Kampionja e vogël e shkëmbinjve

11-vjeçarja Ashima Shiraishi, me qetësi ngjitet në shkëmbin e saj të parë të ditës, një shkëmb i lartë afro gjashtë metra. Ajo ndjek gjurmët që janë lënë nga alpinistët e tjerë me përvojë. 
Një jastëk i zi i trashë është vendosur në tokë, ndërsa Ashima, pa litarë apo mbrojtëse nis të pushtojë shkëmbin. Me një zgjatje të fundit ajo arrin në majë. 
Ajo nuk duket më, por dëgjohet një zë i butë nga lartësia: "Si të zbres poshtë?", thotë ajo. 
Ashima vetëm sa ka nisur një ekspeditë dyjavore të alpinizmit në Hueco Tanks, një park shtetëror që është vend i shenjtë për të gjithë entuziastët e ngjitjeve në gurë. 
Tri ditë pasi arriti në park, ajo befasoi gjithë botën e alpinizmit, duke u ngjitur në "Crown of Aragorn", një shkëmb shumë i vështirë për t'u pushtuar. Këtë shkëmb kanë arritur të pushtojnë vetëm pak femra. 
Ashima, një vajzë e vogël dhe e dobët, jo vetëm që është ranguar si alpinistja më e mirë e grup-moshës së saj në SHBA apo në ndonjë vend tjetër të botës, por arritjet e saj e kanë ranguar në mesin e elitës në këtë sport. 
Në vitin 2008, si vetëm shtatëvjeçare, ajo nisi të dërgonte mesazhe të qarta, duke përballuar disa shkëmbinj që shumë pak alpinistë me përvojë mund të përballonin. 
Në Hueco në vitin 2010 ajo u ngjit në një shkëmb të quajtur "Power of Silence". Vitin tjetër ajo kaloi një shkëmb më të vështirë, të quajtur "Chablanke". 
Në kampionatin e të rinjve në SHBA, të mbajtur në mars, ajo me lehtësi doli e para. 
Para se të përfundonte klasën e pestë, Ashima, që vetëm sa ka mbushur 11 vjeç, po iu tregon të gjithëve se si një fëmijë mund të matet me alpinistët profesionistë.