Posta dhe Telekomi i Kosovës kishte zgjedhur si garantues njërin prej të dyshuarve për më shumë se 15 vepra penale për antenat e telefonisë mobile në veri.
Me Zvonko Veselinovicin kishte bërë kontratë që të ruante antenat, shkruan Koha Ditore. Për vendosjen e njërës prej tyre mbi një objekt banimi kolektiv në veri të Mitrovicës ai merrte nga PTK-ja 1.000 euro në muaj. E ishte punësuar edhe si rojë. Edhe për këtë punë paguhej rreth 400 euro në muaj. Teksa këto të ardhura i derdheshin muaj për muaj në llogari, Zvonko kishte krijuar tashmë një rrjet të gjerë të veprimtarisë në veri me kontrabandë nafte, barnash e droge.
KD ka zbuluar dosje që Veselinovicin e vë në krye të shitësve të drogës. Për këtë ai besohet se kishte bashkëpunim të mirë me shqiptarë, boshnjakë e romë të Mitrovicë, të cilët në shumicën e rasteve ishin bërë shitës me pakicë për llogari të tij..
PTK-ja ndërkohë veç pak kohë para arrestimit të Veselinovicit në Serbi ka shkëputur kontratën me të dhe thotë se e ka larguar edhe nga puna.