Autoritetet në Indonezi kanë ndaluar mbajtjen e koncertit të Lady Gagas, i cili është caktuar për datën 3 qershor, pasi që kundër performancës së saj është shprehur grupi konservator islamik.
“Leja për mbajtjen e koncertit të Lady Gagas më 3 qershor në Jakarta është anuluar në bazë të rekomandimeve të policisë në Jakarta”, ka thënë zëdhënësi i Policisë kombëtare, Saud Usman Nasution.
Fronti i mbrojtësve të islamit më herët ka paralajmëruar se do të mobilizojë 30.000 njerëz, të cilët do t’i kundërvihen paraqitjes së këngëtares në koncert dhe se do ta pengonin daljen e saj nga aeroporti.
“Do ta ndalojmë që ta shkelë vendin tonë. Do të ishte më mirë që të mos guxonte që ta përhapë besimin e saj satanik në këtë vend”, ka thënë më herët lideri i frontit, Salim Alatas.
Organizatorët e koncertit kanë njoftuar se tashmë janë shitur të gjitha biletat (rreth 52.000) dhe se njerëzit kanë dëshirë të madhe ta dëgjojnë Lady Gagan, megjithatë tash është bërë e qartë se kjo dëshirë nuk do t’iu plotësohet.
Indonezia që numëron 240 milionë banorë është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në botë.