Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar se SHBA-të janë pajtuar që t’i ofrojnë ndihmë autoriteteve kosovare për të hetuar vdekjen e Dino Asanaj, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili është edhe shtetas amerikan.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në një mbledhje të Qeverisë i pati bërë thirrje mekanizmave përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë për t'i hetuar të gjitha rrethanat e vdekjes së Asanajt.
Ai pati thënë se nuk do të lejojë që "shantazhi, krimi dhe dhuna" të pengojnë ekonominë e lirë të tregut në Kosovë, si dhe ka shfaqur gatishmërinë për të vepruar po ashtu kundër, siç i ka quajtur ai, grupeve mafioze që “nuk e kuptojnë” këtë lloj të ekonomisë.
“Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar vdekjen e z. Dino Asanaj, ish-Drejtor i Agjencionit Kosovarë të Privatizimit dhe njëherit shtetas Amerikan. Pasi që e konsideron si të duhur Qeveria Amerikane është pajtuar të ofroj ndihmë, kështu që Byroja Federale e Hetuesisë (FBI) pran Departamentit Gjyqësorë të Shteteve të Bashkuara ka komunikuar me Policinë e Kosovës për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Megjithëse fillimisht vdekja e Asanajt ishte cilësuar si vrasje, mjekët ligjorë në Kosovë kanë thënë se në bazë të autopsisë, Asanaj ka bërë vetëvrasje, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë.
Rezultatet e autopsisë i ka konfirmuar edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX.