Shënohet Java globale kundër dhunës me armë

Ministria e Punëve të Brendshme i është bashkëngjitur shënimit të Javës Globale Kundër Dhunës me Armë për vitin 2012. Në këtë javë kampanja ndërkombëtare mbahet me qëllim të ndaljes së përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se për sikurse viteve të mëhershme, MPB-ja ka vendosur që t’i bashkohet javës Globale kundër Dhunës me Armë.
“Unë iu bëj thirrje qytetarëve që të përmbahen nga shkrepja e armëve në ajër, për shkak se plumbat të cilët shkrepen lartë kthehen gjithsesi poshtë dhe ata kthehen poshtë me një shpejtësi vdekjeprurëse. Rreziku i lëndimit ose madje edhe vrasjes së dikujt është i pashmangshëm në një ambient urban. Unë në veçanti dua t’u drejtohem organizatorëve të dasmave dhe ahengjeve tjera, që të kërkoni nga mysafirët tuaj që të mos përfshihen në këtë sjellje të rrezikshme dhe pronarëve të restoranteve që të mos e lejojnë një gjë të tillë në lokalet e tyre”, theksoi ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi vuri në dukje se korniza e re ligjore në Kosovë e lejon posedimin legal të armëve në bazë të kritereve shumë të rrepta dhe i përfshinë të gjitha kriteret drejt zvogëlimit të këtij rreziku.
Ndërsa ndihmësdrejtori për Operativë në Policinë e Kosovës, Shefqet Beqaj, tha se në kuadër të planit zhvillimor 2011-2015, njëra ndër objektivat strategjike është ngritja e nivelit të sigurisë publike, e që ndërlidhet direkt me parandalimin dhe luftën kundër dhunës me armë.
“Gjatë sezonit veror kryesisht nëpër ahengje familjare dhe organizime tjera rritet numri i përdoruesve të armëve dhe për këtë Policia e Kosovës ka hartuar plane policore që kanë për qëllim shtimin e patrullimeve dhe vëzhgimeve policore në ato lokacione ku zhvillohen ceremonia dhe manifestime të tilla. Njëkohësisht sjellim në vëmendje tek të gjithë qytetarët se përdorimi i paligjshëm i armëve është veprim i kundërligjshëm dhe ekzistojnë ndëshkime ligjore për këtë veprim joligjor”, theksoi Beqaj.
Ilir Kukaj nga Agjencia Nacionale e Forenzikës theksoi se plumbat bredhës, përpos dëmeve materiale mund të shkaktojnë edhe vdekjen. “Para se të shkrepni me armë në ajër gjithmonë ta keni parasysh se ju mund t’ ia merrni jetën dikujt.”, tha Kukaj.
Në këtë rast, u prezantuan edhe detaje kontrolli simultativ i një veture që barte armë ilegale nga Njësia e Specializuar e Policisë së Kosovës K9, ku në veturë qeni i këtij njësiti gjeti armën ilegale.
Java Globale Kundër Dhunës me Armë ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit publik për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të armëve të zjarrit, sidomos në rastet festive. Ky projekt u përkrah nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë ( UNDP), projekti KOSSAC dhe WSSI.