërdorimi skandaloz i radhës i kabinetit Muja është tenderi për fazën përfundimtare të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton “Zëri”.
Në reagim theksohet se keqpërdorimet e Mujës hetohen pas ankesave dhe ky tender anulohet, por Muja dhe kompanitë e favorizuara nga ai, duke qenë mbi ligjin në Kosovë, kanë vazhduar punimet në shtëpinë e Kulturës në fshatin Zhur, edhe përkundër anulimit të tenderit.
“E ftojmë prokurorinë që ta hetojë edhe këtë rast në vijimësinë e hetimeve që po i bën kundër Mujës, për keqpërdorimet. Ramadan Muja nuk është vetëm në shënjestër të prokurorisë, e cila po e heton për shumë raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ngase keqpërdorimet e tij përditë e më shumë po dalin në sipërfaqe dhe ato po i publikojnë bizneset, shoqëria civile dhe vetë qytetarët. Historiani Ramadan Muja, do të jetë pjesa me e errët e demokracisë në qytetin e lashtë të Prizrenit. Ai është kryetari më i korruptuar në Republikën e Kosovës dhe një ditë do të përfundojë si personazhi më negativ i historisë më të re në udhëheqjen e qytetit të Prizrenit”, thuhet në reagimin e degës së këtushme të LDK-së.

Maqedonia kërkon viza për kosovarët?

Policia kufitare e Maqedonisë i ka kthyer prapa qytetarët e Kosovës, të cilët kanë tentuar ta kalojnë kufirin shtetëror për të hyrë në Maqedoni, të enjten. Policia maqedonase i ka rekomanduar qytetarët kosovarë që për të hyrë në këtë shtet paraprakisht të aplikojnë për vizë në Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë.
Nga ky vendim i palës maqedonase më së keqi e kanë pësuar nxënësit, studentët dhe punëtorët e fshatit Glloboçicë, të cilët punojnë e studiojnë në Tetovë, njofton “Zëri”.
Jeton Luma, nxënës i vitit të dytë në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë, është njëri nga ata i cili është kthyer prapa nga policia maqedonase në kufirin e Glloboçicës.
“Policia kufitare e Maqedonisë më ka kthyer prapa. Më thanë se për të hyrë në Maqedoni, së pari duhet të shkoni dhe të aplikoni për të marrë vizë në Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë”, ka pohuar Luma, i cili shprehet i shqetësuar për humbjen e mësimit.
Kthimin e qytetarëve nga policia maqedonase e ka konfirmuar edhe administratori i këtij fshati kufitar, Zymer Luma.
“Është e vërtetë që janë duke i kthyer prapa dhe po u kërkojnë vizë hyrëse për në Maqedoni”, ka thënë administratori Luma. Mësohet se vetëm nga Glloboçica janë rreth 20 punëtorë, 30 nxënës dhe rreth 15 studentë, të cilët udhëtojnë përditë për në Tetovë.
Burime policore në Kaçanik kanë thënë ndërkaq se, në kufirin e Hanit të Elezit nuk është kthyer asnjë qytetarë nga policia maqedonase.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, i pyetur nëpërmjet telefonit, ka thënë se nuk ka informacione se është duke ndodh diçka e tillë. “Nuk kam informacione të tilla, por nëse kjo është duke ndodhur mendoj se duhet të aplikohen masat reciproke edhe për qytetarët e Maqedonisë të cilët tentojnë të hyjnë në Kosovë”, ka porositur kryetari Suma.

KFOR-i nuk ka hasur në grupe të armatosura

Nuk kurrfarë indikacionesh të veçanta se në Kosovë ekzistojnë grupe të armatosura, ka thënë zëvendësi i zëdhënësit të KFOR-it, Mark Stimler. Ndërsa në Policinë e Kosovës thonë se duhet të verifikohet autenticiteti i pamjeve të transmetuara në televizion, ku shihen persona të armatosur.
Duke iu përgjigjur kërkesës së të ashtuquajturit ministër për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të hetojnë nëse në Kosovë ekzistojnë grupe ekstremiste të armatosura, zyrtari për informim i KFOR-it, Mark Stimler, i ka thënë agjencisë shtetërore serbe Tanjug, se KFOR-i nuk ka marrë kurrfarë kërkese që të bëjë ndonjë hetim të veçantë lidhur me personat e armatosur në veri.
Bogdanovic dje kishte kërkuara nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që urgjentisht të hetojnë nëse në veri të Kosovës ekzistojnë grupe ekstremiste të armatosura dhe nëse ekzistojnë ato të çarmatosen.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se varet nga prokurori publik nëse do të iniciohen hetime lidhur me ekzistimin e grupe të armatosura ë veri të Kosovës.
Ai ka thënë se pamjet e publikuara janë xhirime të një stacioni televiziv të shqiptar, "autenticitetin e të cilave duhet verifikuar”, janë bërë në veri të Kosovës.
“Me ekzistimin e këtij video materiali janë të njoftuar KFOR-i dhe EULEX-i, me të cilat policia bashkëpunon ngushtë dhe duhet të verifikohet autenticiteti i atyre pamjeve, në të cilat paraqiten qytetarë të armatosur”, citohet të ketë thënë Hoti për Tanjug.
Ndërsa zyrtari për informim i KFOR-it ka thënë se po verifikojnë nëse personat e armatosur janë duke lëvizur nëpër Kosovë. ”Kjo është detyrë parësore e policisë, por kur ne takojmë persona që posedojnë armë, për të cilat nuk kanë leje, ne ua konfiskojmë ato”, ka thënë Stimler.

Austria mbështet Kosovën në rrugën evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim drejtorin Politik të shtetit Austriak, Jan Kickert, ndërkaq ky i fundit ka shprehur mbështetjen e Austrisë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Në njoftim thuhet se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe të Austrisë, për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës dhe për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.
Hoxhaj ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza në zonën Schengen.
Në këtë takim është diskutuar edhe për gjendjen në veri të Kosovës dhe arrestimet ilegale të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e autoriteteve serbe.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka shprehur shqetësimin për këto raste dhe ka kërkuar më shumë presion nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë.
Nga ana tjetër, drejtori Politik, Jan Kickert, ka theksuar se shteti austriak do të vazhdojë të mbështes Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme.
Duke folur për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës, Kickert ka siguruar ministrin Hoxhaj se Austria do të mbështesë Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, gjatë studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim. 

BE e pakënaqur me reformën zgjedhore

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar dhe shtetet anëtare të BE-së përmes një deklarate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial në reformën zgjedhore në Kosovë, duke kërkuar kështu zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore.
Në deklaratë thuhet se rëndësia e një reforme gjithëpërfshirëse është nënvizuar në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011, në të cilat është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë, më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.
"Duke pasur parasysh mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për procesin e reformës zgjedhore në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë duan ta shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial deri më sot, veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se komisioneri evropian Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Prishtinë pati nxitur akterët që ta arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
“Duket se është e pamundur që objektivat e këtilla të realizohen brenda afatit të kufizuar në dispozicion. Prandaj, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë i inkurajojnë fuqishëm të gjitha partitë politike që angazhohen më substancialisht dhe ta shqyrtojnë zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore për një afat kohor të kufizuar, në mënyrë që të mundësohen një debat më i thellë, shqyrtimi i rekomandimeve të BE-së, përfshirja e shoqërisë civile dhe realizimi i objektivave fillestare të reformimit dhe thjeshtimit të procesit zgjedhor në Kosovë, në mënyrë që ky proces të jetë përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në fund të deklaratës.

Përkujtohet 13 vjetori i rënies së heroit Sali Çekaj

Sali Çekaj ishte një burrë i madh i Kosovës, fliste pak e punonte shumë, ka qenë njeri i matur dhe është munduar gjithmonë ta bëjë bashkë popullin, u tha në akademinë përkujtimore në 13 vjetorin e rënies së heroit, Sali Çekaj.
Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari në këtë akademi përkujtimore tha se heroi Çekaj ishte ndër të parët që theu kufirin shqiptaro-shqiptarë bashkë me Adem Jasharin dhe luftëtarët tjerë të lirisë.
Ai tha se Çekaj ishte njeri i matur, i qetë dhe që është munduar ta bëjë bashkë popullin e Kosovës.
Jashari në këtë akademi tha se ia kemi borxh dëshmorëve të kombit të gjejmë një gjuhë të përbashkët, të bashkëpunojmë nëse ia duam të mirën vendit tonë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, theksoi se thyerja e piramidës kufitare paralajmëronte ardhjen e një epoke të re.
Ai tha se me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptarë Ushtria Çlirimtare e Kosovës po hapte një kapitull të ri.
UÇK-ja, tha Kuçi, për asnjë moment nuk e ndali luftën e saj të vendosur për çlirim. “Dëshmorët e vendit janë krenaria e Kosovës”, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri.
Ndërkaq, bashkëveprimtari Sabri Hamiti, tha se Sali Çekaj ka rënë dëshmor duke thyer murin e Berlinit në mes shqiptarëve.
Ai e cilësoi Çekajn, si burrë të madh të Kosovës, i cili fliste pak, por punonte shumë për të mirën e vendit.
Në akademinë përkujtimore me rastin e 13 vjetorit të rënies së heroit Sali Çekajn, folën bashkëluftëtarë si dhe e bija e tij.
Beteja e Koshares, e cila identifikohet me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar njihet si një betejë historike që bëri kthesë të madhe në luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës.

Më 2 maj, verdikti për rastin “Kleçka”

Procesi gjyqësor në rastin “Kleçka” pritet të përfundojë më 2 maj. Kryetari i trupit gjykues, Jonathan Welford-Carroll, u ka shkruar të mërkurën pasdite prokurorit special, Maorizio Salustro dhe avokatëve mbrojtës, duke i njoftuar për këtë seancë. “Ju lutem, të informoheni se, duke pasur parasysh dërgesën e Prokurorisë të datës 4 prill 2012, trupi gjykues nuk do të lëshojë urdhëresa. Në seancën e ardhshme më 2 maj 2012 parashikohet që të përfundohet shqyrtimi gjyqësor (varësisht nga propozimet që do të mund të parashtronin palët)”, ka thënë ai në këtë njoftim.
Avokati Tahir Rrecaj e ka konfirmuar njoftimin. Ai pret që më 2 maj të shpallet aktgjykimi, sipas tij, lirues kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit e Naser Shalës.
“Ai aktgjykim do të jetë vetëm lirues, sepse nuk ka asnjë arsyetim që të ketë aktgjykim tjetër”, ka thënë Rrecaj, transmeton Koha.net.
Aktgjykimi pritet të shpallet pas refuzimit të prokurorit për ndryshimin e aktakuzës. Prokurori ishte treguar mospërfillës ndaj urdhrit të gjykatës, të shpallur më 30 mars. Ai kishte bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga versioni i aktakuzës së ngritur më 25 korrik të vitit të kaluar dhe të konfirmuar një muaj më vonë. Bile ka urdhëruar gjykatën që të veprojë njësoj sikurse ndaj gjashtë të akuzuarve të shpallur të pafajshëm edhe në rastin e katër të tjerëve.
“Gjykata tashmë e ka bërë këtë me gjashtë të tjerët të akuzuar, të cilët janë liruar dhe duhet të sillet në të njëjtën mënyrë në lidhje me katër të akuzuarit që janë ende në gjykim”, ka thënë prokurori, duke kërkuar nga trupi gjykues që ta revokojë vendimin për mospranimin e dëshmive të dëshmitarit Agim Zogajt.
Këtë përgjigje prokurori e ka dhënë pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit kundër të akuzuarve në rastin “Kleçka”. Me këtë aktgjykim, kolegji penal ka vendosur që gjykimi kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës e Naser Krasniqit do të vazhdojë për përgjegjësitë komanduese që kishin 13 vjet më parë në një nga zonat e luftës.
Përjashtimi i ditarëve dhe i dëshmive të Agim Zogajt si prova materiale mbi të cilat nuk mund të shpallej aktgjykimi për shkak të vdekjes së tij, ka bërë që një trup gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Jonathan Welford-Carroll t’i shpallë të pafajshëm, Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Anketa e Kosovapress: Topalli i VV fiton garën për Ferizajn

Një anketë e Agjencisë Kosovapress, e bërë lidhur me garën për kryetar të Ferizajt, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka nxjerr fitues kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, me 46 për qind të votave të grumbulluara, ndërsa pas tij është radhitur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Agim Aliu, me 42për qind të votave të mbledhura, i pasuar nga kandidati i tretë, Adem Salihaj, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) me 8 për qind të votave.
Dy kandidat të tjerë, Naim Ferati nga AAK-ja dhe kandidati i pavarur, Rrahim Radiku, janë renditur në pozitë e katërt, respektivisht të pestën, me nga 1 për qind të votave, ndërsa Ramadan Hasani nga AKR-ja, Bujar Ademi nga PD-ja dhe Ramadan Emini nga LB-ja, nuk kanë siguruar as 1 për qind të votave.
Në anketën e zhvilluar për disa ditë në faqen e Kosovapressit, e cila është njëra nga anketat më të votuara, kanë marrë pjesë 13371 respodentë.
Tre kandidatët që kanë marrë më së shumti vota në këtë anketë, secili në mënyrën e vet i ka vlerësuar rezultatet e këtij sondazhi.
Për, Faton Topallin, nga Lëvizja Vetëvendosje, rezultatet e kësaj anketë janë vlerësim i qytetarëve dhe tregojnë orientimin e tyre. Sipas tij kjo është pozitive, për faktin se në këtë anketë kanë votuar disa mijëra qytetarë, duke shprehur kështu vullnetin e tyre.
Edhe kandidati i PDK-së, Agim Aliu, anketën e ka quajtur si vlerësim qytetarë, por që ky vlerësim sipas tij në terren është ndryshe nga ai që është paraqitur në anketë dhe sipas tij shumëfish anon nga ai. Aliu ka thënë se sondazhet në nivel vendi nuk janë përcaktuese për zgjedhjet në Ferizaj, duke lënë të hapur edhe mundësinë e manipulimit.
Ndryshe nga dy kandidatët e parë, Adem Salihaj, nga LDK-ja, sondazhin e Kosovapressit , e ka quajtur jo real, të ndikuar, e anus, i cili sipas tij nuk paraqet disponimin real të qytetarëve. Ai ka thënë se sondazhi nuk është përcaktues dhe nuk jep mundësi të verifikimit. ”Kemi bërë anketa në formë elektronike, ku unë prij dukshëm ndaj të tjerëve, kështu që kjo anketë nuk është kredibile”, ka thënë Salihaj.
Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për njeriun e parë të Ferizajt, do të mbahen më 29 prill. Në garë janë 7 kandidat të subjekteve politike dhe një i pavarur. Partitë politike, të cilat nuk e kanë forcën e duhur për fitore, shpresojnë në koalicione pas raundit të parë zgjedhor.

Thaçi ‘konfrontohet’ me opozitën

Kryeministri, Hashim Thaçi në seancën e Kuvendit të Kosovës i është drejtuar deputetëve lidhur me situatën e tensionuar në veri, duke theksuar se nuk mund të pajtohet me thirrjet e disa deputetëve për përdorimin e forcës shtetërore për veriun e vendit, ndërsa gjatë seancës Thaçi është ‘konfrontuar’ ashpër me qëndrimet e opozitës.
Ai para deputetëve të Kuvendit theksoi se i kupton emocionet e qytetarëve dhe reagimet e deputetëve të emocionuar në lidhje me veriun, mirëpo theksoi se nuk mund të pajtohet me thirrjet e disa deputetëve për përdorimin e forcës në veri.
Kjo deklaratë e Thaçit vjen pas prononcimeve të ndërkombëtarëve të cilët kundërshtojnë ashpër përdorimin e forcës në veri dhe përsëritjen e 25 korrikut për kthimin e sundimit të ligjit.
Për kreun e ekzekutivit kosovar integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. “Kosova është një dhe e pandarë”, tha Thaçi.
Ai tha është zhgënjyese kur deputetët, duke iu referuar atyre të opozitës i kërkojnë kryeministrit të jetë në kuvend për gjendjen në veri, ndërkaq kur kryeministri del në foltore ata lëshojnë seancën dhe kjo, sipas tij, tregon se e tërë kjo nga opozita ka qenë me motive elektorale dhe nuk ka qenë interesi për gjendjen e sigurisë në vend.
Thaçi ka folur edhe për vrasjen e qytetarit Selver Haradinaj, të cilën e ka quajtur akt kriminal, ndërsa theksoi se janë duke u zhvilluar hetimet.
Kryeministri ka përmendur edhe arrestimin e policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, duke thënë se nuk është e drejtë që përgjegjësia t’i adresohet qeverisë, pasi sipas tij, ata kanë qenë me uniformë zyrtare, të armatosur dhe janë kidnapuar në territorin e Kosovës dhe si rrjedhojë është dashur ta mbrojnë Kushtetutën dhe territorin e Kosovës.
Lidhur me akuzat për takimet e zyrtarëve kosovarë me atë serbë, Thaçi tha se të gjithë, edhe ata nga opozita janë takuar me zyrtarë serbë, prandaj tha se është mirë që takimet e tilla opozita të paktën t’i bëjë publike.
Deklaratat e Thaçit për gjendjen në veri dhe për çështje tjera vijnë pasi, të mërkurën në seancën e jashtëzakonshme për veriun opozita ka lëshuar seancën kur Thaçi ka filluar të flasë për veriun.
Deputetë opozitar kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës se nuk po bën asgjë për veriun e Kosovës, madje sipas tyre gjendja është përkeqësuar krahasuar me vitet e mëhershme. Deputetët opozitarë po ashtu theksuan se zyrtarët qeveritar po harrojnë çfarë po deklarojnë, duke thënë fillimisht se do të mund të përsëritet 25 korriku për veriun, ndërsa tani thonë se nuk do të përdorin forcën.
Ndryshe, seanca po vazhdon me kritika të ashpra pozitë-opozitë, duke shkuar madje deri në atë masë, sa sipas tij opozita nuk do ta ketë rastin më të “shesë patriotizëm”.

Petrovic, vizitë në Monako

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic po qëndron për vizitë zyrtare në Monako ku ka pasur takime të rëndësishme zyrtarë dhe drejtues të lartë atje. Ai ka takuar Marie-Pierre Gramaglia - ministre për Zhvillim dhe Urbanizëm dhe Jose Badia - ministër i Punëve të Jashtme.
Gjatë takimeve me ministrat e Petrovic i ka informuar nikoqirët lidhur me progresin e arritur në Kosovë dhe aspekte të ndryshme të qeverisjes, zhvillimit ekonomik dhe kulturor dhe për mundësitë e investimeve në Kosovë. Ka pasur një mirëkuptim të plotë për zhvillimet pozitive të shënuara dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra për informim e MAPL.

Kjo është vizita e parë zyrtare, që një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, takon strukturat drejtuese në Monako. Gjatë qëndrimit në Monako, zv.kryeministri Petrovic pritet të takohet edhe me Kryeministrin e Monakos.