Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku tha se Kosova nuk ka ndonjë kamp stërvitor për ushtarët guerilë sirianë. Ajo pohoi se në Kosovë ka pasur vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por dhe të vendeve të tjera, ku ka pasur shkëmbim përvojash, por mohoi që Kosova po trajnon kryengritësit sirianë.
“Ajo çka ka ndodhur në fakt kanë qenë disa vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por dhe të vendeve tjera dhe ka pasur shkëmbim të përvojave. Nuk ka fjalë që UÇK është guerilja më e suksesshme në historinë e re botërore dhe përvojat e saj qoftë në luftë për liri, qoftë në transformime të suksesshme mund të merren si leksione për të tjerët. Por, në asnjë formë, nuk kemi këtu ndonjë kamp stërvitor për ushtarët guerilë sirianë”, tha Çitaku, raporton Kosovapress.
Çitaku më tej pohoi se Kosova ka prezencë shumë të fuqishme të NATO-s dhe EULEX-it dhe gjëra të tilla assesi s’do të mund të ndodhnin, pa një koordinim me faktorin ndërkombëtar.
Ndryshe, ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin i tha Këshillit të Sigurimit se vendi i tij është i shqetësuar rreth njoftimeve se kryengritësit sirianë po trajnohen në Kosovë. Ai ka pohuar se nëse këto raporte janë të vërteta, prania e luftëtarëve sirianë në Kosovë do të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të rivendosur paqen në Siri.