Analisti i pavarur politik amerikan, Steven Mayer, vlerëson se dy kandidatët presidencialë të Serbisë, Boris Tadic dhe Tomislav Nikolic, nuk shprehin dallime të mëdha në qëndrimet e tyre politike dhe të çështjes sesi ata në të ardhmen do të silleshin ndaj çështjes së hyrjes në NATO dhe për Kosovën.
Serbia në këtë moment duhet të shqyrtojë në mënyrë analitike, bie fjala, hyrjen në BE, e cila për momentin është e preokupuar me probleme, ose anëtarësimin në NATO si dhe Kosovën, ka thënë Mayer në një intervistë për "Zërin e Amerikës" (në serbisht), transmeton QIK-u.
Sa u përket pohimeve të Tadicit dhe Nikolicit se nuk do të heqin dorë nga Kosova, Mayer thotë se që të dy politikanët do të orvaten të harmonizojnë aspiratat lokale, përkatësisht kombëtare me atë që Brukseli dhe Washingtoni kërkon.
“Mënyra që të vazhdojë zgjidhja konstruktive e problemit të Kosovës është që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet më pak, ndërsa Beogradi dhe Prishtina më tepër dhe në bisedimet direkte. Unë ka 15 vjet që flas që Serbia nuk do të mund ta kthejë tërë Kosovën, por Beogradi mund të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe të mbrojë enklavat serbe dhe monumentet historike dhe fetare. Mirëpo, që të arrihet kjo, duhet patjetër të bëhet në mënyrë kreative dhe inteligjente", tha mes tjerash Mayer.