Zvogëlohen investimet kapitale, rriten shpenzimet

Pagat e Zyrës së Kryeministrit do t’i kushtojnë 48 mijë euro më shtrenjtë buxhetit të vendit. Nga 614 punëtorë sa kishte në fillim të vitit, kjo zyrë tanimë ka të punësuar 622 veta. Rishikimi i buxhetit i solli në shfrytëzim 181 mijë euro dhe 8 punëtorë më shumë vetëm zyrës që udhëhiqet nga Hashim Thaçi. Kryeministri ka firmosur dokumentin në të cilin figurojnë edhe 91 mijë euro më shumë shpenzime të luksit për zyrën e tij. Nga 763 mijë euro, sa ishte planifikuar, pas rishikimit të buxhetit shpenzimet për mallra dhe shërbime të Zyrës së Kryeministrit janë rritur në 854 mijë euro.

Më shumë në paga, mallra e shërbime do të shpenzojnë edhe deputetët. Kuvendit do t’i takojnë 252 mijë euro më shumë buxhet. Nga këto mjete parlamentarëve u është dhënë e drejta që t’i rrisin shpenzime në paga nga 5 milionë e 272 mijë euro, në 5 milionë e 382 mijë euro.
Ministrisë së Financave i është zvogëluar për 4 milionë euro buxheti. Nga 43 milionë euro sa parashihej në buxhetin primar, kësaj ministrie për këtë vit në total do t’i takojnë 39 milionë euro pas rishikimit. Por, pas të njëjtit proces, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përfituar 1 milion e 289 mijë euro më shumë buxhet. Kryesisht, këto mjete do të shpenzohet për njësinë e zhvillimit ekonomik. Ani pse për këtë resor ekziston ministri e veçantë, për zhvillimin ekonomik pas rishikimit të buxhetit Ministria e Tregtisë do të shpenzojë 7 milionë e 49 mijë euro, nga 5 milionë e 927 mijë euro. Njësoj, Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik do t’i ndahen rreth 3 milionë euro më shumë buxhet pas rishikimit. Nga 39 milionë euro, sa ishin planifikuar në dokumentin primar, rishikimi do t’i sjellë në arkë Ministrisë së Zhvillimit 42 milionë euro, shkruan Koha Ditore.
Me shifra të përafërta me ato të Ministrisë së Tregtisë, është rritur edhe buxheti dedikuar Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo ministri do të ketë në dispozicion 280 milionë e 471 mijë euro pas rishikimit të buxhetit. Nga ndërtimi i autostradës Morinë-Merdar Qeveria ka planifikuar të kursejë 400 mijë euro, porse ende mbetet projekti më i shtrenjtë i financuar nga buxheti në vlerë prej 239 milionë e 200 mijë eurove. Ministrisë së Arsimit i është rritur buxheti për rreth 2 milionë euro, për aq sa është zvogëluar buxheti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në tabelën e përgjithshme, investimet kapitale janë zvogëluar për 2 milionë euro duke rënë në 615 milionë euro. Rishikimi i buxhetit tregon se Qeveria ka rritur shpenzimet për mallra dhe shërbime, nga 198 milionë, sa pati ndarë në buxhetin primar, në 204 milionë euro. Në këtë dokument, është paraqitur vlerë e njëjtë e madhe e shpenzimeve për subvencione dhe transfere, përderisa vlera e subvencioneve për ndërmarrjeve publike është për 6 milionë euro më e vogël. Nga 37 milionë euro, sa u pati premtuar në buxhetin vjetor, Qeveria planifikon që t’u ndajë në total 31 milionë euro këtyre ndërmarrjeve