“Misioni ‘Flying for Kosovo’ nuk do të mbetet në rrugë”. Kështu ka deklaruar piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha, i cili që një kohë të gjatë e ka nisur këtë mision me qëllim lobimin nëpër shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me theks të veçantë në shtetet e kontinentit Afrikan.
Ai ka thënë para mediave se pas lirimit të tij nga burgimi në njërin prej shteteve të Afrikës, është rehabilituar dhe ka filluar me mbledhjen e fondeve tjera për ta përfunduar edhe pjesën e mbetur të këtij misioni.
Berisha ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që ta vazhdojnë këtë mision, duke lobuar në Libi dhe Egjipt, me të cilat shtete sipas tij, përfundon edhe ky mision.
“Ne jemi gati për t’u nisur, unë po nisem për në Sudan për ta rregulluar aeroplanin, për ta përfunduar Egjiptin edhe Libinë dhe me aq misioni po përfundon ‘Flying for Kosovo’, ka thënë ai, njofton “KosovaPress”.
Mirëpo, sipas pilotit Berisha, në vazhdimin e këtij rrugëtimi, ka thënë se ka premtime që zyrtarisht do t’i përcjellë Qeveria e Shqipërisë, kurse mbështetjen morale ia ka lënë Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Shqipërisë ka qenë e mrekullueshme, ka thënë se në këto dy shtete që kanë mbet, ne do t’ju përcjellim zyrtarisht, që është një gjë shumë e rëndësishme. Para se me fillu fluturimi i parë unë do të jem në komunikim me Qeverinë e Shqipërisë, kështu që, të shkojmë në mënyrë ma të organizuar, ma zyrtare, vetëm kanë premtuar që ata do të jenë me neve gjatë tërë kohës. Me siguri që edhe këta e ndiejnë obligim moral me na përcjellë tash e tutje”, ka thënë ai.
Sa i përket ndihmave financiare për këtë mision, Berisha ka thënë se Qeveria e Kosovës në fillim të misionit ka ndihmuar, kurse kohëve të fundit, sipas tij, nuk kanë marrë ndonjë ndihmë financiare prej saj.