Procesi i fundit elektoral në Komunën e Kaçanikut ka mundur të ndiqej edhe nga një vëzhgues që ndodhet nën hetime, lidhur me shkeljet e pretenduara në zgjedhjet e 2010-s. Ishte vëzhgues i lëvizjes “Vetëvendosje”, subjektit më të zhurmshëm opozitar që denoncon parregullsitë.
Janë nën hetime 122 komisionerë nga Kaçaniku, për parregullsitë që kishin shoqëruar procesin e fundit elektoral, para këtij për kryetar të Komunës.
Ka gati nga të gjitha partitë parlamentare. Prej tyre, vetëm E. L. i “Vetëvendosjes” kishte mundur të akreditohej si vëzhgues, pasi subjekti politik që i përket kishte bërë një trik për t’ia fshehur identitetin, njofton “Koha Ditore”.
Ia kishte ndërruar një shifër të numrit personal, dhe kjo kishte bërë që në procesin e verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ky vëzhgues të mos vërehej që ishte nën hetime. Ndërhyrja ishte bërë në shifrën e shtatë, dhe në vend të 0 ishte shkruar shifra 1.