Komisioni për reformën zgjedhore rrezikon të mos i marrë tre muaj mandat shtesë për ta përmbyllur misionin që i është ngarkuar nga Kuvendi i Kosovës, me Rezolutën e prillit të vitit të kaluar.
Burime brenda Kryesisë së Kuvendit kanë bërë të ditur se Rregullorja e punës së legjislativit nuk lejon që komisioneve parlamentare t'u jepet më tepër se një muaj afat shtesë për t'i përfunduar detyrat që u takojnë, shkruan Koha Ditore.
Ky rregull pretendohet se vlen edhe për komisionet ad hoc, siç është ai për ndryshimin e Ligjit zgjedhor.
"E vërteta është se për komisionet ad hoc nuk ka ndonjë rregull të veçantë për mandate shtesë, por në rastet e tilla merret analogjia me mandatet e komisioneve funksionale. E këto komisione, në rastet kur nuk arrijnë të nxjerrin raport me rekomandime për një projektligj të caktuar brenda dy muajve, mund të kërkojnë afat shtesë deri në një muaj", ka thënë burimi i gazetës.
Kërkesa për mandat shtesë e Komisionit për reformën zgjedhore pritet të shqyrtohet javën e ardhshme në Kryesi të Kuvendit.
Ky organ më pas do të vendosë nëse çështja e mandatit të këtij komisioni të futet në rend dite për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Mandati i rregullt i Komisionit për reformën zgjedhore ka skaduar më 22 prill, pa u dhënë zgjidhje çështjeve kruciale të sistemit zgjedhor, siç janë: listat, zonat dhe pragu zgjedhor.
Rrjedhimisht, reforma zgjedhore e nisur para një viti është vlerësuar pothuajse e dështuar nga shtetet anëtare të BE-së që janë të pranishme në Kosovë.
Një diplomat evropian i akredituar në Kosovë para dy ditësh i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se partitë kanë lënë përshtypjen se qëllimisht nuk duan që të kenë reformë zgjedhore.
Në këto rrethana, që për evropianët janë cilësuar si shumë shqetësuese, amerikanët e kanë parë më të arsyeshme që ta pezullojnë mbështetjen e punës së komisionit.