Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin me ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nicolai Wammen tha se është me rëndësi për Kosovën që procesi i liberalizimit të vizave të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo do të përçonte një porosi të mirë për qytetarët se edhe ata kanë një perspektivë të qartë evropiane si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Danimarka ka luajtur një rol të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit me BE-në dhe vlerësoi se i gjithë rajoni ka bërë një përparim të theksuar në rrugën evropiane.
Ajo tha se Republika e Kosovës janë në proces të përmbushjes së standardeve të përcaktuara në studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që i është dorëzuar Kosovës në muajin mars.
Jahjaga tha se institucionet e Republikës së Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe se shpresojnë që ta marrin atë para përfundimit të mandatit të Presidencës Daneze në BE, në fund të muajit qershor.
Sipas saj, Republika e Kosovës duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe se liberalizimi i vizave duhet të kryhet duke u bazuar në parimet dhe kriteret e njëjta sikurse edhe në vendet e tjera, në përputhje me politikën për zgjerim të BE-së dhe perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.
Ajo i kërkoi ministrit Wammen përkrahjen e shtetit të tij dhe të BE-së për anëtarësim të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ministri i çështjeve evropiane të Danimarkës, Nicolai Wammen, theksoi se i gjithë rajoni, përfshirë edhe Kosovën ka perspektivë evropiane dhe BE-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Wammen tha se Kosova është në rrugë të mbarë në proceset integruese por theksoi se është e nevojshme që të përshpejtohet procesi i reformave në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.
Ai tha se duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të përmbushur standardet e nevojshme dhe gjithashtu vlerësoi qasjen konstruktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, si një përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.